Kur drejtoja Balkanweb, median e parë shqiptare online të themeluar nga Carlo Bollino, vura re një fenomen interesant. Ishte fillimi i viteve 2000 dhe sapo nisi lindja e rrjeteve sociale, bashkë me to komentet dhe komentuesit në anonimat. Në redaksi kishim mundësinë të filtronim komentet poshtë lajmeve, por ideja, dëshira, ishte të linim opinion të lirë. Kemi vuajtur gjithnjë për fjalën e lirë, ndaj kjo mundësi u vlerësua si një mënyrë shprehjeje dhe pse jo, perceptimi të opinionit publik mbi temat e lajmet që interesojnë. Pa fshehur edhe mundësinë për të mbledhur në anonimat burime, informacione lajmesh që do t’i verifikonim më pas si redaksi.
Që në muajt e parë krijuam një identitet të komentuesit anonim, në Balkanweb atëherë dhe te Shqiptarja.com sot. Shumica e tyre ishte e motivuar nga urrejtja. Shpesh komentet nën lajme të ndryshme ishin dukshëm të bëra nga individë afër personazhit që përbënte lajm: politikanë, punonjës administrate, shoqëri civile, ambasadorë, artistë. Një komentues bënte disa komente nën një lajm; dallohej nga e njëjta përmbajtje e shkruar me emër të ndryshuar, me fjali të ndryshuara, por me të njëjtin thelb denigrues, ofendues, poshtërues.
Pak herë vinin përmes komenteve informacione të besueshme që shërbenin për të verifikuar një lajm, një fakt, një ndircim që do t’i shërbente të vërtetës. Në gjithë këto vite vërtetë pak. Pastaj me krijimin e rrjeteve popullore sociale, tendenca e komenteve nëpër mediat e para on line u bë mbarëkombëtare, e sic e dimë tashmë, globale.
Në lejimin e komenteve të lira nuk jemi penduar e nuk pendohemi edhe sot. Më mirë një sharje më shumë, një urrejtje më shumë sesa pamundësia për të thënë atë që mendon, atë që ndjen, atë që intrigon.
E megjithatë, në detin e komentuesve të hidhët e të ligështuar, ka një tjetër identitet anonim: janë ata që marrin nismën të shkruajnë nën artikuj një mirënjohje, një pëlqim, një kompliment, një ide, një mendim, një opinion konstruktiv. Në këta anonimë pozitivë qëndron esenca e gjërave. Tek kush, edhe pse pas mburojës, flet një fjalë të mirë dhe jep një mendim.
Gëzuar të gjithë komentues: urryes e të mirë!
GEZUAR znj Alba! Artikujt e faqes suaj do te terheqin komentues te mire dhe urrejtes,eshte normale. Shoqeria shqiptare eshte shoqeri e semure nga atavizmat e ish PPSH dhe bijve te saj te superkortuptuar,qe kane qene e vazhdojne te jene ne pushtet keto 30 vjetet e fundit.
Përgjigju