(Në foto: Ekipi gjerman duke ngritur Kupën e Botës) Foto të tjera
Gjermania përpos faktit që shpallet për herë të katërt kampione bote, thyen edhe tabunë, pasi janë evropianët e parë që arrijnë të fitojnë një kampionat Botëror në këtë kontinent. Gjermania veshi stadiumin legjendar ‘Maranaca’ me ngjyrat e saj me meritë të plotë, pasi këtë edicion ka treguar se është një superfuqi në futboll. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe pas shkatërrimit të Brazilit me rezultatin 7-1, i cili ishte një paralajmërim për Argjentinën dhe Lionel Mesin.
Sulmuesi ishte në hije në një ndeshje që duhet të bënte diferencën, trajneri Joakim Lëv ia arriti që falë skemave të tij ta fuste në ‘kafaz’ sulmuesin. Mesi humbi mundësinë më të mirë që të shpallej edhe futbollisti më i mirë në botë dhe ndoshta i të gjitha kohërave, pasi ka arriti që të fitojë gjithçka, përveç Kupës së Botës, të cilën e humbi në metrat e fundit duke treguar edhe njëherë se nuk është një lider që mund të marrë ekip në krah në një moment vendimtar.
Ndërsa super sfida që u ndodh nga miliarda tifozë në të gjithë botën kishte në stadium edhe një tifoze speciale, si Angela Merkel, e cila ishte pjesë e momenteve të lumtura të futbollit gjerman.
Portieri më i mirë
Manuel Nojer është shpallur nga FIFA si portieri më i mirë i edicionit, pasi arriti që falë paraqitjeve të tij të ndihmonte jashtëzakonisht shumë ekipin e Gjermanisë që të shpallej kampione bote. Nojer, portier i Bajernit në Gjermani tregoi se është një nga më të mirët në pozicionin e tij në botë.
Mesi-Topi i Artë
Pavarësisht se ishte totalisht në hije në finale, por edhe gjatë edicionit, FIFA vendos që Mesi të shpallet futbollisti më i mirë i kampionatit Botëror. Çmimin zakonisht e fiton futbollisti që fiton edhe trofeun, por FIFA mendoi ndryshe duke ia dorëzuar Mesit.
Majmuni Iva parashikoi fitoren e Gjermanisë
Majmuni Iva në A1Report arriti të parashikonte fituesin e kampionatit Botëror të Brazilit.
Iva gjatë emisionit “Pasdite me Botërorin” goditi në shenjë, pasi mes dy bananeve me flamujt e dy ekipeve tërhoqi bananen me flamurin e Gjermanisë. Majmuni Iva këtë edicion të kampionatit Botëror ka qenë një risi e vërtetë, pasi ka arritur që të gjejë shumë ndeshje.
Shqiptari kampion bote
Shkodran Mustafi është futbollisti i parë me origjinë shqiptare që arrin të shpallet kampion bote. Mbrojtësi pjesë e kombëtares së Gjermanisë arriti të merrte medaljen e artë dhe të ngrite trofeun e Kupës së Botës në Brazil. Shqiptari në ndeshjet e para në grupe bëri një paraqitje të mirë, por më pas u dëmtua, gjithsesi në fund u shpall kampion bote.
Pjesa e parë
Ndryshe nga sa pritej, Argjentina e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme finalen. Mesi në minutat e para me dy inkursione të shpejta nga krahu i djathtë vendosi në vështirësi Gjermaninë. Ndërsa ‘pancerat’ tentuan të kontrollojnë lojën duke qarkulluar topin dhe rrezikuar me Myler e Ozil, por mbrojtja argjentinase ishte e pakalueshme, pasi luanin me 5-6 futbollistë të tërhequr për të shpresuar te kundërsulmet.
Në minutën e 20 vjen rasti më i pastër për të dy ekipet për të shënuar, Argjentina kishte rastin e artë për të shënuar me Higuain pas një gabimi të gjermanëve, por nxitohet duke gjuajtur në hyrje të zonës duke dërguar topin ngjitur me shtyllën e Nojer. Gabimin Higuain e korrigjon me një gol pak minuta më pas, por arbitri ngre flamurin për pozicion jashtë loje.
Dominimi argjentinas vazhdon deri në minutën e 40, në 5’ e fundit zgjohet Gjermania me dy raste të pastra për të kaluar në avantazh me Klose që nuk arrin të devijojë një top nga e djathta.
Ndërsa Kros lëshon një predhë nga jashtë zone që pritet nga Romero. Pjesa e parë mbyllet me një tjetër rast të mirë nga Gjermania me Hëvedec, por ndalet nga shtylla.
Pjesa e dyte
Pjesa e dytë nis e mirë për Argjentinën që ka një rast të mirë për të shënuar, pasi Mesi vendoset përballë Nojer, por gabon duke mos shënjestruar saktë kuadratin.
Këtu fillon edhe kthesa me Gjermaninë që kthehet duke marrë kontrollin e fushës për shumë minuta. Myler, Shurrle, Ozil dhe Kros krijojnë dhe tentojnë pa fund, por nuk finalizojnë me sukses.
Në mesin e pjesës së dytë vlen të theksohet edhe një përplasje e fuqishme mes Higuain dhe Nojer, portieri gjerman në përpjekje për të grushtuar topin përplas me gju sulmuesin argjentinas. Mesi në minutën e 75 shmang dy mbrojtës gjermanë, gjuan nga jashtë zone, por pa rrezik për Nojer.
Në minutat e fundit të pjesës së dytë trajneri Sabella bën shenjë që ekipi i tij të rikthehet i gjithë në mbrojtje duke mos rrezikuar, ndërsa Lëv shtyn të tijët përpara duke kërkuar që të mbyllë gjithçka brenda 90 minutave, por edhe pas 3 minutave përfundon 0-0 duke dërguar ndeshjen me shtesë.
Shtesa e parë
Shtesa e parë mbyllet me dy episode, njërën për secilin ekip. Fillimisht ishte Shyrrle që lëshon një predhë drejtim të portës argjentinase, por që neutralizohet nga Romero.
Ndërsa Argjentina kundërpërgjigjet me një rast të mirë me Palacion , i cili përballë Nojer tenton që të shënojë me parabël, por sfera përfundon jashtë duke humbur ndoshta mundësinë më të mirë për të mbyllur ndeshjen.
Shtesa e dytë
Shtesa e dytë nis mjaft e mirë për Gjermaninë që kërkon golin e fitores me çdo kusht duke e gjetur në minutën e 113 me Mario Gëtzen.
Shurrle pas një inkursioni të shpejtë nga e majta harkon bukur topin në zonë për Gëtzen, i cili e stopon me kujdes në gjoks dhe gjuan në drejtim të portës duke mposhtur portierin Romero. Goli ngre në peshë gjysmën e stadiumit, bashkë me të edhe kancelaren Angela Merkel që feston triumfin e kombëtares.
Formacionet
Zbulohen formacionet më të cilat dy ekipet do të kërkojnë që të fitojnë finalen e madhe sonte në “Maracana”. Kështu Argjentina nuk do të ketë në fushë asin Angel Di Maria, pasi pavarësisht se është rikuperuar plotësisht nuk është 100% në formë.
Formacioni i Argjentinës: Romero; Zabaleta, Demichelis, Garay, Rojo; Mascherano, Biglia, Enzo Pérez; Higuaín , Lavezzi dhe Messi.
Ndërsa trajneri i Gjermanisë, Joakim Lëv i beson eksperiencës së Kloses nga minuta e parë.
Formacioni i Gjermanisë: Neuer; Lahm, Hummels, Boateng, Höëedes; Schëeinsteiger, Khedira, Kroos; Müller, Klose dhe Özil.
Merkel-Blatter
Ashtu sikur kishte premtuar edhe më parë kancelaria gjermane, Angela Merkel ka mburritu në Brazil për të ndjekur finalen e madhe Gjermani-Argjentinë. Merkel pas një takimi me Presidentin rus, Putin është pozicionuar në tribunën kryesore në “Maracana” së bashku me Presidentin e FIFA-s, Blatter për të ndjekur ndeshjen e madhe. Theksojmë që përkrah Merkel dhe Blatter do të jenë të pranishme dhe Presidentja e Brazilit dhe ajo e Argjentinës.
Ceremonia
Nuk kishte si të mungonte në këtë kampionat botëror këngëtarja e njohur kolumbiane me famë botërore, Shakira, e cila ka performuar në ceremoninë e mbylljes së eventit më të madh botëror që po zhvillohet në Brazil. Shakira për 18 minuta me këngën kushtuar botërorit, “La, la, la” ka ngritur në peshë stadiumin duke bërë për vetë të gjithë të pranishmit.
Atmosfera
Tifozët e Gjermanisë dhe Argjentinës kanë mbushur rrugët e Brazilit për të përkrahur ekipit e tyre të zemrës në një ditë të paharrueshme.
Nga Argjentina raportohet se kanë udhëtuar në drejtim të Brazilit më shumë se 100 mijë persona, ndërsa nga Gjermania numri është më i vogël, por Kancelaria Angela Merkel do të jetë në tribunë.
Trofeu
Në stadiumin legjendar ‘Maracana’ kanë mbërritur edhe dy personat që do të dorëzojnë trofeun e Kupës së Botës Carles Puyol dhe modelja braziliane Giselle Bundchen.
Kështu spanjolli pas mbretërimit të iberikëve për 4 vite në fronin më të lartë të botës së futbollit ka ardhur momenti që Kupën e shumëlakmuar ta dorëzojë.