Kancelari Olaf Scholz është zakonisht një njeri me fjalë të buta. Vetëm në raste të jashtëzakonshme e ngre zërin - si në takimin e së premtes së kaluar.
Të bërtiturit nuk është stili i Olaf Scholzit. Në një tubim të organizuar nga e përjavshmja "Zeit" fundjavën e kaluar, kancelari pyeti: "A mund të flasim pak më qetë?" E kishte fjalën për partnerët e tij në qeveri dhe debatin për ngrohjen, pra për debatin e pafund për ndryshimin e ngrohjes në Gjermani, ku të Gjelbrit dhe FDP janë në ngërç. "Shpesh mendoj se debati mund të jetë pak më i qetë," shtoi ai
Mund të jetë më qetë: Kjo është motoja e kancelarit gjerman! Scholz preferon më shumë të negociojë në sfond, nëse duhen edhe 30 orë, sesa të dominojë skenën. Ai është aq i qetë sa që me këtë qetësi është në gjendje të ushtrojë edhe presion mbi të tjerët.
Scholz shpesh flet aq qetë dhe me zë të ultë sa është vështirë ta kuptosh, pavarësisht nga zmadhuesit e zërit.
Një Scholz tjetër
Por ekziston edhe një tjetër Scholz – të paktën shikuar nga fjalimi i ditës së premte në Falkensee, Brandenburg, në "Festivalin Europian” të socialdemokratëve.
Pritja e tij në Festival ishte e vrazhdë, sepse shumë bërtisnin dhe e akuzonin kancelarin si "luftënxitës”, duke i thënë: "Hup largohu!” dhe kërkonin prej tij të vendoset "paqja pa armë”.
Scholzi kapi mikrofonin me të dyja duart dhe ua ktheu kritikëve me zë të lartë: "Të dashur, ju që po bërtisni, luftënxitës është Putini. Ai sulmoi Ukrainën me 200 mijë ushtarë dhe vrau një numër jashtëzakonisht të madh qytetarësh, fëmijësh dhe të moshuarish në Ukrainë. Që të jemi të qartë: këto janë vrasje”.
"Nuk e di nëse ishte një shpërthim zemërimi," tha të hënën zëvendës zëdhënësi i qeverisë Wolfgang Bihner. Ishte një "përgjigje me zë të lartë" ndaj protestuesve të zëshëm. Kancelari foli shumë qartë dhe ka të drejtë ta bëjë këtë.
Edhe grupi parlamentar i SPD-së promovoi në twitter, siç thonë ata, "një kancelar që flet qartë dhe me zë të lartë”, ndoshta pikërisht sepse momente të tilla janë përjashtim në paraqitjet e tij.
"Të gjithë kanë ngapak të drejtë"
Ka shumë arsye pse lidershipi duhet të jetë më i fuqishëm. Në mes të mosmarrëveshjeve në qeveri, njerëzit nuk kanë nevojë për një kancelar të zhurmshëm, por për një kancelar që e bën të qartë qëndrimin e tij – qoftë për ligjin për ngrohje apo dhe planifikimin e buxhetit.
Por Scholz nuk duket shpesh, përkundrazi. Edhe në takimin e gazetës "Zeit", kancelari Scholz tha me qetësi se "të gjithë kanë gjithmonë ngapak të drejtë". Vetëm kaq për përmbajtjen: debati për ligjin e ngrohjes mbetet temë e pazgjidhur akoma. Ligji, i cili u prezantua në Bundestag, është shumë më i avancuar se ai i mëparshmi.
Edhe në Bundestag, Scholz është zakonisht një folës i qetë, një njeri që i përmbahet tekstit. Më shumë emocione ka vetëm kur e lë mënjanë fjalimin e përgatitur.
Shkaku për këtë është opozita dhe lideri i CDU-së, Friedrich Merz. Vjeshtën e kaluar, një Scholz dukshëm emocionues i tha Merzit: "Është mirë që Unioni tani është në opozitë, në mënyrë që ne të mund të jemi konkurrues dhe të zgjidhim problemet e këtij vendi."
Ish-ministri i Punëve të Jashtme Sigmar Gabriel (SPD) një herë tha për Merzin se ai arrin ta bëjë Scholzin të tregojë emocione, e për këtë "duhet shumë".
Qytetarët kanë thënë fjalën e tyre
Megjithatë: sipas sondazhit të fundit të bërë për televizioin publik ARD Deutschlandtrend - vetëm një në pesë qytetarë është i kënaqur me punën e qeverisë. Ndërsa partia djathtiste AfD është barazuar me partinë e kancelarit SPD, me 18 për qind.
Një paralajmërim shumë serioz edhe për politikën e kancelarit dhe qeverisë federale gjermane. Vërtet, nga këndvështrimi i tij, Scholz udhëheq, por - në heshtje. Por fakt është që kjo nuk i përgjigjet shumicës dërmuese të popullsisë. Përveç kësaj, sipas sondazhit të lartpërmendur, rreth 84 për qind e gjermanëve aktualisht besojnë se Scholz duhet të përcaktojë më qartë drejtimin e qeverisë gjermane./DW