PRISHTINË, 25 Korrik /ATSH-B.Jashari/ -Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në takim Ambasadoren e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, e cila i dorëzoi letrat kredenciale.
Presidentja Jahjaga e vlerësoi lart mbështetjen e Gjermanisë për proceset e rëndësishme nëpër të cilat po kalon Republika e Kosovës dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të përkrahjes posaçërisht të rrugës së integrimeve evropiane për vendin. Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova ka bërë përparime të mëdha dhe se përafrimi i saj me BE-në, së bashku me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, do të krijonte stabilitet dhe paqe dhe, gjithashtu, do të ndihmonte në thellimin e reformave në shoqëri.
Në njoftimin e dërguar nga Presidenca kosovare më tej bëhet e ditur se, Ambasadorja e Republikës së Gjermanisë në Republikën e Kosovës, Angelika Viets, e falënderoi Presidenten Jahjaga për mikpritjen dhe theksoi se do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet dhe shoqërinë e Kosovës.
Ajo tha se vendi i saj do të përkrahë Kosovën në proceset demokratike dhe në veçanti në procesin e integrimeve euro-atlantike, që do të ndihmojë vendin në përmbushjen e standardeve të përcaktuara. /gj.m//a.ke/



