/ATSH/.- Rreth 2 mijë veta morën pjesë në protestën e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje në Gjakovë, kundër ministrit nga komuniteti serb në qeverinë kosovare, Aleksandar Jabllanoviq.

Sipas KosovaPress, "Serbia nuk kalon" dhe "Jabllanoviq jashtë ", ishte sllogani në këtë protestë. Njëra nga organizatoret tha se në këtë rast duhet të ndërhyjë qeveria e Republikës së Kosovës dhe të mos lejojë të qarkullojnë deklarata të tilla.

Ditë më parë ministri serb kishte përdorur shprehje të rënda kundër nënave protestuese gjakovare, të cilat ai i quajti "egërsira" dhe kjo për ne është e papranueshme u shprehën disa nga nënat që i kanë bijtë e tyre dëshmorë ose martirë të rënë në luftën e fundit në Kosovë.

Protestës iu bashkangjitën edhe qytetarë të shumtë të Gjakovës. Ata vazhduan në ecje deri para objektit të komunës së Gjakovës nga ku kërkuan që t'u bashkangjitet edhe kryetarja e komunës, e cila pati reaguar ndaj deklaratave të Jabllanoviqit. Ajo iu bashkua protestës pa hezitim.

Nga ana tjetër, aktivistët e Vetëvendosjes thanë se dorëheqja nuk mjafton, duket të merren masa të tjera bile të shqyrtohet edhe dorëheqja e kryeministrit Isa Mustafa.
Protesta e gjakovarëve kundër ministrit serb Aleksandar Jabllanoviq në Gjakovë ka përfunduar e qetë. Gjatë protestës, pjesëmarrësit kanë kërkuar nga kryeministri Isa Mustafa që ta shkarkojë ministrin serb.