Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka zgjedhur një foto nga protesta e një grupi pedagogësh sot në Tiranë për të përcjellë mesazhin që tubimi nuk përfaqëson thjesht pedagogët, por Partinë Demokratike dhe familjen e Sali Berishës.

“Nuk janë pedagogët, është partia dhe familja e Saliut”, shkruan Balla në Facebook, krahas fotos ku shfaqen Argita Berisha dhe bashkëshorti i saj, Jamarbër Malltezi.

Me këtë postim, Balla e vendos theksin te përfshirja e njerëzve të afërt me kreun e PD-së në një protestë që u organizua nga një grup pedagogësh. Në marshim morën pjesë edhe figura të tjera të lidhura me PD-në.

Grupi i tubuesve të sotëm kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe, pasi marshoi drejt Kryeministrisë, përmbysi karriget e vendosura për dialog, duke grisur edhe pankartat me mbishkrimin “DIALOG”.