Policia gjermane po heton helmimin e mundshëm të mërgimtarëve rusë pasi një gazetar dhe një aktivist raportuan probleme shëndetësore pas një takimi të disidentëve në Berlin, tha të dielën një zëdhënës i policisë.
Hetimi po trajtohet nga një ekip i specializuar që shqyrton rastet që lidhen me terrorizmin ose krimet e motivuara politikisht, tha një zëdhënës i policisë së Berlinit për agjencinë franceze të lajmeve AFP.
Takimi i Berlinit u organizua nga zoti Mikhail Khodorkovsky, kritik i ashpër i Kremlinit.
Një pjesëmarrës, i identifikuar si gazetar që ishte larguar së fundmi nga Rusia, përjetoi simptoma të paspecifikuara gjatë takimit. Ata thanë se simptomat mund të kenë filluar më herët.
Organizata mediatike hulumtuese ruse “Agentstvo” njoftoi se gazetari u dërgua në Spitalin Charite në Berlin - ku udhëheqësi opozitar rus Alexei Navalny u trajtua pasi u helmua në gusht të vitit 2020.
Personi i dytë që dyshohet të jetë helmuar është Natalia Arno, drejtore e Fondacionit Rusia e Lirë me seli në Shtetet e Bashkuara, ku ajo ka jetuar për 10 vjet që kur i është dashur të largohet nga Rusia.Zonja Arno mori pjesë në takimin e disidentëve në Berlin përpara se të udhëtonte për në Pragë, ku ajo përjetoi simptoma dhe zbuloi se dhoma e saj e hotelit ishte e hapur, raportoi “Agentstvo”.
Raporti i “Agentstvos” tha gjithashtu se ish-ambasadori i SHBA-së në Ukrainë, John Herbst, tani drejtor i lartë i Qendrës Euro-Aziatike të Këshillit të Atlantikut, vuante nga simptomat e helmimit disa muaj përpara se Rusia të fillonte sulmin në Ukrainë.
Këshilli Atlantik konfirmoi se zoti Herbst shfaqi simptoma të ngjashme me helmimin e vitit 2021, por rezultatet mjekësore nuk shin përfundimtare. Vitet e fundit janë kryer sulme me helm ndaj kundërshtarëve të Kremlinit në Rusi dhe vende të tjera.Moska mohon se ka gisht.VOA