Arsenali rikthehet tek fitoret në Premier Leaguen angleze ndërsa trajneri i ri Mikel Arteta arrin fitoren e parë në stolin e topçinjve. Arsenali mposhti pastër 2-0 Manchester United në Londër me të dy golat që u shënuan që në pjesën e parë. Pas katër ndeshjesh Arsenali rikthehet tek fitorja me golat e Pepe që e tundi rrjetën që në minutën e 8-të dhe llogaritë i mbylli mbrojtësi Sokratis që në 45 minutat e para. 27 pikë ka grumbulluar Arsenali në 21 javë 4 pikë larg zonës europiane.
Pep Guardiola fiton duelin me Carlo Ancelottin. Manchester City fitoi 2-1 ndaj Everton në “Etihad” në një ndeshje emocionuese. Duelin e vendosi dygolëshi i Gabriel Jesus që tundi dy herë rrjetën brenda 7 minutave në pjesën e dytë ndërsa goli i miqve u realizua nga Richarlison. City mbetet në vend të tretë.
Leicester City e nisi me goleadë vitin e ri. Skuadra e Rodgers “shtypi” Neëcastle në transfertë 3-0 dhe mbetet forcë e dytë në Premier League ,rivalja më e afërt e Liverpool. Chelsea ngeci në barazim ndaj Brighton por mban vendin e katërt ndërsa humbi Tottenham i Mourinhos që u mposht nga Southampton. Javën e 21-të e mbyll sonte ndeshja Liverpool-Sheffield Utd./ Përgatiti Andi Kapxhiu