Gjermania nuk mund ta furnizojë më Ukrainën me sisteme të mbrojtjes ajrore Patriot, pasi rrezikon të dobësojë mbrojtjen e saj. Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, deklaroi se Berlini ka dërguar tashmë disa sisteme dhe një numër të madh raketash, por nuk mund të vazhdojë më me këto furnizime.
“Furnizimet, veçanërisht ato të sistemeve Patriot, po bëhen të vështira. Gjermania ka dorëzuar tashmë disa sisteme dhe një numër të madh raketash. Nuk mund të bëjmë më shumë për momentin. Çdo gjë që do të dërgonim tani nuk do të mund të zëvendësohej për një periudhë të caktuar dhe kjo do të krijonte boshllëqe në mbrojtjen tonë, të cilat nuk mund t'ia lejojmë vetes” tha Pistorius në një intervistë për grupin mediatik Funke.
Ai kërkoi që aleatët e tjerë të shtojnë ndihmën për Ukrainën, duke theksuar se disa vende kanë kontribuar shumë më pak se Gjermania.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky paralajmëroi se mungesa e raketave Patriot po favorizon sulmet ruse.
“Për shkak të mungesës së raketave Patriot, kemi pësuar goditje të konsiderueshme”, shkroi ai në rrjetin social X, duke shtuar se Rusia po godet rrjetin energjetik dhe urat mbi lumin Dnipro.
Sipas Zelenskyt, gjatë natës gjashtë raketa balistike u lëshuan drejt Urës Veriore të Kievit, katër prej të cilave e goditën.
Rusia nga ana tjetër pretendon se ka rrëzuar 142 dronë ukrainas gjatë natës.
Moska po përgatitet të marrë pjesë me një delegacion të zgjeruar në bisedimet e paqes të ndërmjetësuara nga SHBA, më 10 dhe 11 nëntor në Abu Dhabi.








Komente
Komento