BERLIN - Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Frank Walter Steinmeier, theksoi në të përditshmen Bild se dëshiron t'i japë fund përplasjeve të dhunshme në Ukrainë gjatë takimit të tij nesër me homologët rus, ukrainas dhe francez.

"Shpresoj se do të arrijmë më në fund t'i japim fund përplasjeve të dhunshme dhe t'i drgojmë sa më shpejtë popullsive të prekura nga dhuna në lindje të Ukrainës ndihmën për të cilën kanë nevojë", deklaroi ai në një intervistë.

Frank Walter Steinmeier do të takojë sërisht homologët e tij gjatë një mbledhje në berlin që do të zhvillohet nesër. Ai ka ftuar rusin Serguei Lavrov, ukrainasin Pavlo Klimkine, dhe francezin Laurent Fabius që të bisedojnë për krizën ukrainase.

Ky takim vjen pasi Angela Merkel zhvilloi dje një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin.

Kancelarja gjermane i kërkoi presidentit rus "t'i japë fund fluksit të materialeve ushtarake, të këshilltarëve ushtarake dhe të personelit të armatosur që kalojnë kufirin drejt Ukrainës"./ATSH/