Gjermania miraton pr/ligjin për migracionin, do lejojë mbi 50 mijë punëtorë të pakualifikuar nga Ballkani të punësohen

Gjermania synon të lejojë në të ardhmen mbi 50 mijë punëtorë të pakualifikuar nga Ballkani Perëndimor që të vijnë për të punuar në Gjermani. Këtë e miratoi qeveria gjermane të mërkurën (29.03.2023) në kuader të projektligjit të ri të migrimit të fuqisë punëtore. Ministri gjerman i Punës, Hubertus Heil, tha në konferencën e shtypit në Berlin se ky kontingjent do të dyfishohet nga 25.000 që është aktualisht në maksimumi 50 mijë vetë në vit. Por ministri shtoi se ka plane që kjo rregullore të zgjerohet edhe për vende të tjera.

Rregullorja e Ballkanit Perëndimor ekziston që nga viti 2015 dhe u mundëson shtetasve të gjashtë vendeve të BP (Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia) qasje të privilegjuar në tregun gjerman të punës, pavarësisht nga kualifikimi që kanë.

Parakusht për të marrë vizën e punës është një kontratë pune e rregullt në Gjermani. Nuk nevojiten as njohuri të veçanta të gjuhës gjermane. Rregullorja e Ballkanit Perëndimor është në fuqi deri në fund të vitit 2023, por në draftin e ri të ligjit të migracionit është parashikuar që ajo të bëhet pa afat. Sipas Burimeve të DW deri më 31 dhjetor 2022 në Regjistrin Qendror të të Huajve, (AZR), figuronin rreth 62.000 imigrantë me leje qëndrimi në bazë kësaj rregulloreje.

Njohja e diplomave mund të bëhet edhe në Gjermani

Por drafti i prezantuar nga Ministri gjerman i Punës dhe Çështjeve Sociale Hubertus Heil dhe ministrja e Brendshme Nancy Faser përmban edhe risi të tjera.

Sipas ministrit Heil të huajve nga vendet e treta do t'u ofrohen tri mënyra për të ardhur në Gjermani: nëpërmjet kualifikimit, përvojës së punës dhe sistemit të pikëve. E para  ekzistonte edhe me parë, në ligjin e migracionit të fuqisë së kualifikuar, që kishte hyrë në fuqi para pandemisë. Por drafti i ri i koalicionit të qendrës së majtë ka bërë disa lehtësime: 

Kështu për shembull, është ulur paga minimale vjetore që nevojitet për të marrë kartat blu: Për momentin ajo është 49.581 euro, duke përbërë kështu 1,25-fishin e pagës vjetore mesatare bruto në Gjermani. Për të rinj dhe me më pak përvojë madje nën 40 mijë euro.

Veç kësaj, kush ka mbaruar një shkollë të lartë ose një shollë profesionale prej së paku dyvjeçare, ka të drejtë të vijë për të kërkuar punë në Gjermani, edhe pa e bërë njohjen e kualifikimit qysh në vendlindje. Procedura e njohjes së kualifikimeve ka qenë një nga pengesat kryesore të deritanishme për ardhjen e fuqisë punëtore të kualifikuar në Gjermani.

Përveç kësaj personave të kualifikuar do t'u lejohet të punojnë në çfarëdo profesioni, pavarësisht nga kualifikimi që kanë.

Si kualifikim do të quhet jo vetëm kualifikimi arsimor, Edhe përvoja e punës do të luajë rol në njohjen e kualifikimit.

Sistemi i pikëve ose karta e shanseve, më në fund realitet

Por risia kryesore e këtij ligji, ajo që i bën krenarë dy ministrat socialdemokratë që prezantuan draftin, është sistemi i pikëve, ose Karta e  Shanseve (Chancenkarte), .

Ngjashëm me sistemin kanadez të migrimit, Karta e Shanseve jep mundësi migrimi në Gjermani edhe në bazë të një sistemi pikësh bazuar në katër kritere: njohja e gjuhës, përvoja profesionale, mosha dhe lidhja me Gjermaninë.

Sipas draftit, mjaftojnë gjashtë pikë për të marrë një vizë njëvjeçare dhe për të kërkuar punë në Gjermani. Si mund të mblidhen ato?

Katër pikë për një kualifikim profesional.

Tri pikë për përvojën e punës

Tre pikë për njohuri të mira të gjermanishtes.

Dy pikë për njohuri të mjaftueshme të gjermanishtes

Dy pikë për moshën e re (nën 35-vjeçare) ose

Dy pikë për përvojë pune deri dy vjet.

Një pikë për lidhjet me Gjermaninë, pra, nëse ke qëndruar më parë në Gjermani për së paku gjashtë muaj.

Ministrja e Brendshme, Nancy Faeser, tha se me këtë kemi krijuar një ligj të ri modern migracioni.  Faeser kritikoi qeverinë e mëparshme, kryesisht krahun konservator të saj, që e nuk e kishte lejuar ta realizonte këtë që më parë, por në vend të saj kishte jetuar me një siç e quajti ajo “gënjeshtrën e përhershme se Gjermania nuk qenka vend migrimi”.

Strategji për të luftuar mungesën e fuqisë punëtore

Projektligji i ri është pjesë e një strategjie të re të qeverisë për të përballuar mungesën e fuqisë punëtore, e cila tani po shqyrtohet nga komisionet përkatëse në Bundestag. Ai parashikon përveç shfrytëzimit te potencialit të fuqisë punëtore brenda vendit, duke rritur ofertat e trajnimeve profesionale për të rinjtë që lënë shkollën, përmirësuar kushtet e punës për nënat me fëmijë, apo duke rritur shanset për punësimin e refugjatëve apo azilkërkuesve të refuzuar.

Në një studim i Dhomave të Tregtisë dhe të Industrisë që u prezantua në mes të janarit në Berlin, Gjermania që tani ka 2 milionë vende pune të pazëna. Nga kjo mungesë punëtorësh ekonomia më e madhe e Evropës ka 100 miliardë euro më pak të ardhura kombëtare në vit. Situata përkeqësohet nga viti në vit:

Sipas projektligjit të ri të migracionit, përllogaritet që në bazë të këtyre ndryshimeve në Gjermani të vijnë mesatarisht deri në 75.000 vetë si fuqi punëtore e kualifikuar në vit. Këtyre u shtohet edhe kontingjenti i Ballkanit Perëndimor, me 50 mijë punëtorë në vit.

Për shumë ekspertë kjo shifër nuk i plotëson aspak nevojat e Gjermanisë për fuqi punëtore, Ekspertët përllogarisin se Gjermanisë i duhen 400.000 imigrantë të kualifikuar në vit.

Por ministri i Punës tha se nuk duhet harruar se pjesa më e madhe e fuqisë punëtore të kualifikuar vijnë nga vendet e BE-së, që nuk kanë nevojë për vizë pune. Numri i përgjithshëm i imigrantëve neto në vitin  2019 para pandemisë, ka qenë 350 mijë vetë.

Nga njëra anë për shkak të hartës demografike të vendit: në 15 vjetët e ardhshëm një e treta e të punësuarve aktualë do të dalin në pension. Por edhe për shkak të ndryshimeve strukturore të shkaktuara nga digjitalizimi, si dhe ndryshimeve për shkak të pandemisë së koronës dhe luftës në Ukrainë./DW

A.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Forcohet leku, monedhat e huaja sërish në rënie! Ja sa këmbehen sot

Forcohet leku, monedhat e huaja sërish në rënie! Ja sa këmbehen sot