Cilat janë dokumentet dhe ku duhet të fokusohen qytetarët, në cilat institucione duhet të trokasin për të regjistruar pronën?
Fillimisht duhet të orientohen pranë hipotekave të atashuara në Tiranë dhe në të gjitha rrethet. Duhet të plotësojnë dokumentet për pronën që kanë, mund ta kenë në qytet ose fshat. Njerëzit që nuk gjejnë dot zgjidhje te këto institucione dhe përplasen me institucionet, mund të gjejnë zgjidhje edhe pranë studiove ligjore që janë të atashuara në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë.
Cilat janë dokumentet dhe çfarë duhet të kenë kujdes qytetarët? Çfarë duhet të kenë me vete në momentin që shkojnë te zyrat e regjistrimit të pronave? Duhet të janë të dyja palët?
Pjesa më e madhe e qytetarëve regjistrojnë apartamentet, njësitë dhe pronat e tjera që disponojnë. Për apartamentet duhet të disponojnë kontratën e shit-blerjes, ato që janë blerë në periudhën 1991-1992 të privatizuara, plan-vendosjen, certifikatën familjare të vitit 1991.
Në qoftë se një familja në atë kohë është përbërë nga burri dhe gruaja, që kanë qenë të regjistruar në kontratë, ose duhet të jenë të dy ose njëri duhet t’i bëjë prokurë bashkëshortit tjetër, për të bërë regjistrimin. Ka raste që në plan-vendosjet e vjetra, që nuk kanë zonë kadastrale të atashuar sepse kështu janë përpiluar dokumentet, mund të drejtohen pranë një studioje topografike që të bëjnë një plan-rilevimi ku përcaktohet zona kadastrale, numri i pasurisë dhe hipoteka e ka më të lehtë për të bërë punën e saj dhe për t’i dhënë shërbim më të shpejtë qytetarit.
Për sa i përket fshatit, në pjesën më të madhe regjistrojnë pronat me Ligjin nr. 7501. Për ata që i kanë pronat në fshat, procedura tani është lehtësuar. Me ndarjen e re administrative, këtë gjë e mundëson qendra administrative në bashkëpunim me bashkitë qendrore, duke e koordinuar punën me hipotekën. D.m.th. qytetari paraqitet pranë qendrës administrative me dokumentet që ka, d.m.th. duke pasur certifikatën familjare, aktin e marrjes së tokës në pronësi, planet e rilevimit që duhet t’i bëjë ose nga studio private ose nga bashkitë, të cilat kanë marrë përsipër të realizojnë një pjesë të tyre. Pastaj procedurën me hipotekën e ndjek bashkia.
Banoj në rrethinat e qytetit të Shkodrës. Kam 3 vjet që në zyrën e hipotekës së Shkodrës më thonë që mungon formulari nr. 001 për trojet e shtëpive. Jemi banorë këtu që nga viti 1932. Ne nuk kemi tapi shtëpie. Dhe certifikatën e pronësisë nuk na e japin prej 3 vjetësh.
Zotëri, e keni aktin e marrjes së tokës në pronësi?
Po, e kam aktin e marrjes së tokës në pronësi.
Në një nga kolonat a është shënuar sipërfaqja e tokës?
Është e regjistruar.
Shqetësimi i qytetarit është i drejtë. Kur janë plotësuar titujt e pronësive për Ligjin nr. 7501 që ka hyrë në fuqi më 07.07.1991, normalisht që ka pasur edhe mungesë informacioni, por edhe personeli që është marrë me çështjen e plotësimit të dokumentacionit nuk e ka pasur cilësinë e duhur dhe nuk e ka bërë të plotë plotësimin e dokumentacionit. Si specialistë në atë kohë nuk e kanë pasur përvojën e duhur. Kanë lënë mangësi. Një nga dokumentacionet që duhet të plotësohet për marrjen e certifikatës për truallin, duhet të ketë edhe emrin në listën e trojeve.
Kjo ka qenë detyrë e pushtetit vendor në fshat ose në komunën ku zotëria ka banuar, që duhej të përpilonte listën e trojeve. Në Tiranë, në pjesën më të madhe të zonave të fshatrave gjendet lista e trojeve të përpiluara. Por zotëria ka një favor se ka aktin e marrjes së tokës në pronësi dhe për të gjetur zgjidhje, ai duhet të drejtohet në Bashkinë e Shkodrës, ose në qendrën e tij administrative dhe pastaj e ndjek kjo qendër çështjen.
Zotëria duhet të ketë aktin e marrjes së pronës që të vërtetojë që ka qenë banor atje dhe ka marrë tokë bujqësore dhe i mungon pjesa e truallit te formulari 1. D.m.th. është formulari 1 dhe formulari 6 për tokat bujqësore, por në këtë rast zotërisë i mungon formulari 1. Qendra administrative ka për detyrë ta përcjellë në bashki dhe qytetari duhet të pajiset me dokumentacionin përkatës për të marrë certifikatën.
Kam bërë dokumentet e tokës dhe janë përcjellë te Bashkia e Tiranës. Prona ime ndodhet në Farkë. Kemi një problem sepse hipoteka nuk na e përshtat gent-planin që kemi bërë ne. Atje janë ato të para 20 vjetëve dhe nuk përputhen.
Ky është një shqetësim real jo vetëm për zotërinë, por edhe për shumë qytetarë të tjerë që kanë prona në fshat sepse në pjesën më të madhe nuk është bërë azhurnimi i hartave dhe punohet akoma me hartat e vjetra, në shkallën 1:2500, që kanë edhe gabime brenda tyre. Ndërkohë qyteti punon me hartën 1:500, fshati akoma punon me hartat 1:2500 të punuara në mënyrë jo digjitale. Dhe këtu krijohet problemi se në momentin që dorëzohen plan-vendosjet pranë bashkive, nuk përputhen me azhurnimet e hipotekës.
Në të tilla raste, kur edhe ngarkesa është shumë e madhe, mund të kërkohet ndihmë edhe nga studiot private, të cilat bëjnë korrigjime të planeve të vendosjeve për ta sjellë në linjë hartën që zotëria ka dorëzuar me hartën e hipotekës. Mund të bëhen plane rilevimesh me korrigjime të saktësuara në terren. Jo çdo gjë mund ta zgjidhë shteti sidomos në kushtet që kemi. Faktikisht po punohet, por ngarkesa është shumë e madhe. Zotëria duhet të shpresojë sepse në komunat e Tiranës problemet po shkojnë drejt zgjidhjeve.
Telefonoj nga Tirana. Kam një pronë rreth 900 m2, që është blerë në vitin 1958 nga gjyshi pranë Komitetit Ekzekutiv. I kemi marrë të gjitha dokumentet nëpër arkiva dhe nga këshilli i rrethit. Kemi shumë kohë që nuk e regjistrojmë dot. Disponoj faturën e blerjes. Kam një dokument ku përcaktohen kufitarët në plan-vendosje. Edhe kontratën e firmosur nga titullari i Komitetit Ekzekutiv të asaj kohe e kam.
Në vitet kur kanë funksionuar Komitetet Ekzekutive në të gjitha rrethet, ato kanë pasur të drejtë shitjen dhe blerjen e trojeve shtetërore tek individët për të ndërtuar banesat e tyre. Por në atë kohë trojet lejoheshin në fshat deri në 250-300 m2, ndërsa në qytet deri në 500 m2. Ndoshta zotëria ka blerë dy troje. Mund të kenë qenë dy familje. Pastaj duhej të merrnin një leje ndërtimi sepse trualli merrej me destinacionin për të ndërtuar diçka sepse nuk ka pasur blerje trualli për të bërë ç’të doje.
Ka pasur një indicie dhe kjo ishte që qytetari duhej të ndërtonte në këtë truall. Nëse zotëria s’ka leje ndërtimi, s’kualifikohet. Duhet t’i drejtohet zyrës së legalizimeve për ta legalizuar, në qoftë se kanë ndërtesën dhe dyert e hipotekës i janë mbyllur për shkaqet që fola më sipër. Duhet të drejtohen për të bërë regjistrimin e pronës pranë zyrave të ALUIZNI-t.
Kam blerë një truall në vitin 1996. Regjistri i hipotekës së Shkodrës është djegur më 1997. Dua të regjistroj pronën dhe nuk gjej dokumentet për regjistrimin e pronës sime. E kam vërtetimin e hipotekës që e kam blerë më 1996. Kam dhe origjinën e pronës. Më kërkojnë gent-planin në hipotekë.
Ju dispononi një vërtetim të vitit 1996. Keni origjinë të vjetër prone? Nga vjen prona juaj? E keni të trashëguar apo pronë të blerë nga shteti?
Pronën ia kam blerë një personi tjetër. Nga ndërmarrje shtetërore. Ka qenë magazinë shtetërore.
Pra origjina ka ardhur nga shteti. Nga rrëmujat e vitit 1997 shumë dokumente u zhdukën ose u dogjën edhe në Shkodër edhe në qytete të tjera. Zotëria ka një vërtetim të vitit 1996, por pavarësisht se janë djegur dokumentet në hipotekën e Shkodrës, ai duhet të interesohet pranë ndërmarrjes, meqë prona ka qenë shtetërore, sepse jo në të gjitha institucionet janë zhdukur dokumentet. Duhet të gjejë dosjen e kësaj magazine, pra të gjejë origjinën dhe të marrë një dokument origjine. Në rast se nuk e gjen dokumentin e origjinës së pronës, atëherë zotëria duhet të kontaktojë një studio avokatie dhe të hapë një gjyq për parashikim fitues me provat që disponon duke hedhur në gjyq edhe hipotekën e Shkodrës edhe institucionet që të gjejnë provat për të fituar pronësinë mbi këtë pronë.
Disponoj një vendim të Gjykatës së Lartë të formës së prerë për një pronë që e kam marrë me Ligjin 7501. Në vitin 1993 kur janë ndarë është bërë një tapi, në vitin 1999 është rifreskuar dhe prapë e kam marrë. Kur shkoj për zbatimin e vendimit të Gjykatës në hipotekë, më nxjerrin një certifikatë tjetër të përpiluar, pa firmën time, duke e hequr këtë parcelë dhe më thonë që toka jote ka dalë shtetërore ose e pafrytshme. Në çdo vendim gjykate, në seancat gjyqësore nuk janë shprehur asnjëherë që kjo tokë nuk më takon sepse është e pafrytshme, por është thënë që i hiqet filanit e i jepet filanit. E kanë hequr te libri model 6 këtë parcelë, kanë zhdukur edhe aktin e përdorimit të tokës, dhe më kanë kthyer përgjigje pastaj që kjo është tokë shtetërore. Pas kaq vitesh.
Zotëria disponon një tokë nga Ligji 7501. Në vitin 1999 ka bërë një rifreskim dhe ka marrë kartelën dhe hartën treguese pranë hipotekës. Ka marrë përsëri certifikatën që e quan pronë të lirë. Me sa kuptova, zotërisë i ka dalë një kundërshtar ose dikush tjetër e pretendon këtë pronë, prandaj janë bërë edhe këto lëvizje, si vendimi i Gjykatës së Lartë për këtë pronë. Kjo do të thotë që dikush është i interesuar. Zotëria deklaroi se në seancën gjyqësore është thënë që prona i kalon një personi tjetër. Në ndarjen e tokave bujqësore, toka klasifikohet në disa zëra kadastralë, si tokë bujqësore e punueshme, tokë pyje, livadh, tokë e pafrytshme etj. Ka disa emërtime.
Në një pjesë të madhe, kur janë ndarë me Ligjin 7501 kanë vepruar komisionet. Detyrimi i tyre ka qenë ndarja e tokës bujqësore, me zë kadastral tokë bujqësore e punueshme dhe jo tokë pa fryt. Toka pa fryt ka qenë në dispozicion të Komisionit të Kthimit të Pronave për pronarët e vjetër. Ndoshta është ndërhyrë. Duhet të kemi të qartë se çfarë zëri kadastral ka pasur kjo tokë para se zotëria të merrte aktin e marrjes në pronësi. Në qoftë se kjo ka qenë tokë e punueshme bujqësore i takon zotërisë ta marrë ose të jetë pronari i saj. Por në qoftë se kjo ka qenë tokë e pafrytshme, të jemi realistë, kjo certifikatë duhet të bjerë poshtë sepse është dhënë në kundërshtim me ligjin.
Kemi një pronë trashëgim prej gjyshit dhe kemi një vendim të gjykatës për kthimin e pronësisë, por metrat katrorë janë caktuar me 240 lekë të vjetra. Prona është 2 000 m2 dhe ndodhet në Berat. Është tokë bujqësore. Vendimi i gjykatës është i vitit 1996. Me këtë çmim kompensohen këto prona?
Kjo tokë origjinën ka të vjetër, nga kooperativat e dikurshme bujqësore dhe ju nuk e dispononi fizikisht. Mund t’u jetë dhënë personave të tjerë nga Ligji 7501. Komisioni ka filluar të funksionojë në vitin 1993 dhe në çdo dy vjet është bërë amendim dhe janë nxjerrë ligje dhe nënligje të tjera. Komisioni i Kthimit të Pronave ka pësuar ndryshime.
Në rast se zotëria nuk e ka marrë shpërblimin në vitin 1996, Komisioni i Kthimit të Pronave ka publikuar edhe në gazeta lista, për të gjithë personat që nuk e kanë marrë shpërblimin, por e kanë lënë pas dore, për të marrë shpërblimin në bazë të çmimit që ka vendosur tani, me indeksimet, duke parë dhe inflacionin. Duhet t’i drejtoheni edhe një herë zotëri Komisionit të Kthimit të Pronave për të riparë këtë shpërblim, por në zonën ku ndodhet prona e zotërisë vlerat shtetërore janë shumë të ulëta.
d.c./shqiptarja.com











