Ka rënë kupola e Ushtrisë Shqiptare. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka dekretuar dje një sërë shkarkimesh e emërimesh në kupolën e Ushtrisë Shqiptare. Pas dorëheqjes dhe shkarkimeve të shumë drejtorëve dhe zëvendësdrejtorësh, Presidenti dje i dha fund ndryshimeve të reja në ushtri. Pas skandalit të publikuar nga gazeta "Shqiptarja.com" për implikimin e bashkëshortes së Ylli Zylajt në tregëtinë e paligjshme të armëve, një varg shkarkimesh apo të cilësuara shpeshherë dhe dorëheqje ndodhën në strukturat që varen nga ministria e Mbrojtjes. Edhe dje, Presidenti Nishani bëri të njëjtën gjë, liroi edhe emëroi ushtarakë të gradave të larta në ushtri. Brenda pak muajve ndryshuan drejtuesit e lartë të ushtrisë shqiptare.

REAGON LALA
Komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes Agim Lala ka dalë në lirim nëpërmjet propozimit të ministrit të Mbrojtjes Arben Imami dhe me dekret të Presidentit Bujar Nishani. I telefonuar nga gazeta "Shqiptarja.com", Lala e ka cilësuar këtë lirim si një shpërblim të dhënë nga Presidenti Nishani dhe ministri Imami. "Ky ishte një shpërblim që më dhanë. Dola i pafajshëm në gjyqin e Gërdecit, tani si shpërblim më liruan nga detyra", deklaroi Agim Lala, i cili në kohën kur është hapur gjyqi për ngjarjen e Gërdecit ka mbajtur postin e zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm. Por dhe pas shkrirjes së Shkollës së Trupës në Tiranë, dhe vendosjes së saj në Vlorë duket sikur Lalës i kanë bërë vërtetë një "nder".

LIRIMET DHE EMERIMET

Presidenti Nishani ka dekretuar lirim nga detyra Gjeneral Brigade Jeronim Rasim Bazo. "Lirohet nga detyra e Drejtorit të Drejtorisë së Planifikimit të Mbrojtjes, në Shtabin e Përgjithshëm të FA", thuhet në faqen e Presidencës. Vargut të lirimeve i bashkohet edhe Gjeneral Brigade Qemal Demçe Shkurti, i cili mbante detyrën e Shefit të Kabinetit të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FS dhe emërohet Komandat i Flotës Detare. Po ashtu është liruar nga detyra dhe Gjeneral Brigade Syrja Selim Gjoka, i cili mbante detyrën e Komandantit të Batalionit të Policisë Ushtarake të FS dhe emërohet Komandant i Brigadës Logjistike. Ndërsa Gjeneral Brigade Bardhyl Veli Hoxha, lirohet nga detyra e Komandantit të Brigadës Logjistike. Ndërsa Gjenerali Agim Lala është liruar nga detyra e Komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes dhe ka dalë në lirim, dhe në vend të tij emërohet Gjeneral Brigade Bardhyl Veli Hoxha. Gjeneral Major Zyber Fasli Dushku, është liruar nga detyra e Zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA dhe është emëruar Komandanti i Forcës Tokësore. Një tjetër dekret i Presidentit Nishani është edhe lirimi i Gjeneralit Major Viktor Daut Berdo, nga detyra e Komandantit të Forcës Tokësore dhe emërimi i tij si Zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të FA.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)