MIRDITE- Gjenden shëndosh e mirë dy vëllezërit, 13 e 11 vjeç të cilët ishin zhdukur pa lënë gjurmë nga shtëpia e tyre në fshatin Trangë-Lufaj, e komunes Selite, një zonë e thellë malore në Mirditë.

Fëmijët janë gjetur në qytetin e Burrelit. Kishte qenë një ish- mësues, dikur banor i këtij fshati i cili pas sensibilizimit në mediat televizive, ka parë fëmijët në një lokal të qytetit dhe ka njoftuar familjarët me telefon. Ramazan Uka, ish mësues, ka pikasuar fëmijët në mëngjes tek një lokal. Pasi i ka marrë në shtëpinë e tij ka njoftuar familjen Loci. Renato Loci dhe Serxhio Loci, 13 dhe 11 vjeç.

Dy vëllezërit rezultuan  të zhdukur pa lënë gjurmë që prej paradites së djeshme. Familjarët bënë denoncimin në polici, ndërkohë që i gjithë fshati ishte vënë në kerkim te tyre për gjatë gjithë natës dhe paradites së sotme.

MISTERI I ZHDUKJES
Do të jenë fëmijët të cilët do të sqarojnë pse, si dhe me kë janë larguar nga fshati i tyre. Familjarët dyshuan për ndonjë mundësi rrëmbimi përmes gënjeshtrave me destinacion Kosovën, pasi në banesën e tyre kishin konstatuar mungesëm e 100 mijë lekëve të reja. Në një dëshmi për Tv A1 Report xhaxhai i fëmijëve, Ndue Loci tregonte se rreth orës 11:00 të 20 gushtit, fëmijët, pasi kishin lënë bagëtitë në mal, ishin kthyer dhe i kishin thënë të motrës së vogël nëse do ti bashkohej pasi do të largoheshin për në Kosovë. Më pas fëmijët janë larguar për në drejtim të paditur me 100 mijë lekët me vete. Familjarët mbështesnin dyshimet e tyre pasi fëmijët nuk ishin larguar asnjëherë nga katundi ku banonin.

(Për detaje të informacionit dhe foto u ndihmuam nga gazetari Gjergj Marku i cili publikoi të dhënat në profilin e tij të facebook. Lajmi u publikua në orën 08: 30 dhe u përditësua në orën 10: 27)

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)