Gjendja pa kokë e
energjisë shqiptare

Përtej shpresave për hidrocentrale të reja të vogla e të mëdha, problemet tona me energjinënë një të ardhme të afërt, duhet të përqëndrohen tek prodhuesi dhe shpërndarësi kryesor i saj, që janë të dy shtetërorë sot. E paraështë Korporata Elektrike Shqiptare (KESH), prodhuesja e 96 përqind të energjisë tek ne. I dyti është CEZ Shpërndarje Shqipëri, shitësi i kësaj energjie dhe i energjisë së blerë nga jashtë po nga KESH. KESH, nëse do të arrinte ta shiste të gjithë energjinë që prodhon, duhej të kishte një treg vjetor mbi 450 milionë euro.

Në fakt, kompania arkëton shumë më pak, diçka rreth 180 milionë euro mesatarisht në vit. Pjesën tjetër e përbëjnë humbjet në rrjet dhe vjedhjet masive të energjisë. Qeveria jonë u mburr se kishte realizuar një marrëveshje të mirë me çekët e “CEZ”, duke u paguar në tre vjet 95 milionë euro, kur ata në arbitrazhin ndërkombëtar kishin kërkuar 200 milionë euro. Duket sikur i kemi kursyer Arkës së Shtetit tonë 105 milionë euro. Mirëpo këto llogari janë bërë pa ditur bilancet e vërteta të “CEZ” Shpërndarje në Shqipëri, krijesës që lanë çekët në janar 2013, kur qeveria jonë e mëparshme u hoqi lejen e ushtrimit të veprimtarisë, si dhe të KESH.
Këto bilance na i jep Kontrolli i Lartë i Shtetit(KLSH).

Në një njoftim për shtyp të tij të dy ditëve më parë,  KLSH thotë se gjatë auditimit të KESH, ka gjetur se CEZ Shpërndarje i ka KESH një borxh prej 500 milionë dollarësh. Pra, qeveria jonë “u bleu” çekëve një kompani (CEZ Shpërndarje) për 95 milionë euro, ndërkohë që kjo kompani i kishte borxh një kompania tjetër po shtetërore shqiptare(KESH) 373 milionë euro, ose 500 milionë dollarë! 

Përveç borxheve që i ka CEZ Shpërndarje KESH-it tonë, janë edhe 400 milionë dollarëtë tjerë energji e paarkëtuar nga KESH, përpara vitit 2006 (deri në këtë vit, KESH përfshinte në organizimin e tij si filialin shitës, ashtu dhe atë shpërndarës). Brënda dy vitesh, në vitin 2016, këto borxhe nuk mund të mblidhen më, pse parashkruhen juridikisht(kanë kaluar dhjetë vjet). Çfarë KESH mund të bëjë, është të marrë çmund të marrë gjatë këtyre dy viteve. Po a vallë i ka vënë ujët në zjarr kjo kompani shtetërore? Kemi dëgjuar për ndonjë plan të saj për të mbledhur diçka nga ky borxh kolosal? Asgjë. Po pse? Sepse gjithshka në KESH “piqet” në rrugë politike, njëlloj si në dy qeverisjet e mëparshme 1997-2006 dhe 2007-2013.

KLSH duket si i vetmi institucion i përgjegjshëm publik, që po e ngre zërin me kurajo, larg “omerta”-së(rënies dakord, pajtimit politik mbi kurriz të qytetarit. Publiku, qytetari shqiptar po merr vesh shumë pak, në mos asfare nga menaxhimi financiar skandaloz i një prej kompanive më të mëdha të vendit. Me 900 milionë dollarë(borxhi i CEZ dhe borxhi i klientëve të ndryshëm, biznese dhe familjarë i përpara vitit 2006) që pothuajse nuk ka asnjë shpresë për t’i marrë, KESH-i ynë do të lundrojë në anonimatin e papërgjegjshmërisë financiare, të mbuluar plotësisht nga politika.

“CEZ Shpërndarje” që tani është 100 përqind shtetërore, shqiptare dhe ka edhe njëemër të ri (me inicialet “OEE”) do të bëjë sikur ul pak vjedhjet në rrjet, duke rritur arkëtimet, për të prodhuar dukjen false se po menaxhohet mirë. As që ka ndërmend të përgatisë një plan se si dhe kur do t’ia shlyejë KESH-it borxhin gjysmë miliardë dollarë. Madje as edhe që ia ka njohur zyrtarisht. Kurse KESH, për interesat politike, do ta mbyllë gojën dhe nuk do ta bëjë publike, nuk do t’ia kërkojë me forcë këtë borxh OEE-së. Kur ka të gjitha të drejtat edhe ta hedhë në gjyq këtë kompani po shtetërore, pse i disponon të gjitha faturat e dhënies së energjisë. Gjithshka do të mbyllet mes pajtimit me interesin politik të partive në qeverisje.

Kjo nuk është as e ndershme, as transparente dhe as nuk i shërben qytetarit shqiptar. Jo më kot Banka Botërore këmbëngul për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Qeveria jonë ka bërë “të ndjeshmen” ndaj varfërisë së popullatës dhe nuk ia ka dëgjuar deri tani veshin. Por do të vijë dita që të jetë e detyruar ta dëgjojë dhe të rrisë ose taksat, ose çmimin e energjisë elektrike për kilovat/orë, për të mos falimentuar KESH-in e zhytur në borxhe kolosale. Kjo është realisht një gjendje “pa kokë” e energjisë shqiptare. Nëse kjo qeveri që kemi sot i kërkon vetes të jetë e përgjegjshme, duhet të bëjë menjëherë publike bilancet e kompanive OEE dhe KESH, si dhe t’i thotë qytetarit çka ndërmend të bëjë për të shëndoshur gjendjen e tyre gati katastrofike financiare.    


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 6 Gusht 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Efektivi bie nga lartësia e pallatit në Tiranë, dërgohet te Trauma! Nuk dihen shkaqet

Efektivi bie nga lartësia e pallatit në Tiranë, dërgohet te Trauma! Nuk dihen shkaqet