BERLIN - Ministrja gjermane e Arsimit, Annette Schavan, ka dhënë dorëheqjen pasi një universitet i hoqi asaj doktoraturën për shkak të plagjiaturës. Ishte Universiteti i Duseldorfit “Heinrich Heine”, i cili votoi të martën e shkuar heqjen e doktoraturës.

Ministrja Schavan, 57 vjeçe, një bashkëpunëtore e afërt e Merkel, ka këmbëngulur se do të vazhdojë të luftojë kundër vendimit të universitetit, bën të ditur BBC.

Universiteti i Duseldorfit vendosi ta verifikojë tezën e doktoraturës së zonjës Schavan, mbajtur në 1980-ën, pasi një “blogger” anonim ngriti pikëpyetje mbi të. Në vitin 2011, edhe ministri i Mbrojtjes, Karl-Theodor zu Guttenberg, dha gjithashtu dorëheqjen, pasi u zbulua plagjiatura e tezës së mbrojtur prej tij.

Këto raste në Gjermani ndodhin pasi gjermanët kanë një lloj obsesioni me titujt, shpjegojnë analistët e BBC-së. Politikanët gjermanë i marrin ato shumë seriozisht, si një shenjë nderimi intelektual. Ndaj, nuk është e pazakontë, për shembull, që një profesor me dy doktoratura të presë ta njohin si “Prof. Dr. Doktor”.

(ash/shqiptarja.com)