Në zgjedhjet komunale në Saksoninë e Poshtme, CDU-ja ka dalë sërish forca më e madhe politike dhe ka zgjeruar epërsinë e saj ndaj SPD-së. AfD-ja renditet në vendin e tretë.

Mes debateve rreth kancelarit federal Friedrich Merz, pas humbjes në landin Saksoni-Anhalt, CDU-ja është bërë forca më e madhe politike në zgjedhjet komunale të landit të Saksonisë së Poshtme (Niedersachsen). Në nivel qarqesh, ajo arriti në 27,2 për qind të votave. Sipas rezultatit paraprak të publikuar në portalin zgjedhor të landit, SPD-ja mori 24,6 për qind.

AfD-ja shënoi rritje dhe arriti në 15,9 për qind. Të Gjelbrit morën 14,1 për qind, E Majta (Die Linke) 6,0 për qind, ndërsa FDP-ja 3,7 për qind.

Pjesëmarrje e lartë në zgjedhje

Në zgjedhjet e mëparshme për qarqet, të mbajtura në vitin 2021, CDU-ja kishte dalë forca më e madhe me 31,7 për qind, e ndjekur nga SPD-ja me 30,0 për qind. Të Gjelbrit kishin arritur 15,9 për qind, FDP-ja 6,5 për qind, AfD-ja 4,6 për qind, ndërsa E Majta (Die Linke) 2,8 për qind. Rritjen më të madhe e ka shënuar AfD-ja, duke arritur rezultatin më të mirë ndonjëherë në zgjedhjet komunale në Saksoninë e Poshtme. Ndërkohë, CDU-ja dhe SPD-ja kanë humbur mbështetje krahasuar me zgjedhjet e mëparshme.

Pjesëmarrja në votime arriti në 64,6 për qind, duke shënuar një rritje të konsiderueshme. Pesë vjet më parë kishin votuar 57,0 për qind e qytetarëve me të drejtë vote. Këtë herë, rreth 6,3 milionë persona kishin të drejtën të merrnin pjesë në zgjedhje.

"Kemi vënë re pakënaqësinë ndaj Berlinit"

Kryetari i CDU-së në Saksoninë e Poshtme, Sebastian Lechner, u shpreh optimist që disa orë para publikimit të projeksioneve të para se partia e tij do të dilte forca më e madhe në rang të landit. Ai tha se ishte i bindur se CDU-ja e landit mund të shkëputej nga tendenca negative në nivel federal dhe se kishte një shans shumë të mirë të bëhej sërish forca kryesore politike në Saksoninë e Poshtme. "Ju e dini se këto zgjedhje komunale nuk janë zhvilluar në rrethana të lehta. Edhe ne e kemi vënë re pakënaqësinë ndaj Berlinit”, tha Lechner, duke iu referuar klimës politike në nivel federal. Kryetari i SPD-së në Saksoninë e Poshtme dhe njëherazi kryeministri i landit, Olaf Lies, e cilësoi rezultatin e zgjedhjeve si të vështirë për partinë e tij: "Kishim shpresuar të gjithë për më shumë se kaq.” Me këtë deklaratë, Lies pranoi zhgënjimin brenda SPD-së për rezultatin e arritur në zgjedhjet komunale./DW