Mbetje kockore që dyshohet se u përkasin të paktën 23 personave janë gjetur sot gjatë gërmimeve në Zubin Potok, ku prej fundit të korrikut po zhvillohen kërkime në lokacione të dyshuara për një varrezë masive me trupat e shqiptarëve nga lufta e vitit 1999.
Prokuroria Speciale e Kosovës, Policia e Kosovës dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore njoftuan se gjetja e radhës është konfirmuar këtë të mërkurë nga mjekët ligjorë.
Sipas vlerësimit paraprak të ekipeve të Institutit të Mjekësisë Ligjore, mbetjet kockore të gjetura dyshohet se u përkasin së paku 23 individëve.
Identifikimi i plotë i tyre pritet të bëhet pasi të përfundojnë ekzaminimet mjeko-ligjore dhe procedurat përkatëse.
Ndërkohë, për këtë rast po hetohen tre persona, J.R., M.J. dhe M.B., nën dyshimin për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”. Të tre ndodhen në paraburgim.
Gërmimet janë shtrirë në tri vende të ndryshme në zonën e Zubin Potokut, përfshirë fshatin Kalludër e Vogël dhe Jakubë.








Komente
Komento