Pamje nga Gjakova
PRISHTINË, 21 Shkurt/ATSH/.-Qendra për Politika dhe Avokim (QPA) u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë në komunën e Gjakovës që t'i trajtojnë me prioritet çështjet, që kanë të bëjnë me degradimin e mjedisit.
Në kuadër të projektit "Për Gjyqësi më Transparente" në një tryezë të rrumbullakët në Gjakovë, përfaqësues të QPA-së kanë paraqitur rezultatet nga monitorimi i çështjeve gjyqësore kundër ndotjes, degradimit dhe shkatërrimit të mjedisit në Gjykatën Themelore në Gjakovë dhe degën e saj në Rahovec.
Menaxheri i projektit, Milaim Morina bëri të ditur se në Gjykatën Themelore në Gjakovë po trajtohen 12 çështje, ndërsa në degën e saj në Rahovec 11. Denoncimet e rasteve janë bërë kryesisht nga Këshilli i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), i cili në tre vitet e fundit ka bërë 45 denoncime, ndërsa vetëm në vitin 2014 janë ngritur 20 kallëzime penale. "Ka lëndë që kanë mbetur pa u zgjidhur që nga viti 2012", tha ai.
Përfaqësuesi i Këshillit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, Bashkim Zeqaj, ka thënë se mjedisi po degradohet nga operatorë ekonomikë, të cilët nuk posedojnë licencë për veprimtari të caktuara. Ai ka njoftuar se në vitin 2014 në nivel vendi KPMM ka bërë 77 kallëzime penale, ka shqiptuar 84 gjoba administrative për shfrytëzim ilegal dhe ka konfiskuar 20 makineri.
Prokurori i Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Ismet Tofaj, ka bërë të ditur se në disa raste janë ngritur aktakuza ndaj palëve për degradim të mjedisit, por se në përgjithësi për lëndë të tilla problem i theksuar mbetet identifikimi i kryerësve të veprave.
Gjykatësi nga Gjykata Themelore e Gjakovës dega në Rahovec, Ilir Rashkaj , tha se ka trajtuar 7 çështje nga 11 qe janë gjithsej. Si shqetësuese ai ka përmendur mungesën e palëve në seancë dhe numrin e madh të çështjeve që po trajtohen në gjykatë, gjë që ka bërë që lëndëve mjedisore të mos u jepet shumë prioritet.
Në përmbyllje të diskutimit, QPA ka kërkuar që gjobat e shqiptuara nga Gjykata Themelore e Gjakovës të jenë në proporcion me dëmin e bërë, sakaq ka shfaqur shqetësim për cështjen e mospranimit të palëve në seancat gjyqësore. Projekti i QPA-së "Për Gjyqësi më Transparente" financohet nga USAID-i dhe mbikëqyret nga ATRC. /b.j/k.s/







