Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, mbajti fjalimin e saj ditën e sotme para Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian.
Ajo tha se Serbia edhe pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022, ka nënshkruar një marrëveshje me Rusinë, që parashikon koordinimin e politikës së jashtme.
Gërvalla përmendi aktin terrorist të ndodhur të premten me shpërthimin e kanalit të Ibër Lepencit, duke alarmuar se Evropa nuk ka shumë kohë për sinjale më të vendosura.
“Ne e shohim lidershipin aktual që nuk e duan Evropën, thjesht i duan eurot e Evropës dhe besoj shumë nga ju jeni të njoftuar. Portofolin e kanë në Bruksel, ndërsa zemrën e kanë në Moskë. Në afërsi me lidershipin serb, dhe ka pranuar haptas që ka qen komandues të sulmit të dështuar në shtator 2023 ka pranuar se ka qen komandues heronj kombëtar, pra duhet t’ia bëjmë pyetjen vetes a mundemi ne si evropian që kemi ide krejt tjetër të civilizimit, ata kanë pikëpamje krejtësisht ndryshe. Unë kam jetuar në të dyja borërat dhe mund të them që kjo është e rrezikshme. Evropa për një kohë shumë të gjatë e ka toleruar Putinin, ndërsa Vuçiq e ka imazhin e njëjtë si Putini, dëshiron dhe ndjen se ka të drejt të marrë territore, shumë e ngjashme me atë çka ka bërë Millosheviqi “, tha ajo.
Duke folur për sulmin terrorist në veri të Mitrovicës, ajo tha se ky është një sulm ndaj infrastrukturës energjetike ndaj një shteti.
“Jo vetëm për shkak të Kosovës por për shkak të stabilitetit të gjithë Evropës. Ne nuk duhet t’i japim alternativa. Pra nuk mund t’i jepni miliarda euro vendit që shkon në kundërshtim me vlerat e Evropës, mos na besoni neve, thjesht besoni njerëzve që në BE, në NATO e kanë kuptuar qartë që nuk ka të bëjë me propagandën e Vuqiçit, shikoni faktet, jo propagandën, duhet të veprojmë shpejt që të mos vonohemi”, tha ajo. /Kosovapress