Grupi i hakerëve "Rhysida" ka publikuar në "dark web" rreth 6 terabyte të dhëna të vjedhura nga administrata shtetërore e Berlinit, pasi Senati refuzoi të paguante shpërblimin prej 30 Bitcoin, rreth 2 milionë euro, që ishte kërkuar për të mos i nxjerrë ato në publik.
Sipas mediave gjermane, bëhet fjalë për rreth 1 milion e 440 mijë dosje, ndërsa mes materialeve të publikuara ka edhe dokumente që lidhen me kërcënimet nga armët kimike, biologjike dhe bërthamore.
Gazetari investigativ Lars Uinkels Dorf ka ngritur alarmin në rrjetin social "X", duke e cilësuar sulmin kibernetik si një ngjarje me "magnitudë që kërcënon të gjithë shtetin".
Sipas tij, dosjet përfshijnë edhe plane që lidhen me sigurinë kombëtare, si kanalet sekrete të komunikimit të zyrtarëve qeveritarë në rast emergjencash, informacione për kompani të lidhura me industrinë e mbrojtjes, si edhe planet e përgatitura nga agjencitë shtetërore për situata krize.
Në materialet e publikuara ndodhen gjithashtu të dhëna personale të zyrtarëve shtetërorë, përfshirë certifikata lindjeje, numra telefoni dhe adresat e banesave të tyre.
Hakerët kishin paralajmëruar se do t'i publikonin të dhënat nëse autoritetet nuk paguanin shpërblimin brenda afatit të vendosur. Megjithatë, Senati i Berlinit bëri të qartë para skadimit të ultimatumit se, për arsye parimore, nuk do t'i nënshtrohej shantazhit.










Komente
Komento