TIRANË - Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit ka vijuar procesin gjithëpërfshirës të konsultimeve për rishikimin e legjislacionit të planifikimit dhe kontrollit të territorit, me një takim të zhvilluar në orët e pasdites, me përfaqësues të Shoqatës së Ndërtuesve dhe Arkitektëve.

Në takim, ministrja Eglantina Gjermeni theksoi nevojën për rishikimin e ligjit të territorit, për ta bërë atë qartësisht dhe lehtësisht të kuptueshëm, por edhe të zbatueshëm.

Ministrja theksoi se do të ketë takime dhe konsultime të vazhdueshme me grupet e interesit dhe të gjithë aktorët, në mënyrë që të grumbullohet ekspertiza më e mirë e mundshme për të reflektuar më pas ndryshimet në ligj.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Shoqatës së Ndërtuesve, si edhe arkitektët e kanë mirëpritur këtë nismë të Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, duke theksuar se ligji ekzistues, edhe pse voluminoz, është i ngarkuar me terminologji dhe akte nënligjore, që në disa raste e bëjnë atë të pazbatueshëm.

Takimet konsultuese për rishikimin e ligjit të planifikimit të territorit parashikohet të vazhdojnë deri në muajin dhjetor, ndërsa vitin e ardhshëm ekspertiza e grumbulluar do të reflektohet në ndryshimet e nevojshme ligjore.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)