TIRANE - Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri priti në një takim Kjetil Tungland, Drejtori aktual Menaxhues i Projektit TAP dhe Ian Bradshaë, Drejtori i ri Menaxhues i Projektit TAP.

Gjatë këtij takimi u diskutua ecuria e deri tanishmë e projektit TAP dhe hapat që ka ndërmarrë Shqipëria në kuadër të bashkëpunimit për realizimin e projektit. Shumë shpejt pritet të nisë dhe puna në terren për ndërtimin e rrugëve të aksesit.

Ministri Gjiknuri shprehu edhe njëherë gatishmërinë e palës shqiptare për të mbështetur realizimin e këtij projekti duke synuar njëkohësisht maksimalizimin e përftimeve ekonomike të vendit tonë nga kalimi i këtij gazsjellësi.

Gjiknuri njohu drejtuesit e TAP-it për masat e ndërmarra deri më tani nga qeveria edhe sa i takon çështjes së gazifikimit të vendit. Ministri tha se tanimë është siguruar fondi dhe po punohet për masterplanin e gazit në Shqipëri ndërsa në bashkëpunim me qeverinë e Azerbaxhanit dhe kompaninë shtetërore të naftës SOCAR do të mundësohet hartimi i studimit të fizibilitetit.

Nga ana e tyre drejtorët e TAP vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm me qeverinë shqiptare dhe konkretisht me Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë në drejtim të përmbushjes së detyrimeve reciproke.

gjiknuri me tap

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)