60 punonjës të Ndërmarrjes së Gjelbërimit kanë dalë sot në protestë përpara Bashkisë së Vlorës.
Shkak për protestën është bërë shkrirja e dy drejtorive, asaj të Pastrimit dhe Gjelbërimit, në një të vetme. Sipas punonjësve të gjelbërimit, kontrata e re i detyron ata të kryejnë edhe punët e pastrimit, në të kundërt rrezikojnë largimin nga puna.
Punonjësit shprehen se, sipas kushteve të reja, duhet të jenë në gatishmëri 24 orë, për situata të ndryshme, ndërkohë që theksojnë se nuk e kanë parë dhe as nuk u është prezantuar zyrtarisht kontrata e re.
“Unë nuk shikoj nga sytë. Më thane disa gjëra, sektor gjelbërimi nuk kishte. Nuk firmosa, kaq. Kërkojmë vetëm sektorin e gjelbërimit. Burimet njerëzore, ku e di unë. Nuk firmosa, duam vetëm sektorin e gjelbërimit. Nëse nuk firmosim, shkarkim nga puna”, tha një punonjëse për Report Tv.
Punonjësit deklarojnë se do të vijojnë protestën dhe nuk do të rikthehen në punë deri në arritjen e një marrëveshjeje. Ata shprehen se janë të kërcënuar me largim nga puna, nëse nuk pranojnë kushtet e reja të kontratës.
Pas protestës para Bashkisë së Vlorës, punonjësit kërkuan një takim në Prefekturë. Ata janë pritur nga Evis Allushi, e cila u shpreh se këtë mbledhje do ta protokollojë dhe se do t’i drejtohet Bashkisë së Vlorës për informacion zyrtar mbi situatën.
Prefektja garantoi se do ta ndjekë problematikën hap pas hapi.
Ndërkohë, punonjësit deklaruan se aktualisht ndodhen pa punë. Ata i kanë bërë me dije prefektes se nuk u janë dhënë pagesat për ditët e festave, ndërsa theksuan se nuk mund t’u kërkohet qytetarëve të paguajnë taksën e gjelbërimit në një kohë kur ky shërbim po shkrihet.
Komente






