Gjergj Frashëri: Ka dy tregje
të zeza për ikonat në Shqipëri

Gjergj Frashëri: Ka dy tregje<br />të zeza për ikonat në Shqipëri
TIRANE- Eksperti i trashëgimisë rrëfen sesi kanë nisur trafiku me grabitjen spektakolare të Ikonostasit të Kishës së Shën Pjetrit dhe Pavlit në Vithkuq nga drejtori i IMK-së ‘91-’92 dhe si bien në duar të koleksionistëve e trafikantëve ikonat dhe afresket e grabitura në kishat e Shqipërisë?

“Kapitulli i zi i historisë së trashëgimisë kulturore të Shqipërisë, “filloi qysh “me grabitjen spektakolare të Ikonostasit të Kishës së Shën Pjetrit dhe Pavlit në Vithkuq nga vetë drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës (IMK) në vitet 1991-‘92”, thotë Gjergj Frashëri duke rrëfyer shkaqet për zhveshjen e kishave nga ikonat. E intervistojmë ekspertin e trashëgimisë për të ditur më shumë se në cilat inventarë dhe lista rezultojnë 223 ikonat më të rëndësishme të vjedhura nga 1077 veprat e artit të sekuestruara gjatë operacionit për kapjen e trafikantëve dy ditë më parë në Tiranë. Si tregtohen ikonat dhe ikonostaset nga koleksionistët në Shqipëri, si filluan grabitjet dhe si ranë në duar të koleksionistëve. Ndërkohë që mësojmë se deri në pranverën e 1990 kanë qenë mbi 12.000 ikona të inventarizuara nga Instituti i Monumenteve, Gjergj Frashëri na bën një përshkrim të gjithë faktorëve që sollën dramën e shkatërrimit të Monumenteve të Kulturës dhe veprave të artit të trashëgimisë kulturore.

Profesor Gjergji, nga ngjarjet e dy ditëve të fundit mësuam se janë sekuestruar nga Policia e Tiranës një numër i madh veprash të artit historik nga mbarë territori i vendit. Sa mund të jetë dimensioni i vjedhjeve të këtyre veprave?

-Grabitjet, vjedhjet dhe trafikimi i veprave të artit historik, të lëvizshme si ikonat, ikonostaset, objektet e veprave të aplikuara në metale të kishave, etj. përbëjnë tashmë një kapitull të Zi të historisë së trashëgimisë kulturore të Shqipërisë, i cili filloi qysh me grabitjen spektakolare të Ikonostasit të Kishës së Shën Pjetrit dhe Pavlit në Vithkuq nga vetë drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës (IMK) në vitet 1991-‘92. Sipas dokumenteve që ruaj, më 1989 kanë qenë të ruajtura më së miri rreth 55 ikonostase në kishat e Shqipërisë.

Sipas gjurmimeve të mia në tre vjetët e fundit, konstatoj se rreth 40 prej këtyre ikonostaseve janë zhdukur. Përgjegjës për të gjitha këto vepra kriminale të papara në Evropë është MTKRS-ja dhe IMK-ja. Vazhdimisht kam njoftuar në shtyp e media grabitjen e veprave të historisë së artit nga segmente të ndryshme të këtij vendi. Në një media  tjetër pata kërkuar ndërgjegjësimin e drejtorit të IMK-së A. Baçe dhe mbrojtësit të tij qeveritar Z. N. Ceka, për paaftësinë e IMK-së dhe të Reformës së tyre për mbrojtjen e kishave dhe të ikonave të Shqipërisë. I pata sjellë si shembull rastin e vjedhjeve të 27 ikonave në kishën e fshatit Bularat të Gjirokastrës, që të merrja përgjigje, se çfarë përgjegjësie dhe garancie ka IMK-ja për mbrojtjen e ikonave  në të ardhmen.

Por mjerisht dëgjuam përgjigjen e përçudnuar të drejtorit të IMK-së zotit A. Baçe,  se ai kishte kërkuar, që jo vetëm ikonat t’i marrë Kisha Orthodokse, por edhe vetë kishat e Shqipërisë me pikturën e tyre. Atëherë iu drejtova MTKRS-së duke denoncuar papërgjegjshmërinë e drejtorit të IMK-së ndaj pasurisë kishtare. Nuk morëm kurrë përgjigje për fatin e 27 ikonave të vjedhura të Kishës në fshatin Bularat të Gjirokastrës.

I kujtova atëherë MTKRS-së, se deri në pranverën e 1990 kanë qenë mbi 12.000 ikona të inventarizuara nga IMK, dhe se, ruajtja e tyre është një detyrim ligjor i këtyre institucioneve, përveçse moral e patriotik. Kisha duhet të kujdeset për ato, në rolin e kujdestarit, por jo të bëhet pronar i ikonave. Për rrjedhim i tërhoqa vëmendjen MTKRS-së të bënte inventarizimin e ri të ikonave në të gjithë Republikën, për të parë çfarë mungon dhe çfarë nuk mungon. Kjo nuk është bërë deri sot. Mendoj se kjo çështje dikasteriale duhet të administrohet nga një Komision Shpëtimi të Ikonave dhe të jetë një hap në drejtim të Reformës që kemi propozuar. 
 
Ka një treg të zi të shitblerjes së veprave të trashëgimisë, mund të na thoni diçka rreth tij?

-Ka dy tregje të zeza. I pari treg i zi buron nga shkelja direkt e zbatimit të ligjës dhe rregulloreve brenda Republikës, pra është tregu i brendshëm. Në qoftë se një kishë nuk ruhet nga institucioni përgjegjës shtetëror, qytetari e vëren këtë dhe e ka të mundshme të vjedhë një ikonë nga ajo kishë. Po ashtu, në se nëntoka arkeologjike do të gërmohet gjatë natës p.sh. në Durrës, për të hapur gropën 8 m thellë të themeleve dhe gjithë substanca arkeologjike do të hidhet në fushat e Shkozetit, me siguri që pa gdhirë do të jenë disa qytetarë me kazma e mistri duke mbledhur objekte arkeologjike të paçmueshme nga këto të ashtuquajturat Plehra Arkeologjike.

Këto objekte të grabitura në këtë mënyrë apo në një tjetër, shiten brenda vendit, në persona që ushtrojnë ilegalisht këtë lloj  biznesi. Në këtë mes të gjitha palët e kanë të vështirë të tregojnë origjinën e këtyre veprave, pra të marrin guximin që t’i regjistrojnë ato në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të pasurisë Kombëtare, sepse aty kur mbushet kartela (pasaporta) e objektit, kërkohet të deklarohet origjina, nga vjen objekti.

Kati i dytë i tregut të zi është trafikimi, pra transportimi dhe shitja e tyre në një destinacion dhe nga duar që nuk kanë lidhje me origjinën ku është vjedhur apo grabitur vepra. Vendi më i përshtatshëm dhe më i sigurt për të fshehur gjurmët, është trafikimi jashtë kufijve të vendit, pra tregu i jashtëm. Me këtë punë nuk merret një individ i vetmuar (i izoluar), por merren përfaqësues me kompetencë shtetërore për t’i nxjerrë jashtë kufijve. Një individ mund të marrë një monedhë, apo një objekt të vogël në valixhen e tij apo në makinën e tij për ta shitur, por jo më tepër. Sepse ai rrezikon nëpër doganat e huaja. Trafikimi realist bëhet nga segmentet shtetërore.

Cili individ mund të transportojë (trafikojë) thasë të tërë me drogë matanë kufirit. Asnjë individ! Kjo është punë e segmenteve shtetërore. Nga vendi ynë kanë dalë pareshtur objekte të çmueshme  të tilla dhe janë shitur për një çmim shumë –shumë të ulët jashtë vendit nëpër Evropë e më tej, si objekte pa origjinë autentike-dokumentare. P.sh. Gjithnjë sipas të dhënave të mia, vetëm në filialet e mbledhjes së monedhave në Gjermani janë shitur nga Shqipëria në dekadën e fundit mbi 2 milion monedha.
 
Si ekspert i trashëgimisë, jeni me siguri në dijeni të deklaratës së Kryeministrit mbi mbrojtjen e qyteteve muze të Gjirokastrës dhe të Beratit, etj...

-Natyrisht jam në dijeni,dhe më erdhi mirë që kryeministri i vendit shpalosi shqetësimin e tij për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, për të ndaluar procesin e dëmtimit, të shkatërrimit dhe të zhdukjes së saj në dy dekadat e fundit. Thirrja e tij filloi me dy qytetet muze, Berati dhe Gjirokastra dhe Kalanë e Krujës. Qytetet muze shpallen të tilla bashkë me Rregulloren për Ruajtjen e përjetshme të tyre, Mirëmbajtjen e vazhdueshme dhe Mbrojtjen e vlerave të saj. Por mjerisht, në tre vitet e fundit pjesa muzeore e Beratit dhe e Gjirokastrës janë bërë objekte të kritikës së ashpër të UNESCO-s ndaj qeverisë shqiptare për qeverisjen (menaxhimin) e keq të tyre në drejtim të dëmeve që po i shkaktojnë atyre ndërtimet pa leje dhe mungesa e kontrollit të ndërhyrjeve arkeologjike në rastet e zbatimit të restaurimeve të mëdha...

Po vendimi më i fundit  i KKT që shpall në mbrojtje 3 qytetet dhe ku kryeministri Rama ka deklaruar se nuk do lejohet asnjë ndërtim individual në Krujë, Gjirokastër dhe Berat a do të frenojë shkatërrimin?

-Kryeministri ka deklaruar se nuk do të lejojë asnjë lloj ndërtimi të ri, pra Ai, pas 22 vjetëve të fundit, është kryeministri që po sinjalizon se do të zbatojë ligjin dhe Rregulloret ekzistuese për mbrojtjen e tyre. Me siguri ai do të forcojë masën e ndëshkimit me vendim të ri. Nuk është lënë pa përmendur nga kryeministri mbrojtja e trashëgimisë historike të Vendvarrimit të Skënderbeut në Lezhë dhe e hapësirës arkeologjike të Kalasë së Lezhës dhe e rrethinës arkeologjike të saj, të cilat janë dëmtuar në mënyrë mizore nga ndërtimet e reja, që e kanë goditur në mënyrë antikulturore atmosferën turistike të vlerave historike të Lezhës të mirënjohura në sytë e interesit ndërkombëtar.

Është e njëjta vepër penale për nga karakteri i shkeljeve juridike, por në përmasa edhe më të stërmëdha, agresioni i pashembullt i ndërtimeve të reja mbi pasurinë arkeologjike “24 karatçe” të Durrësit, duke zgavruar gropa të mëdha ndërtimi për hedhjen e themeleve të pallate mbi Zonën A dhe zonën B, pa kryer asnjë lloj gërmimi dhe dokumentimi arkeologjik. Është koha për të gjykuar, shkaktarët e kësaj vepre penale të përmasave kombëtare me në krye MTKRS-në dhe dy fëmijët e saj, IMK-në dhe Këshillin Kombëtar të Arkeologjisë (KKA).

Profesor Gjergji, ju kini ngritur vazhdimisht zërin për mbrojtjen e nëntokës arkeologjike të Durrësit, ku edhe aty objektet bëhen pre e trafikut, e shihni si shans këtë situatë për mbrojtjen e këtij qyteti që është mbushur me ndërtime të reja?

-Ndërtimet në Durrës në zonën A dhe B duhet të ndalohen menjëherë, në mënyrë absolute. Nëntoka e këtyre dy zonave përmban një pasuri të nivelit të qytetit antik të Pompeit para Kr. dhe më tej të Romës në shek. 1 p.Kr. deri në shek. 2 e.s. Me sa kam pasur fuqi i kam denoncuar në tre vjetët e fundit, hapjen e gropave masive e të thella të ndërtimit në këto dy zona, për ndërtimin e pallateve pa kuptim. Durrësi ka vend dhe hapësirë sa të duash për ndërtime të reja, pa qenë nevoja për të zbrazur nëntokën arkeologjike të mbushur me tempuj ilirë, helenë e romakë, forume romake, bazilika gjigante bizantine me mozaikë përrallorë, etj,  dhe për t’i hedhur të gjitha këto xhevahire të kombit në plehrat Arkeologjike të Fushave të Shkozetit. Po kush të dëgjon? Popullsia është e histerizuar dhe qeveria e mëparshme e droguar për të zaptuar kudo prona, që nuk i takojnë. Ka lindur shpresa, se furia e kësaj turme të uritur, do të ndalet edhe përpara dëmeve të trashëgimisë.

Cilat janë për mendimin tuaj dëmet dhe rreziqet më të mëdha që po i kanosen trashëgimisë kulturore në vendin tonë aktualisht, p.sh. tani që flasim?

-Të gjitha sferat e trashëgimisë kulturore janë në rrezik të madh. Por më akutja nga të gjitha, vlerësoj se është dëmi që po i shkaktohet pasurisë kombëtare të nëntokës arkeologjike, nga ndërtimet e reja, nga gërmimet arkeologjike pa sens të ekspeditave të huaja arkeologjike në mbarë vendin me në krye Institutin Arkeologjik në Tiranë, që merr përsipër të kryejë gërmime pa pasur asnjë lloj mundësie financiare dhe logjistike për të ruajtur dhe konservuar substancën arkeologjike që del nga gërmimi, të cilat duhet të ndalohen pa kushte. Nuk ka gjë më urgjente për shpëtimin e trashëgimisë arkeologjike në Shqipëri, se sa ngritja e strukturave reformuese për kontrollin qeveritar dhe shtetëror në ndalimin e gërmimeve klandestine të përditshme dhe në trafikimin e veprave të artit dhe të objekteve arkeologjike brenda dhe jashtë vendit.

A ka mungesa ligji mbi Trashëgiminë kulturore, që t’i hapë rrugë vjedhjes së veprave të tilla?

-Ligji nuk ka asnjë mungesë për të dënuar një hajdut, që hyn në një kishë dhe vjedh një ikonë. Ligji nuk ka asnjë mungesë për të dënuar një qytetar kushdo qoftë vendas apo i huaj që të marrë një objekt nga nëntoka e këtij vendi dhe ta largojë jashtë kufijve pa një vendim të parashikuar nga ligji, e shumë raste të tjera. Në Shqipëri duket se mungon ligji, që kur një kishe me inventar në mbrojtje shtetërore i vidhet një ikonë, apo i prishet një afresk si në Kishën e Valshit, ministrit dhe drejtorit të IMK, përgjegjësve direkt për ruajtjen e këtyre veprave, nuk i hyn asgjë në këmbë, bile gradohen nga në pozicione më të larta, në vend që të shkarkohen për moskryerje detyre. Duhet të presësh zgjedhjet një herë në katër vjet, që të lindë një shpresë e re për ruajtjen e trashëgimisë së identitetit tonë kombëtar.
 
Shkrimi u publikua sot (11.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Media spanjolle ‘El Cronista’: Shqipëria, vizitoni plazhet parajsore të destinacionit mesdhetar me kosto të ulët

Media spanjolle ‘El Cronista’: Shqipëria, vizitoni plazhet parajsore të destinacionit mesdhetar me kosto të ulët