Parisi është një festë për jetën, ka shkruar dikur Ernest Hemingway. Këtu ky amerikan i ashpër e përjetoi lehtësinë e ekzistencës, këtu ai ndihej i lirë, mund të shkruante dhe grindej, të dashuronte dhe festonte. Nëse metropoli francez do ta ruajë relativisht të palënduar shpirtin e vet pas sulmeve të fundit të tmerrshme, varet para së gjithash nga puna e policisë dhe drejtësisë. Në vijën e parë të frontit kundër armatës vetëvrasëse, e cila – dhe ky është paradoksi – e quan veten Shtet Islamik (IS), po lufton një njeri, i cili ka shumë përvojë, durim dhe nerva.

Për francezët kryeprokurori parisien François Molins nuk është figurë e panjohur nga aparati anonim i drejtësisë: ky njeri shtathollë me dekoratën e Legjionit të Nderit në setër është gjahtari kryesor i terroristëve të vendit. Kur Franca sulmohet prej francezëve që janë francezë vetëm falë pasaportës, por kanë prejardhje arabe, atëherë fytyra e 62-vjeçarit Molins shihet në të gjitha kanalet televizive franceze. Kështu ishte pas sulmit  kundër revistës satirike «Charlie Hebdo» dhe një dyqani hebraik në janar.

Sulmet kundër gjashtë lokacioneve në Paris të premten që shkoi pothuaj nuk e kanë befasuar François Molins. Ai vazhdimisht ka tërhequr vëmendjen mbi rreziqet e pritshme – së fundi në maj në një intervistë për gazetën «Le Figaro». Atëbotë ai tha se «nuk ka arsye për të qenë optimist». Por, Molins nuk është adhurues i tonit që shkakton panik. Ai nuk dëshiron të zbukurojë asgjë, por e bën të qartë se shteti juridik është në gjendje ta thajë moçalin xhihadist. Për të është shqetësuese numri i madh i të rinjve francezë, të cilët muajve të fundit iu kanë bashkuar rrjetit terrorist IS.

Gjatë natës vrastare nga e premtja në të shtunën Molins shkoi me vrap te salla e koncertit Bataclan, ku në breshërinë e armëve të terroristëve vdiqën së paku 89 veta. Për ekspertin e terrorit ishte shpejt e qartë se të vetëshpallurit luftëtarë të Allahut kishin vepruar në mënyrë çmendurisht profesionale dhe të koordinuar. Të gjithë bartnin jelekë identikë të mbushur me eksploziv dhe të gjithë përdorën armë automatike të tipit kallashnikov. Kjo armë me saktësi të qitjes ka një shpejtësi zjarri prej 600 fishekësh në minutë. Ky instrument vrastar shumë shpejt mund të shkaktojë kasaphanë – veçanërisht kur përdoret kundër një turme njerëzish që s’mund të mbrohen.

Molins, baba i tre fëmijëve dhe gjysh i shumëfishtë, duket se është i adaptuar me situata të rënda pas një karriere të gjatë në fushën e drejtësisë. Valën e terrorit, e cila e tronditi Francën mes korrikut dhe tetorit 1995, Molins e përjetoi si zëvendës i prokurorit të përgjithshëm të Lyonit. Atëbotë vdiqën tetë njerëz, më shumë se 200 u plagosën. Pas sulmeve qëndronte organizata Grupi i Armatosur Islamik (GIA), i cili ishte aktiv para së gjithash në Lyon dhe mbante kontakte të ngushta me kumbarë të terrorit në Algjeri. Më 2005 Molins drejtoi hetimet pas vdekjes së dy të rinjve në paralagjen e Parisit Clichy-sous-Bois. Ata duke ikur nga policia ishin fshehur në një transformator dhe kishin vdekur nga goditja e rrymës. Kjo tragjedi nxiti trazirat më të mëdha urbane në historinë e re franceze. Në pranverën e vitit 2012 Molins hetoi në lidhje me sulmet e kryera në Toulouse dhe Montauban nga terroristi i sëmurë psikik Muhamed Merah. Viktima të Merahut me origjinë algjeriane qenë tre ushtarë francezë, një mësues dhe tre fëmijë të një shkolle hebraike.

Sindikata e nëpunësve të drejtësisë në Francë e përshkruan Molins si prokuror të pamëshirshëm. «Nuk jam represiv, por as shumë tolerant», ha ai kur u emërua kryeprokuror i Parisit në vitin 2011, pasi gati tri vjet kishte shërbyer si drejtor kabineti në Ministrinë e Drejtësisë. Për kritikët ky ishte një shembull i nepotizmit në drejtësinë franceze.

Por, Molins dëshmoi pavarësinë e tij kur në fillim të vitit 2013 filloi hetimet kundër ministrit të atëhershëm të buxhetit Jérôme Cahuzac. Ky socialist fajësohej se deri më 2009 kishte pasur xhirollogari të padeklaruara në bankën zvicerane UBS.

Molins, i cili është me origjinë katalane, angazhohet për bashkëpunim ndërkufitar në luftën kundër terrorizmit dhe manipuluesve financiarë. Në qershor ai nga Ministria e Drejtësisë e Spanjës u nderua me një dekoratë për kooperimin në shmangien e terrorit. Molins thotë se është me rëndësi përkrahja e firmave si Apple dhe Google në mënyrë që hetuesit t’i kontrollojnë telefonat mobilë. Për planifikimin e sulmeve terroriste këto aparate ndërkohë janë gati po aq të rrezikshëm sa kallashnikovët.

Tani Molins gjendet me gjasë para detyrës më të vështirë të karrierës së tij. Mbarë kombi pret prej tij dhe ekipit të tij suksese të shpejta, në mënyrë që vendi – për aq sa është e mundshme – t’i kthehet normalitetit. Por, seria e fundit e sulmeve në Paris i ka zhvendosur parametrat e normalitetit në mënyrë brutale – edhe për Molins. Kjo hapësirë e dhunës edhe për francezët, të cilët në 20 vitet e fundit disa herë kanë qenë të goditur nga atentatet islamike, është një botë e re.