Deputeti Damian Gjiknuri, në fjalën e tij në seancën që po shqyrtohet kërkesa e PD-së për shkarkimin e Niko Peleshit si kryetar i Kuvendit, trajtoi të gjitha pikat që pretendojnë opozitarët se janë shkelur. Gjiknuri u ndal edhe te Diella, e cila shkaktoi edhe debatin në një nga seancat e kaluara. Ai hodhi poshtë pretendimet e opozitarëve se kreu i qeverisë Edi Rama provokoi duke përdorur fjalën e Diellës në Kuvend, duke shtuar se thjesht përdori një mjet teknologjik.

Ironizoi edhe Sali Berishën, teksa tha se dikur kur drejtonte vendin në vitin 2007 fliste për Shqipëri me fuqi bërthamore dhe se ngriti edhe një grup pune.

“Pretendimet qëndronin në tre drejtime. E para pse u ndryshua rregullorja dhe pse u thërrit mbledhja në afate të shkurtra pa pritur afatin 7 ditor. E dyta, ndërprerja e seancës dhe deputetëve të opozitës dhe e treta, nuk u respektua debate parlamentar për programin qeverisës. Elementi i parë është pabesia, u tha këtu. Ne jemi Kuvend sovran, ne bëjmë rregullat tona. Për cfarë ishte thelbi i ndryshimit, do të krijoheshin disa komisione të reja dhe ishte deklaruar publikisht. Të gjitha palët kishin marrë masat për rialokimin e personelit parlamentar. Me vetëdije kishin pranuar pa bërë ndryshimin e rregullores përbërjen e re. Gjykata Kushtetuese thotë se rregullorja e Kuvendit është akt sovran i brendshëm normative i kuvendit dhe e shtrin efektin vetëm brenda anëtarëve të Kuvendit. Nuk është ligj.

Pretendimi i dytë se pse kryeministri provokoi sallën kur paraqiti programin qeveritar. Kushtetuta përcakton se çfarë ka detyrë Këshilli i ministra për paraqitjen e programit. U tha se kryeministri provokoi nëpërmjet Diellës. Kryeministri në fjalën e tij përdori mjete ndihmëse teknologjike, dikush do të thotë një avatar, i cili nuk është ministër. Kryeministri, në dekretin e presidentit, ka thënë jam përgjegjës për ngritjen e ministrisë të programit, që në këtë rast quhet Diella. Mund të quhej Manhattan Project. Kryeministri merr përgjegjësinë e një sektori qeveritar, AI. Dhe dekreti i presidentit thotë se kryeministri është përgjegjës për këtë. Mund të thoshte ministria për hapësirën ajrore. Dikur ka pasur kryeministri i 2007 Shqipëria fuqi bërthamore, ngriti një grup pune…Do të thotë që kryeministri po paraqiste një element të ri në qeverisjen e vendit. E bëri nëpërmjet mjeteve elektronike..”, tha mes të tjerash Peleshi.  

Më tej, Gjiknuri tha se Peleshi ka pasur një pozicion të vështirë ndërsa kaosi ka mbizotëruar në Kuvend. Sipas tij, nuk ka kryer asnjë shkelje por ka mbrojtur rendin kushtetues.

“Le të shërbejë ky votim kundër shkarkimit të kryetarit dhe të shërbejë si mësim që ne nuk nxjerrim gjë nga të sharat me njëri-tjetrin. Të mos ofendohet tjetri, Niko Peleshi ka bërë maksimumin e tij dhe me natyrën e tij. Niko ka një cilësi, është natyrë e qetë, është natyrë që do të përfshijë sa më shumë njerëz në debat. Pozicioni i tij i vështirë kur kaosi mbizotëron mbi rendin, ka ndërprerë seancën, por nuk i atribuohet asnjë shkelje e karakterit kushtetues por ka mbrojtur rendin kushtetues.”, tha Gjiknuri.


Lajmi kryesor:

Me 79 vota kundër, rrëzohet kërkesa për shkarkimin e Peleshit! PD nuk merr pjesë në votim! Kryetari i Kuvendit: Jeni përçarës