Sërish politika shqiptare i drejton sytë nga ndërkombëtarët për të zgjidhur krizat e brendshme, që këtë radhë po mbajnë peng reformën zgjedhore. Bashkëkryetari i komisionit për këtë reformë, Damian Gjiknuri, i kërkoi ambasadores amerikane në vendin tonë, Yuri Kim të ndërhyjë për nisjen e tryezës politike ku pjesë është edhe opozita jashtëparlamentare me dy përfaqësues.

"Kërkova mbështetjen e SHBA për të nxitur dhe shtyrë përpara rifillimin e tryezës së dialogut politik, dakordësimin e çështjeve të mbetura pezull dhe përmbylljen e reformës brenda Qershorit. Miratimi i ligjit të ri elektoral na hap rrugën më pas për arritjen e konsensusit edhe për reformimin e financimit të partive politike, parakusht për shëndoshjen e sistemit demokratik", shkruan Gjiknuri në rrjetet sociale teksa ka postuar dhe foto nga takimi nga komunikimi online me kryediplomaten amerikane.

Mbledhja e komisionit të reformës zgjedhore do të mbahet të mërkurën. Teksa pandemia COVID-19 shtyu 31 marsin si kufirin që zgjedhorja duhej të ishte miratuar në parlament mbi draftin e dalë me konsensus nga tryeza politike, pritshmëritë janë që reforma të miratohet para verës. Por deri më tani bashkëkryetarët Damian Gjiknuri Rudina Hajdari, dhe dy ish deputetët e PD e LSI, Oerd Bylykbashi e Petrit Vasili, nuk kanë zhvilluar asnjë takim në tryezën që do të prodhonte konsensusin.