TIRANE- Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, Damian Gjiknuri ka flutruar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës me një axhendë të rëndësishme lidhur me çështjet e drejtësisë, të mbrojtjes, zgjedhjes dhe të demokracisë. Ditën e sotme deputeti socialist është ftuar të marrë pjesë në Forumin e Liderve Botëror që zhvillohet me rastin e Konventës së Demokratëve që mbahet në Sharlot, Karolina e Veriut në datat 3-6 Shtator.

Ftesa është bërë nga Bordi i Drejtuesve të Institutit Kombëtar Demokrat që kryesohet nga ish-sekretarja e shtetit Madalen Allbright. Në këtë aktivitet që zhvillohet në kuadrin e Konventës marrin pjesë personalitete të njohura politike apo diplomatike, ndërmjet të cilëve ish sekretaria Ollbrajt, ish presidenti Klinton, Senatori John Kerry, Nensy Pallosi, anëtarë të kongresit amerikan, si dhe politikanë të shquar të mbi 100 shteteve të botës, etje.

Pas këtij aktiviteti, Z. Gjiknuri pritet të udhëtojë në Washington DC për të zhvilluar takime me zyrtarë të Departamentit të Shtetit, Departamentit të Drejtësisë dhe Departamentit të Mbrojtjes. Në këto takime do të diskutohen çështjet më të mprehta të politikës në vend, gjë që duket edhe nga përfshirja në axhenden e takimeve të tre departamenteve më të rëndësishme të administratës amerikane dhe që lidhen direkt me disa nga çështjet më aktuale për të cilat SHBA tregon interes në vend, si demokracia, drejtësia, mbrojtja dhe zgjedhjet.
(sg/shqiptarja.com)