TIRANE – Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, u takua sot me kreun e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GjEDNj), Nicolas Bratz. Ky i fundit vlerësoi progresin e bërë deri tani nga Shqipëria në disa drejtime si reformat në sistemin gjyqësor apo lufta kundër korrupsionit, por theksoi se ka ende hapa të mëtejshëm të cilat duhen ndërmarrë, bëri të ditur një komunikatë për shtyp i Gjykatës së Lartë.

Bratz theksoi se “ka një numër të madh çështjesh gjyqësore, të regjistruara në GjEDNj, veçanërisht ato që kanë lidhje me pronat, duke u shprehur se zbatimi i vendimeve të gjykatave mbetet ende një problem në Shqipëri”.

Zonja Beçaj gjatë fjalës së saj shprehu “falenderime për mbeshtetjen dhe vizitën e z. Bratz, e cila edhe pse përkon me 20 vjetorin e Gjykatës Kushtetuese, gjithashtu vjen në një moment kur Gjykata e Lartë është në qendër të diskutimeve mbi reformat që e prekin atë”. Znj. Beçaj theksoi se “shteti shqiptar, nëpërmjet institucioneve të tij, ka punuar fort në drejtim të arritjes së standardeve evropiane”, thuhet në komunikatën e Gjykatës së Lartë.

Sipas saj, “në 22 vite demokraci janë bërë ndryshime të shumta në të gjitha fushat, duke përfshirë edhe reformat në sistemin gjyqësor. Ne jemi të vetëdijshëm për detyrat e mëdha që kemi përpara - ka vazhduar znj. Beçaj - për reformimin e metejshëm në sistemin e drejtësise, pavarësisë, një drejtësie bashkekohore që të udhëhiqet nga ligji, profesionalizmi dhe ndershmeria në kryerjen e kësaj detyre”.

(im/shqiptarja.com)