‘Gjej punë mos rri kot! Unë nuk kam me çfarë të ushqej’, këto dyshohet se ishin fjalët e fundit të të ndjerit Qemal Muhametajt nga fshati Greshnicë i Mallakastrës, i cili u vra nga djali, i tij me probleme mendore.

Burime konfidenciale nga policia e Ballshit për Report Tv bëjnë me dije se gjatë marrjes në pyetje nga ekspertë të policisë, Mariglen Muhametaj është shprehur se shkak është bërë një zënkë e çastit më të atin. I ndjeri Qemal Muhametaj, i ka thënë të birit të gjejë punë e të mos rrijë kot.

Në debat e sipër midis atë e bir, Mariglen Muhametaj, mësohet që fillimisht e ka shtyrë me duar me forcë të atin, i cili ka rënë përdhe. Autori nuk mjaftohet me kaq, por ka marrë një pllakë betoni dhe e godet dy herë në kokë, duke i marrë jetën në vend.

Gjatë kohës, që Mariglen Muhametaj, ka treguar gjithë rrjedhën e ngjarjes së rëndë, e ka treguar atë qetësisht, normal dhe pa pendesë. Mariglen Muhametaj do të njihet nesër me masën e sigurisë.