/ATSH/-Kryetari i PLK-së, Gjergj Dedaj i ka kërkuar një takim urgjent ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së për çështjen e liberalizimit të vizave dhe ndaljes së migrimit ilegal të qytetarëve të Kosovës.
Kështu thuhet në një komunikatë për media të dërguar nga kjo parti.
Kjo pasi Dedaj u prit në takim nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane i Belgjikës, Didier Reynders.
Në komunikatë thuhet se Dedaj e njoftoi kryediplomatin e Belgjikës me zhvillimet politike në Kosovë me theks të veçantë me problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët e Kosovës si papunësia, varfëria, kriza ekonomike dhe sociale, të cilat kanë frustruar, sipas tij, popullin e Kosovës, të cilët kohëve të fundit kanë filluar migrimin masovik ilegal, i cili duhet të parandalohet në koordinim mes institucioneve vendore dhe atyre evropiane e ndërkombëtare.
"Dedaj kërkoi të thirret një takim urgjent i Ministrave të Jashtëm të vendeve të BE por edhe i Parlamentit Evropian dhe i Këshillit të Evropës për të diskutuar çështjen e liberalizimit të vizave dhe perspektives Evropiane të Kosovës me theks të veçantë parandalimin e migrimit ilegal të qytetarëve të Kosovës drejtë vendeve të BE", thuhet në komunikatë.
Komunikata vazhdon duke thënë se nga ana e tij kryediplomati i Belgjikës, Didier Reynders theksoi se Belgjika nuk do të ndalet në mbështetjen e reformave demokratike pluraliste në Kosovë por duhet njëkohësisht edhe faktorët vendore të bëjnë angazhimet e duhura në arritjen e reformave ligjore, demokratike dhe të ambicieve drejtë integrimit dhe perspektivës Evropiane të Kosovës. /kosovapress/