Gjergj Begaj: Tokat bujqësore, si merren me qira nga shteti

Gjergj Begaj: Tokat bujqësore, si merren me qira nga shteti

Eksperti Gjergj Begaj në Report Tv

Si çdo javë eksperti Gjergj Begaj ka sqaruar qytetarët shqiptarë mbi problematikat e pronave, në studion e emisionit “Këndi i Ekspertit” në Report Tv, nën drejtimin e gazetares Valbona Mhilli. Në këtë emision eksperti Begaj është përqëndruar tek problematikat që lidhen me tokat bujqësore. Ai ka sqaruar se si mund të merren me qira tokat shtetërore bujqësore, por edhe shumë probleme që kanë ngritur qytetarët me anë të telefonatave që kanë të bëjnë me ligjin 7501.

Sot do të flasim për tokat bujqësore të cilat jepen me qira në pronësi të shtetit.
Kemi folur shumë për tema në lidhje me çështjet e pronësive dhe sidomos për ligjin 7501. Një temë shumë e diskutuar është edhe dhënia me qira e tokës bujqësore në pronësi të shtetit. Çfarë duhet të kuptojmë me këtë. Jo vetëm privati ka tokë bujqësore të marrë sipas ligjit 7501, por edhe shteti është pronar i një sipërfaqeje të konsiderueshme të tokës bujqësore që administrohet nga Ministria e Bujqësisë. Në tokat bujqësore në pronësi të shtetit, sidomos fermat që u ndanë në vitin 1992, një pjesë e tokave u refuzuan nga banorët dhe këto u rikthyen në pronësi të shtetit, plus edhe tepricat që ka pasur shteti në inventarët e vet.

Për këtë, vit pas viti janë bërë amendamente për të përmirësuar ligjin për dhënien e tokës bujqësore me qira gjithmonë në zhvillim të bujqësisë. Në vitin 1998 është miratuar edhe ligji nr. 9318, ku janë shpjeguar kriteret e dhënies së tokës me qira dhe kush e merr me qira. Të gjithë personat fizikë dhe juridikë që kanë pasur projekte në drejtim të bujqësisë kanë pasur dhe kanë të drejtën për të marrë me qira toka bujqësore nga shteti. Kjo varet nga periudha dhe nga kultura që do të zhvillojë. D.m.th. mund të jepet për 10 vjet, për 30 vjet, për 60 vjet. Kjo e fundit, pra për 60 vjet, normalisht që jepet me ligje dhe nene të veçanta dhe informacioni duhet të merret pranë Ministrisë së Bujqësisë, për të gjithë fermerët që mbjellin dru frutorë, të cilët kanë një jetëgjatësi më tepër se bimët bujqësore.

Unë jam nga fshati Ferkaj i rrethit të Fierit. Jam pa tokë bujqësore nga ligji 7501. Kam shkuar në të gjitha institucionet përkatëse dhe nuk gjej mundësinë që të pajisem edhe unë me tokë, megjithëse të gjitha këto institucione më kanë pajisur me dokumentacionin e duhur që unë dhe familja ime nuk zotërojmë tokë bujqësore. Më sugjerojnë që t’i drejtohem gjykatës.
Më habit fakti që zotëria ka mbetur pa tokë sepse ligji ka qenë i barabartë për të gjithë banorët të cilët kanë qenë që para vitit 1991 në këto zona. Shprehimisht në ligj thuhet që të gjithë banorët që kanë banuar në fshatrat përkatës, pajisen me tokë, sepse lista është bërë për të gjithë banorët që kanë jetuar në fshat. Më habit fakti se si ka mbetur ky zotëri jashtë ligjit, pa u furnizuar me tokë. Ndoshta për shkak të komisioneve që kanë punuar në atë kohë ose mund ta ketë refuzuar edhe vetë në atë kohë, pasi ka pasur raste të tilla që fshatarët vetë kanë refuzuar marrjen e tokës në pronësi, për shkak se në atë kohë mund të kenë qenë të punësuar në punë shtetërore ose për të përfituar asistencë.

Tani në rastin konkret zotëria nuk ka marrë në pronësi asnjë pëllëmbë tokë ose ndryshe, nuk është pajisur me aktin e marrjes së tokës në pronësi. Ai duhet të drejtohet edhe një herë pranë Bashkisë së Fierit dhe qendrës administrative ku banon. Të gjitha atributet tani i kanë marrë bashkitë dhe qendrat administrative. Ato duhet të ndjekin këtë problem. Në qoftë se nuk gjen zgjidhje në bashki dhe në qendrën administrative, atëherë duhet të shkojë drejt gjykatës që ta kërkojë zgjidhjen në rrugë gjyqësore. Por unë e këshilloj që të provojë edhe një herë përpjekjet në qendrën administrative dhe në Bashkinë e Fierit.

Telefonoj nga një fshat i ish-komunës Kashar. Në vitin 1991 komisioni i tokave bëri matjen e tokave sipas ligjit 7501. Mirëpo jo të gjitha parcelat e tokave janë matur. Ka pjesë parcelash e toke të pamatura, të paregjistruara. Si veprohet në të tilla raste?
Për shkak të punës sime, unë i njoh këto territore. Shqetësimi i zotërisë është i drejtë. Zona e Kasharit deri më sot nuk ka një hartë digjitale të unifikuar, por akoma punohet me hartat e vjetra të shkallës 1:2500 për tokat bujqësore. Por, njëkohësisht edhe për trojet vazhdon puna po me hartat e vjetra të shkallës 1:2500. Është për të ardhur keq që një komunë kaq afër Tiranës, tashmë është bërë edhe pjesë e Tiranës, ka mbetur kaq prapa. Këto janë problemet e ish-pushteteve të mëparshme që nuk janë angazhuar aspak për të prodhuar harta digjitale, megjithëse ka pasur edhe fonde të caktuara për t’i bërë këto harta.

Tani, në rastin konkret, unë thashë që i njoh këto territore dhe e di që ka pjesë të pa azhurnuara. Banorët atje kanë marrë pasuritë me numër tapie, por nuk e kanë parcelën të azhurnuar. Në momentin kur shkohet për të bërë një plan rilevimi, as vetë fshatari nuk e di, por edhe tokën nuk e gjen dot sepse është parcelë e pandarë në parcela të vogla, që të përcaktohet saktë. Atëherë zotërisë i këshilloj që normalisht duhet të presë azhurnimin dhe futjen në sistem të tokave të zonës rreth Kasharit, si në kodra ashtu edhe në zonat fushore, dhe pastaj të vazhdojë regjistrimin sipas AMTP-së që ka, pranë qendrës administrative Kashar.

Unë kam dorëzuar dokumentacionin për legalizimin e shtëpisë. Toka është në pronësi të prindërve të mi. Si duhet të veproj që shtëpia të legalizohet dhe të jetë pronë në emrin tim?
Pra qytetari ndodhet në kushtet kur dokumentet e legalizimit të shtëpisë i ka dorëzuar me emrin e vet, por trualli ku është ndërtuar banesa është në emër të prindërve. Atëherë, prindërit e tij duhet t’ia kalojnë truallin në pronësi të tij ose me akt-dhurimi ose me akt shit-blerje, që zotëria të bëhet edhe pronar edhe i truallit. Pastaj normalisht i lind e drejta që bashkë me kartelën dhe dokumentet e tjera të shtëpisë i dorëzon pranë ALUIZNI-t dhe brenda një kohe të shkurtër besoj se realizohet legalizimi i banesës së tij, sepse bëhet edhe pronar i truallit edhe pronar i ndërtesës. Por më parë, patjetër zotëria dhe prindërit e tij duhet të shkojnë pranë një zyre noteriale, ku prindërit duhet ta kalojnë truallin në pronësi të djalit të tyre.

Jam banor i fshatit Drenovë të Mallakastrës. Me ligjin 7501 nuk jam trajtuar me tokë bujqësore. Në institucionet përkatëse më thonë që nuk e kam pasur e nuk e kam emrin në listë dhe për këtë duhet t’i drejtohem gjykatës. Gjyqet sot janë pa fund. Në atë kohë në familje isha unë dhe gruaja ime. Unë kam punuar në shtet kurse gruaja ishte në fshat, punonte në kooperativë. Si duhet të veproj?
Zotëria ka një problem sepse banorët që në atë kohë kanë qenë punonjës në shtet, një pjesë e tyre janë lënë në harresë nga komisionet që kanë vepruar në atë kohë për ndarjen e tokave. Në fakt, këta banorë punën e kanë pasur në qytet, por kanë jetuar në fshat. Edhe banorët vetë në shumë raste janë treguar neglizhentë. Zotërisë në fakt i takon gjysma e normës së sipërfaqes së tokës për frymë. Ndërsa bashkëshortes së tij i takon e plotë sepse ka qenë punonjëse e kooperativës bujqësore.

Meqenëse ai s’është pajisur fare me tokë, ai duhet t’i drejtohet fillimisht qendrës administrative sepse tani është atribut i qendrave administrative që, nëse ka hapësira dhe toka të pazëna, normalisht që ligji ngarkon bashkinë e Mallakastrës, pra aty ku banon zotëria, që të bëjë përpjekje për ta pajisur zotërinë me një akt të marrjes së tokës në pronësi. Gjithnjë në qoftë se ka hapësira. Por nëse s’ka hapësira edhe gjykata nuk ka se çfarë të kërkojë. Zotëria mund t’i drejtohet gjykatës, por kjo shihet gjithnjë nëse ka hapësira të lira të sipërfaqes së tokë.

Flas nga rrethi i Vlorës. Unë kam dërguar dokumentet tek ALUIZNI për legalizimin e banesës. Trualli është pronësi e familjes, i trashëguar nga babai. Por problemi është se i gjithë fshati është pa certifikata pronësie, trojet janë të paregjistruara. Të gjitha pagesat e kërkuara nga ALUIZNI i kam bërë, të gjitha detyrimet ndaj shtetit i kam shlyer. Përgjigjja që na ka ardhur është që legalizimet do të bëhen kur të bëhet azhurnimi i tokave të fshatit.
Problemi ka një zgjidhje. ALUIZNI e ka thjeshtuar çështjen e regjistrimit edhe në këto kushte kur tokat nuk janë të regjistruara. Fillimisht bën azhurnimin me hartën e vet, me fotot që ka. Derisa të zgjidhet problemi i truallit, i jep të drejtën hipotekës që të bëjë regjistrimin e banesave, d.m.th. leja e legalizimit aprovohet dhe shënohet në kartelë që derisa të rregullohen marrëdhëniet me truallin, zotëria nuk ka të drejtë të veprojë me këtë certifikatë dhe me këtë kartelë.

Por, normalisht zotëria garantohet që merr një certifikatë për ndërtesën. Pra, zotëria duhet të shkojë pranë ALUIZNI-t dhe të vazhdojë procedurën sepse çështja e regjistrimit të tokave mund të vonojë pak. Strukturat e shtetit po punojnë për ta sqaruar këtë problem dhe është detyra e tyre për të bërë azhurnimin deri në certifikimin e plotë. Kështu që zotëria dhe banorët e tjerë duhet që të marrin së pari tek ALUIZNI dokumentet e certifikuara për banesat e tyre, derisa të zgjidhet problemi i regjistrimit të truallit.

* Për qytetarët që kanë probleme pronësie, drejtohuni pranë Studio Ligjore “Bylis”, përballë Hipotekës në Tiranë, Rruga “Panorama”. Kontaktoni edhe në numrin e celularit 0694093431

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

​Rusia i pezullon gazin, reagon Moldavia: Putin po e përdor energjinë si armë

​Rusia i pezullon gazin, reagon Moldavia: Putin po e përdor energjinë si armë