PRISHTINË - Arrestohen dy persona të dyshuar dhe konfiskohen mbi 18 kilogramë marihuana.Policia e Kosovës bën të ditur se sot, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë ka realizuar me sukses operacionin policor të koduar "Plantacioni", me dyshimin për veprën penale "blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike".
Operacioni është realizuar në rajonin e Gjakovës në bashkëpunim edhe me njësi tjera të Policisë së Kosovës dhe ka rezultuar me arrestimin e dy personave, shqiptarë kosovarë.
Gjatë bastisjes në dy lokacione, gjegjësisht prona të të dyshuarve, njësitë policore kanë konfiskuar prova materiale: 59 bimë të llojit Kanabis Sativa me gjatësi nga 50 cm deri 3 metra; 18 kg e 584.5 gr substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuana; 51.9 gramë substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë.
Të gjitha veprimet policore janë kryer nën autorizim të Prokurorisë kompetente.
Të dyshuarve, pas intervistimit në konsultim me prokurorin, iu është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh. /ATSH/