Deputeti i PD-së, Agron Gjekmarkaj sulmoi Presidentin Barajm Begaj duke e cilësuar si “shërbëtor të maxhorancës dhe kamarier të Ramës”.  Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Gjekmarkaj tha se e kanë menduar si të paqenë, por në fakt kanë gabuar sepse po tregon se është “zgjatim i pushtetit” dhe jo përfaqësues i qytetarëve. Kjo, sipas tij, është një tradhti ndaj vendit.

“Edhe institucionet e tjera që duhet të ishin të pavarura janë shndërruar në degë të ekzekutivit. Presidenti i Republikës që padrejtësisht e mendonim të paqenë, por jemi gabuar. Në fakt është i dëmshëm. Ka zgjedhur të mos jetë më garant i unitetit kombëtar, të jetë garant i interesave të veta meskine. Të njëjtën kohë shërbëtor i mazhorancës, kamarier i kryeministrit me akte gjeste e fjalë. Një president që e sheh veten si zgjatim i pushtetit dhe jo si përfaqësues i të gjithë qytetarëve është dëm për vendin. Kjo është tradhëti ndaj shoqërisë”, tha Gjekmarkaj.

Një ditë më parë, PD depozitoi në Kuvend kërkesën për shkarkimin e Begajt duke renditur 7 shkelje, nga dekretimi i zgjedhjeve në Tiranë, kërkesa e Presidentit në Kushtetuese për sqarimin e mandatit të anëtarëve të kësaj gjykate, dekretimi i Diellës ministre, dekretimi i ligjit për komisionet hetimore, apo edhe akuzat se lejoi përfshirje të trupës diplomatike dhe kabinetit të tij në zgjedhje. Po ashtu, PD pretendon se Begaj rezulton i punësuar në një klinikë private në Tiranë, si edhe ka favorizuar një kompani sigurimesh duke i dhënë tenderët e Presidencës, ndërsa ajo në këmbim i ka punësuar djalin fiktivisht. 


Lajmi kryesor:

Kuvend/ Protesta për UÇK, Balla-PD-së: Rama s’do jetë, pse nuk vini? Kryetari juaj ‘dhëndër’ i mirë i Serbisë! Berisha: Kryeministri, shërbëtor i Vuçiç