TIRANE, 13 Nëntor/ATSH/- Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri inspektoi sot zyrën e OSHEE në Fushë Krujë ku një ditë më parë iu vendos tritol. Pavarësisht këtij akti terrorist ministri theksoi se aksioni kundër vjedhjes së energjisë do të vazhdojë.
"Aktet terroriste kanë për qëllim frikësimin e punonjësve të OSHEE. Aksioni kundër vjedhjes së energjisë do të vazhdojë", theksoi ministri Gjiknuri. Sipas Gjiknurit, nuk ka terrorizëm që do të frenojë betejën e ligjit me antiligjin, apo shumicën e qytetarëve të ndershëm që respektojnë ligjin dhe mbështesin masivisht këtë veprimtari të policisë dhe të OSHEE ndaj abuzuesve, vjedhësve apo inspiruesve të tyre politikë. "Kjo është një fushatë që nuk do të ndalet, pasi është në të mirë të reformave në energjetikë, në të mirë të sigurimit të furnizimit me energji elektrike, në të mirë të mbarë qytetarëve të cilët duan zbatimin e ligjit, duan të jenë të ndershëm me pagesat dhe është vetëm një pakicë që sado agresive dhe violente të jetë, nuk mund të mbysë zërin e shumicës së qytetarëve shqiptarë", tha Gjiknuri.
Ndërsa administratori i OSHEE-së, Arben Seferaj tha se beteja për frenimin e vjedhjes së energjisë nuk është një operacion, por është një punë, e cila do ketë rezultate kur çdo fije të çinstalohet nga ndërhyrjet e paligjshme. Zyrat e OSHEE në qytetin e Fushë-Krujës një ditë më parë janë bërë objekt i një sulmi me tritol. Një sasi eksplozivi i është vendosur zyrave të këtij institucioni, duke shkaktuar dëme materiale./a.gjonaj/./a.g/