MYNIH - Ministri rus i Punëve të Jashtme, Serguei Lavrov theksoi sot se ishte shumë e mundur arritja e një marrëveshjeje për zgjidhjen e konfliktit në lindje të Ukrainës, pas një iniciative franko-gjermane në këtë kuadër paraqitur dje në Moskë.
"Këto negociata do të vazhdojnë siç jeni në dijeni. Ne vlerësojmë që është shumë e mundur të kemi rezultate dhe të biem dakord mbi rekomandimet që u mundësojnë të dy krahëve zgjidhjen e vërtetë të konfliktit", deklaroi Lavrov në konferencën për sigurinë që po zhvillohet në Mynih.
"Kriza në Ukrainë nuk mund të zgjidhet me forcë ushtarake", konfirmoi Lavrov.
"Ka shumë thirrje për të mbështetur dhe furnizuar Ukrainën me armë", theksoi ai duke iu referuar debatit në Uashington për një asistencë ushtarake në Ukrainë për ta ndihmuar t'i bëjë ballë situatës në terren.
Lavrov kërkoi negociata të drejtpërdrejta mes qeverisë ukrainase dhe drejtuesve të republikave të vetëshpallura të Donetskut dhe Louganskut, gjë që Kievi e refuzon kategorikisht.
Negociatat konstruktive dhe thelbësore mes Angela Merkel, François Hollande dhe Vladimir Putin mundësuan dje arritjen e një marrëveshjeje për përgatitjen e një plani të ardhshëm paqeje duke përfshirë propozimet franko-gjermane dhe ato të presidentëve rus dhe ukrainas./
/ATSH/