/ATSH-Suada Bajraktari/. - Nisja e një rutine ushtrimesh mund të jetë e vështirë, por tashmë kërkuesit kanë zbuluar një 'hile'. Qoftë fundi i punës, ose alarmi i zgjimit në mëngjes, çdo hap i rëndësishëm i ditës suaj mund të shërbejë si sinjal për të nisur ushtrimet e ditës. Sipas një studimi kjo është mënyra më e mirë që do t'ju ndihmojnë të ndërtoni një rutine. Në këtë studim kërkuesit zbuluan se të rriturit që ndiqnin një sinjal të caktuar arrinin të kishin një aktivitet të vazhdueshëm dhe pa ndërprerje, ndryshe nga personat që përpiqeshin të gjenin dhe caktonin kohë në kalendar.

"Ushtrimet duhet të bëhen në mënyrë automatike, pa qenë nevoja të bindësh veten, pasi kështu do të të duhet shumë kohë derisa të vendosësh për momentin e duhur", shkruhet në livescience.com . Mbarimi i punës apo alarmi i zgjimit mund të jenë mënyra më e mirë për të nisur rutinën e stërvitjes, një rutinë që do duhet të përsëritet të paktën 1 muaj rregullisht në mënyrë që të bëhet shprehi automatike e mënyrë jetese. Megjithatë pas një farë kohe dhe rutina bëhet e mërzitshme, ndaj sygjerohet që ato të ndryshohen hap pas hapi duke krijuar mënyra të ndryshme sa më të larmishme.