GJEORGJI- Gjatë ditës se dielë, gjeorgjianët i janë drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur presidentin e ri.

Qendrat e votimit u hapën në orën 8 të mëngjesit.

Në garë për këtë post janë 23 kandidatë, por kandidati kryesor sipas exit poll-eve të së dielës, është filozofi 44 vjeçar Georgy Margvelashvili.

Tre kandidatët kryesorë, Georgy Margvelashvili, David Bakradze, Nino Burjanadze dhe kryeministri Bidzina Ivanishvili kanë hedhur votën e tyre.

Kandidati kryesor Margvelashvili, i cili votoi së bashku me vajzën e tij, tha se kishte votuar për një të ardhme më të mirë për vendin e tij. Ai shtoi se kjo ishte hera e parë që vazja e tij votonte, prandaj iu drejtuan së bashku kutive të votimit.

Kandidati tjetër, David Bakradze, është anëtar i partisë së presidentit në ikje Mikheil Saakashvili. Pas votimit ai foli përpara gazetarëve duke thënë se partia e tij kishte një vizion perëndimor dhe demokratik.

Në garë gjithashtu është Nino Burjanadze e cila drejtoi Revolucionin e Trëndafilit në vitin 2003, revolucion i cili solli në pushtet Saakashvili-n. Ajo shprehu dëshirën për të rikrijuar lidhjet me Moskën dhe u tha gazetarëve se ishte shumë e sigurtë në fitoren e saj pasi votoi.

Votimet do të mbyllen në orën 8 të darkës në Gjeorgji dhe më shumë se 3.5 milionë persona kanë të drejtën të marrin pjesë në to.

Redaksia Online
(e.d/e.s/shqiptarja.com)