Gjermania apel: Reforma Zgjedhore të miratohet sa më shpejt, opozita duhet në parlament dhe jo në rrugë

Gjermania apel: Reforma Zgjedhore të miratohet sa më shpejt, opozita duhet në parlament dhe jo në rrugë

 Ministri gjerman i shtetit, Michael Roth

 Ministri gjerman i shtetit, Michael Roth ka komentuar në një intervistë për DW qëndrimin e Gjermanisë përkundrejt Shqipërisë dhe përpjekjeve të saj për të marrë dritën jeshile për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, protestës opozitare që pritet të zhvillohet më datë 16 shkurt, si edhe për përpjekjet e ndërmarra diplomatike karshi konfliktit Serbi-Kosovë.

Ai është shprehur më tej edhe për Reformën Zgjedhore, duke thënë se Gjermania pret bashkëpunimin e opozitës me maxhorancës për miratimin dhe zbatimin e menjëhershëm të saj. Sa i takon marrëdhënieve Kosovë-Serbi, Roth cilësoi se integriteti e stabiliteti territorial i vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk shikohet e arritshme nga ana e Gjermanisë përmes zhvendosjes së kufijve.

Shqipëria pret që në qershor (së bashku me Maqedoninë) të marrë dritën jeshile për fillimin e negociatave të anëtarësimit me BE-në. Sa realiste është kjo?

Një gjë është e qartë: Çdo vend kandidat matet me arritjet e veta. Këshilli i BE-së vendosi në qershor 2018 se me çfarë do të maten përparimet e Shqipërisë. Këtu kanë rëndësi qendrore reformat në administratën publike, gjyqësor, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si edhe të drejtat e njeriut. Shqipëria duhet të vazhdojë të ndjekë reformat e saj, në mënyrë që shtetet anëtare të BE-së – të cilat duhet ta marrin këtë vendim njëzëri – të jenë të bindur se përparimi i saj është i mjaftueshëm për fillimin e negociatave të anëtarësimit. Qeverisë federale për një "po" i nevojitet drita jeshile nga Bundestagu.

Në verën e vitit të kaluar, në një intervistë me DË, jeni shprehur pozitivisht për procesin e vettingut. A jeni i kënaqur me ecurinë e deritanishme të tij?

Procesi i verifikimit të gjyqtarëve – i ashtuquajturi vetting – i cili ka filluar vitin e kaluar,  është duke ecur mirë. Deri më tani janë shqyrtuar ose janë tërhequr nga procesi paraprakisht gati 100 gjyqtarë dhe prokurorë. Rreth gjysmës së tyre iu desh të largohej nga gjyqësori kryesisht sepse nuk mund të shpjegonte me besueshmëri origjinën e pasurisë. Përveç kësaj, për plotësimin e vendeve vakante është ngritur një institucion i ri i pavarur dhe  Shkolla e Magjistraturës po e përmirëson cilësinë e kualifikimit të tyre. Megjithë vështirësitë e mëdha që ka, kjo reformë gjyqësore është shembullore.

Në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit që publikon çdo vit Transparency International Shqipëria ishte keqësuar. A do të ndikojë negativisht ky fakt në vendimin e Këshillit të BE-së për fillimin e negociatave?

Këtë e shoh me shqetësim. Lufta kundër korrupsionit duhet të vijojë me vendosmëri dhe është një prioritet kyç për hapjen e negociatave me BE-në.

Gazetarët e rrjetit investigativ, BIRN, kanë publikuar së fundmi në bashkëpunim me "Zërin e Amerikës" protokolle përgjimesh ku flitet për blerje votash me ndihmën e krimit të organizuar, ndër të tjerash, në Durrës. A ndikojnë këto protokolle mbi imazhin e Shqipërisë në BE? Dhe nëse po, çfarë mund të bëjë Shqipëria deri në qershor për ta përmirësuar imazhin e dëmtuar?

Zbatimi i reformës zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE / ODIHR-it është i rëndësishëm për të forcuar sistemin zgjedhor e bashkë me të edhe demokracinë në Shqipëri.  Ne e kemi  mbështetur intensivisht përgatitjen e propozimeve konkrete për reformën zgjedhore – prandaj presim që kjo reformë të miratohet në Kuvend dhe të zbatohet me shpejtësi. Këtu pritet që të luajë një rol të veçantë edhe opozita, e sidomos Partia Demokratike, pasi qeveria nuk e ka shumicën e mjaftueshme të votave për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Natyrisht, shkeljet e të drejtës së votës, të cilat qysh tani janë të dënueshme, duhet të ndiqen penalisht dhe të ndëshkohen. Zgjedhjet e lira, të barabarta dhe të fshehta janë themeli i çdo demokracie të vërtetë.

Opozita ka paralajmëruar për mesin e shkurtit protesta dhe po bën thirrjen për rrëzimin e qeverisë aktuale. Cili do të ishte apeli juaj për të dyja palët?

Sigurisht që dëshiroj që protestat e paralajmëruara të jenë paqësore dhe të mos kthehen në dhunë. Demonstratat paqësore janë legjitime dhe liria e tubimit është një shtyllë e rëndësishme e kulturës së politikës demokratike. Si student edhe unë kam marrë pjesë në demonstrata. Por vendi qendror i debatit politik midis qeverisë dhe opozitës është parlamenti shqiptar dhe jo rruga. Kjo është arsyeja pse i bëj thirrje opozitës: Shqipëria ende ka detyra të mëdha përpara, të cilat kërkojnë një bashkëpunim të të gjitha forcave politike.

Opinioni shqiptar aktualisht është disi i shqetësuar në lidhje me përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e konfliktin midis Kosovës dhe Serbisë. Ish-ministri i jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka qenë kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan. Kryeministri dhe de jure ministri i jashtëm i Shqipërisë, Edi Rama, i shmanget përgjigjes së kësaj pyetjeje në publik, por shumëkush mendon se ai është pajtuar tashmë me këtë plan. Si e shikoni ju ndihmesën e Shqipërisë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës?

Integriteti territorial i vendeve të Ballkanit Perëndimor është i rëndësishëm për ne. Përpjekja për zhvendosje kufijsh ka shkaktuar vuajtje të pafundme në të kaluarën. Prandaj, sipas meje, këto përsiatje, jo vetëm që nuk premtojnë shumë sukses, por janë edhe tejet të rrezikshme. Çfarë na nevojitet, është një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila i rregullon përfundimisht marrëdhëniet, i mundëson Serbisë dhe Kosovës të anëtarësohen në BE dhe i zgjidh me marrëveshje të gjitha çështjet teknike që janë ende të hapura. Nga Shqipëria  ne presim që kjo ta përdorë në mënyrë konstruktive ndikimin e saj politik dhe të vazhdojë të angazhohet në mënyrë konstruktive për stabilitet në të gjithë rajonin. Kjo vlen veçanërisht për çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mund të jetë vetëm në interes të Shqipërisë, si pjesë e rajonit, që të parandalojë me çdo kusht një destabilizim të ri të Ballkanit Perëndimor, gjë që detyrimisht do të vijonte nga ndryshimi i kufijve.

Gjermania është kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan, por SHBA dhe Komisioni i BE-së nuk janë kundër.  Aktualisht ekziston një shtytje e madhe nga ana e SHBA-së për të arritur një marrëveshje edhe para zgjedhjeve për Parlamentin e Evropës. Si do të ndikonte kjo marrëveshje në procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit në BE?

Është e vërtetë se ka qëndrime të ndryshme në lidhje me ndryshimet kufitare. Qëndrimi ynë është se një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë duhet ta rrisë stabilitetin në të dyja vendet dhe në rajon. Unë nuk shoh se si mund të arrihet kjo me ndryshime kufijsh. Përkundrazi, Ballkani Perëndimor nuk do të binte në qetësi. Nga vendet fqinje dëgjoj vazhdimisht se ata janë të shqetësuar për këtë diskutim, sepse shohin rrezikun e efektit të dominosë. Për proceset e anëtarësimit në BE kjo me siguri që nuk do të ishte aspak e dobishme. DW

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Arrestohet ministri i Sigurisë së Bosnjës Nenad Nesic, akuzohet për korrupsion! Në pranga edhe 6 të tjerë

Arrestohet ministri i Sigurisë së Bosnjës Nenad Nesic, akuzohet për korrupsion! Në pranga edhe 6 të tjerë