Politika shqiptare ka uruar 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Ndërsa mëngjesin e kësaj të marte nisën zyrtarisht festimet me ngritjen solemne të flamurit, edhe figurat politike filluan të postonin urimet e tyre.

I pari ishte kryeministri Rama, i cili veç urimit shprehu edhe keqardhjen që s’do të mund të marrë pjesë në protestën që do të mbahet në orën 14:00 në shenjë solidariteti me ish-krerët e UÇK-së që ndodhen në ditën e shtatë të seancave përmbyllëse në Hagë.

“I uroj Kosovës gëzuar pavarësinë me keqardhjen që s’mund të jem sot në manifestimin popullor të solidaritetit me katër pengjet e UÇK-së në ferrin e (pa)drejtësisë ndërkombëtare në Hagë”, shkroi Rama.

Pas tij, kanë ndarë urimet e tyre edhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dhe Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi.