TIRANE - Një ditë pas shtyrjes së votimit në Parlament të projektligjit për energjinë elektrike, Ministri i Energjisë Damian Gjiknuri deklaroi se barra hipotekore mbi banesat do të sjellë një normim më të mirë edhe në tregun e pasurive të patundshme, pasi do të detyrojë pronarët që të jenë më të kujdesshëm me pronën e tyre. Sipas Gjiknurit fatura e energjisë ka qenë dhe do të mbetet një titull ekzekutiv.

“Ju e dini shumë mirë se fatura si titull ekzekutiv është vendosur shumë vite më parë, nuk është vendosur tani. Ka qenë titull ekzekutiv dhe do të jetë. Megjithatë, për sqarim të publikut dua tu them se ka një element që është shumë interesant: po flitet për siguri prone, prona do të jetë e pastër. Që prona të jetë e pastër duhet të jetë e shlyer nga të gjitha detyrimet. Çfarë ndodh sot? Ka shumë konsumatorë të cilët marrin një pronë dhe e kanë me detyrime të mëdha nga të tjerët, detyrime nga mospagesa e energjisë dhe aktualisht kanë problem për lidhjen e energjisë. Dikush duhet ta paguaj këtë. Ky lloj parashikimi, për mendimin tim do të sjellë një normim më të mirë edhe në tregun e pasurive të patundshme, pasi do të detyrojë pronarët të jenë më të kujdesshëm me pronën e tyre. Kur duan të shesin pronën, ta kenë të pastër dhe ti kenë shlyer të gjitha detyrimet. Nuk është normale që do të marrësh para nga prona e shitur, por nuk do të paguash detyrimet që ke ndaj utiliteteve siç është energjia elektrike. E thënë thjesht, dhe për ta bërë të qartë, kjo procedurë bën fjalë për vlera 300 mijë lekë të reja që ramë dakord dhe është një procedurë të cilën e ka Kodi Procedurës Civile. Ka vetëm një ndryshim që sjell ky ligj, që operatori mund ta kërkojë vetë vendosjen e barrës, pastaj ekzekutimi, çdo gjë tjetër bëhet sipas procedurave që janë në Kodin e Procedurës Civile”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Redaksia Online
(Gre.M/ Shqiptarja.com)