Shqipëria mund të jetë brenda rrezes së veprimit të raketave iraniane nëse konflikti në Lindjen e Mesme zgjerohet drejt Europës, por sipas gjeneralit Dede Prengës, rreziku që një raketë e nisur nga Irani të arrijë realisht deri në territorin shqiptar është shumë i vogël sepse vendi ynë është i mbrojtur nga NATO.
I ftuar në emisionin “Bota Report” në Report TV, ish-zv/shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë shpjegoi dinamikën e kontrollit dhe vëzhgimit të hapësirës ajrore të Shqipërisë nga NATO.
“Qiejt shqiptarë janë në një marrëveshje me vendet e NATO-s. Duke mos patur kapacitetet e nevojshme për të realizuar një kontroll dhe siguri të hapësirës ajrore bëhet me sistem rotacioni mes dy bazave të NATO-s , Baza e Avianos në Itali që mban përgjegjësi për kontrollin dhe vëzhgimin e hapësirës ajrore të Shqipërisë dhe më pas baza e NATO-s në Larisa. Janë më të afërta dhe kanë kapacitetet e nevojshme. Ata kanë detyrimin për të vëzhguar, raportuar e dërguar çdo informacion që çdo hallkë të përmbushë detyrimet e veta në rast se ndodh një sulm i tillë “ tha ai.
Sipas Prengës, një raketë e lëshuar nga Irani identifikohet që në momentin që del nga territori iranian. Sistemi i mbrojtjes së NATO-s përdor radarë, avionë AVACS që patrullojnë vazhdimisht në ajër dhe një rrjet të përbashkët alarmi që aktivizohet menjëherë.
“Masat e NATO-s për mbrojtjen ajrore dhe vëzhgimin e hapësirës ajrore janë organizuar në mënyrë perfektE. Detyrimisht mënyra e reagimit është e menjëhershme. Në momentin që raketa del nga shtrati i saj brenda Iranit, nga momenti i lëshimit është e interceptuar nëpërmjet sistemit të vëzhgimit të hapësirës ajrore, ku përfshihen radarët, avionët AVAX që janë gjithë kohës në ajër, dhe menjëherë në sistemin bashkëpunues të njoftimeve vihet në gatishmëri çdo gjë. Është e pamundur që, raketa të kalojë disa vende anëtare të NATO-s që kanë kapacitetet e nevojshme për ta interceptuar dhe asgjësuar dhe të vijë tek ne, pra rreziku do të ishte minimal. Edhe sikur të ketë një kapacitet të madh të adresuar vetëm për Shqipërinë kjo nuk ndodh" tha ai.
Megjithatë, gjenerali theksoi se Shqipëria mbetet e ekspozuar politikisht për shkak të qëndrimit të saj në krah të SHBA dhe Izraelit, si dhe për shkak të prishjes së marrëdhënieve diplomatike me Iranin dhe pranisë së muxhahedinëve në vend.
"Shkëputja e marrëdhënieve diplomatike dhe muhaxhedinët na bën të ekspozuar. Qëndrimet e mbajtura deri më tani tregon që Shqipëria mbështet SHBA dhe Izraelin, pra jemi të ekspozuar por nuk besoj se jemi objekt i parë dhe kaq i rëndësishëm për Iranin” tha ai.
Ai insistoi se edhe pse NATO nuk është përfshirë drejtpërdrejt në sulme kundër Iranit, aleanca është e angazhuar fort në aspektin e mbrojtjes ajrore, zbulimit dhe masave parandaluese.
Sa i përket kapaciteteve të Shqipërisë, Prenga pranoi se vendi nuk ka ende një sistem të plotë të mbrojtjes kundërajrore dhe është në proces modernizimi. Një radar në veri të vendit është vendosur me kontribut të përbashkët të qeverisë shqiptare dhe NATO-s, ndërsa investimet e tjera janë pjesë e planeve afatgjata.
“Tani për tani është faza e modernizimit dhe pajisjes me mjetet e nevojshme. Ne kemi radarin në veri të vendit që është vendosur me kontributin e qeverisë shqiptare dhe të NATOs . Përsa kohë jemi pjesë e aleancës duhet t'i bëjmë investimet në raport me atë çfarë ata na sigurojnë dhe ne bëhemi pjesë e tyre për të siguruar fqinjët. Kapacitet që duhet të sigurojmë, ka vend për tu diskutuar dhe janë planifikuar për tu investuar aq sa kemi mundësi, por këto janë plane afatgjata zhvillimi. Gjithsesi ne si vend i vogël gjithçka e orientojmë nga pjesa e NATO-s”, tha ai.
Sa i përket luftës, eksperti mendon se fundi i marsit apo mesi i prillit do të sjellë uljen e palëve në tryezën e bisedimit dhe do të mundësojë nënshkrimin e një marrëveshjeje
Komente









