Leonie Kirschstein e kishte të qartë që më parë se numri i rasteve të dhunës seksuale ndaj fëmijëve dhe të rinjve nuk do të ulej. Psikologia punon në shoqatën "Zartbitter e.V.", e cila prej gati katër dekadash shërben si pikë mbështetjeje për viktimat në Këln. Kjo organizatë këshillon të prekurit, zhvillon aktivitete ndërgjegjësuese në shkolla dhe madje vë në skenë edhe shfaqje teatrale me temë dhunën seksuale. Kirschstein, e cila punon prej tri vitesh për "Zartbitter", tha për DW-në se numri i rasteve të paraportuara është shumë më i lartë: "Në statistikat kriminale shfaqen vetëm rastet që janë denoncuar në polici. Por jo ato që ne i trajtojmë çdo ditë, në të cilat për shembull, bëhet fjalë për dhunë mes bashkëmoshatarëve; pra kur abuzimet seksuale kanë ndodhur brenda së njëjtës grupmoshë. Në shumë raste këto nuk raportohen fare, sidomos kur fëmijët janë ende shumë të vegjël. Kjo përbën pjesën më të madhe të rasteve në procesin tonë të këshillimit." Për këtë temë informohet sot edhe në rrjetet sociale.
Gjermani: Në çdo klasë shkolle ka viktima të dhunës seksuale
Tema e ngacmimeve dhe abuzimeve seksuale është më aktuale se kurrë: Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) vlerëson se vetëm në Gjermani kanë përjetuar ose po përjetojnë dhunë seksuale nga të rriturit deri në një milion fëmijë dhe të rinj. Kjo do të thotë se në çdo klasë shkolle në Gjermani ka një ose dy fëmijë që janë viktima të dhunës seksuale. Kirschstein, e cila është e specializuar për psikoterapi për fëmijë dhe të rinj, thotë se shumë viktima vazhdojnë të fajësojnë veten: "Na vijnë çdo ditë raste të reja; mbi të gjitha janë prindërit ata që telefonojnë për një konsultë fillestare. Fatkeqësisht ende vërej shumë shpesh që vajzat dhe djemtë pyesin veten nëse kanë vepruar si duhet, pra nëse e kanë thënë 'Jo'-në në mënyrën e duhur dhe nëse kjo është kuptuar si e tillë."
Abuzimi seksual i fëmijëve pa kontakt fizik
Nga raporti "Pasqyra Kombëtare e Situatës për Veprat Penale Seksuale në Dëm të Fëmijëve dhe të Rinjve 2025" rezulton se numri i rasteve të abuzimit seksual ndaj fëmijëve dhe të rinjve vazhdon të jetë shqetësuesisht i lartë, madje në shumë fusha është rritur. Vetëm numri i rasteve të "abuzimit seksual ndaj të miturve nën moshën 14 vjeç" u rrit në 17.126 raste (në vitin 2024 ishin regjistruar 16.354 raste).
Rekorde të reja janë shënuar edhe në veprat penale që lidhen me "pornografinë me të rinj" si edhe në rastet e "abuzimit seksual të fëmijëve pa kontakt fizik".
Ministri i Brendshëm gjerman Alexander Dobrindt thotë: "Shifrat e larta të rasteve të abuzimit seksual ndaj fëmijëve dhe të rinjve tregojnë se duhet t'i mbrojmë fëmijët tanë edhe më mirë, veçanërisht në botën digjitale. Autorët nuk duhet të ndihen të sigurt duke u fshehur pas anonimitetit të internetit. Në luftën kundër këtyre veprave penale të neveritshme, autoritetet tona të sigurisë kanë nevojë për mjete efektive, siç është ruajtja e adresave IP, për të identifikuar autorët, për t'i ndjekur penalisht me vendosmëri dhe për t'u dhënë fund abuzimeve që janë në zhvillim."
Rritje e rasteve të Cybergrooming dhe Sextortion
Kurse presidenti i Zyrës Federale të Policisë Kriminale (BKA), Holger Münch, paralajmëron për fenomenin e cybergrooming, pra kontaktimin e qëllimshëm të fëmijëve dhe të rinjve nga të rritur përmes internetit me synimin për të krijuar marrëdhënie me motive seksuale.
Sipas Münch: "Mbi 98 për qind e autorëve janë burra; mosha e tyre mesatare është rreth 24 vjeç. Viktimat janë kryesisht vajza, me një moshë mesatare pak më pak se 12 vjeç. Faktori kryesor i rrezikut është mungesa e ndërgjegjësimit për rreziqet që lidhen me sjelljen e tyre në internet. Ndërsa autorët e mitur veprojnë më shpesh nga mërzia ose për argëtim, autorët e rritur zakonisht kanë interesa seksuale dhe zgjedhin në mënyrë të qëllimshme të miturit si objekt."
Münch thotë se në shumë raste pas kontaktit në internet pason edhe një takim fizik, i cili përfundon me abuzim seksual.
Përditësimi i klasifikimit të veprave penale seksuale
Kerstin Claus, e Ngarkuara federale për Luftën kundër Abuzimit Seksual të Fëmijëve dhe të Rinjve, thotë se cybergrooming prek pothuajse një në tre të rinj të moshës 14 deri në 17 vjeç.
Ajo ngre edhe problemin e sextortion, shantazhit seksual, ku autori kërcënon viktimën me publikimin e fotografive, videove ose materialeve intime për ta detyruar të kryejë veprime të tjera seksuale ose të paguajë para.
Claus thotë se: "Sextortion po rritet në mënyrë drastike por deri tani nuk është i dënueshëm me ligj. Si pasojë e numrit alarmant të lartë të rasteve, ajo kërkon që adoleshentët në Gjermani të mbrohen më mirë, veçanërisht nga cybergrooming dhe sextortion. Sipas saj "sextortion duhet të përfshihet në ligj si një vepër penale seksuale më vete."/DW
Komente






