Gjermania: Jemi në dijeni për Open Balkan, mbështesim Planin e Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal

Gjermania: Jemi në dijeni për Open Balkan, mbështesim Planin e Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal

Aleksandër Vuçiç, Zoran Zaev dhe Edi Rama

Qeveria gjermane e konsideron si "detyrë urgjente" jetësimin e marrëveshjeve të Planit të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal, miratuar në samitin e Sofjes në 2020. Në një përgjigje me shkrim për Deutsche Wellen, një zëdhënës i qeverisë gjermane kujton se "krerët e shteteve dhe qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, në samitin e fundit të "Procesit të Berlinit”, më 5 korrik me ftesë të kancelares federale, pohuan  përpjekjet e tyre për zbatimin e këtij projekti të rëndësishëm."

Ai shton se marrëveshjet e katër lirive duhet të nënshkruhen deri më 6 tetor të këtij viti, kur të zhvillohet samiti i ardhshëm i BE-së me Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që "të arrihen përmirësime të prekshme për qytetarët e të gjashta vendeve të Ballkanit Perëndimor".

Marrëveshjet e Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal, janë miratuar në parim nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe synojnë të rregullojnë lirinë e lëvizjes me karta identiteti, hyrjen, lëvizjen dhe qëndrimin për shtetasit e vendeve të treta, njohjen e licencave për mjekët, dentistët dhe arkitektët si edhe njohjen e diplomave universitare.

Prioritet marrëveshjet nga forumi përfshirës i Procesit të Berlinit

Pyetjeve të Deutsche Welles se në çfarë mënyre e mbështet qeveria gjermane nismën „Ballkani i Hapur" zëdhënësi iu përgjigj përmbledhtazi: "Qeveria gjermane është në dijeni të nismës së Ballkanit të Hapur. Nga këndvështrimi i qeverisë federale gjermane çdo bashkëpunim rajonal në Ballkanin Perëndimor është për t'u përshëndetur."

Në përgjigjen me shkrim qeveria gjermane i lë pa përgjigje të drejtpërdrejta pyetjet e Deutsche Welle-s se si e vlerëson kancelarja Merkel nismën Ballkani i Hapur dhe se çfarë roli luan "Ballkani i Hapur" në realizimin e Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal.

Me këtë deklaratë, qeveria gjermane lë të nënkuptojë se prioriteti i saj është realizimi i marrëveshjeve të dala nga forumi gjithëpërfshirës i Procesit të Berlinit. Njohës të proceseve të integrimeve evropiane të Ballkanit e vlerësojnë këtë forum si të vetmen platformë që shoqëron procesin e integrimit të rajonit drejt Bashkimit Evropian dhe u jep shans të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor të shprehin prioritetet e tyre.

Debate për qëndrimin gjerman

Javën e kaluar qëndrimi i mundshëm i qeverisë gjermane ndaj nismës Ballkani i Hapur u interpretua në mënyra të ndryshme nga qeveritë e Shqipërisë dhe të Kosovës, por edhe në opinionin e gjerë. 

Ideja e Ballkanit të Hapur, dikur i njohur edhe si "mini-Shengen", u prezantua në fillim në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, të Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë.

Më 29 korrik 2021, në një forum ekonomik që u mbajt në Shkup, kësaj nisme ju ndryshua emri në "Open Balkan” dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u bënë thirrje të gjitha shteteve të rajonit që t'i bashkohen kësaj nisme, e cila, ndër të tjera, synon që deri në vitin 2023 të heqë kontrollet ndërkufitare mes vendeve për mallrat dhe qarkullimin e njerëzve.

Kosova është një nga vendet që e kundërshton me forcë këtë nismë, pasi thotë se prej saj përfiton më shumë Serbia.

Në javën e parë të muajit gusht parlamenti i Kosovës e përforcoi refuzimin e ndaj nismës Open Balkan (më parë Mini Shengen) me një rezolutë kundër marrëveshjes Kosovë-Serbi të 4 shtatorit 2020.

Teksti i plotë i deklaratës së zëdhënësit të qeverisë:

"Qeveria gjermane është në dijeni të nismës „Ballkani i Hapur". Nga këndvështrimi i qeverisë federale gjermane, çdo bashkëpunim rajonal në Ballkanin Perëndimor është për t'u përshëndetur. Në të njëjtën kohë, është me rëndësi që bashkëpunimi të jetë përfshirës dhe i hapur për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Prandaj qeveria federale mbështet Planin e Veprimit për një Treg të Përbashkët Rajonal, miratuar në samitin e "Procesit të Berlinit” në Sofje, në nëntor 2020. Krerët e shteteve dhe qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, në samitin e fundit të "Procesit të Berlinit” më 5 korrik me ftesë të kancelares federale, pohuan përpjekjet e tyre për zbatimin e këtij projekti të rëndësishëm.

Detyra më urgjente tani është mbyllja e negociatave për katër marrëveshjet: për lirinë e lëvizjes me karta identiteti, për hyrjen, lirinë e lëvizjes dhe lejet e qëndrimit për shtetasit e vendeve të treta, për njohjen e licencave për mjekët, dentistët dhe arkitektët dhe njohjen e diplomave universitare, në mënyrë që në Samitin BE-Ballkani Perëndimor të arrihen progres dhe përmirësime të prekshme për qytetarët e të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Kancelarja gjermane e vuri në dukje këtë edhe në konferencën për media pas Samitit të Procesit të Berlinit, më 5 korrik.”/DW

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • katarakti 2: 17/08/2021 09:04

    OK te dashur Gjermane por nuk do Albin me Saliun te ndjekur nga Meta! Si do te beni pa lejen e tyre! Keta Talebane jane edhe kunder ardhjes se Afganeve ne Shqiperi dhe Kosove bile edhe kunder Frances,Kanadase etj.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?