TIRANË -  Me 79 vota kundër, është rrëzuar kërkesa e PD-së për shkarkimin e Niko Peleshit si kryetar i Kuvendit. 10 deputetë votuan pro ndërsa asnjë nuk abstenoi. Votimi u bë në mënyrë të fshehtë ndërsa PD-ja, që vetë e inicioi këtë proces, nuk mori pjesë. Burime bëjnë me dije se nga opozita kanë votuar 8 deputetë pro shkarkimit, ndërsa dy votat e tjera që ishin pro kanë "rrjedhur" nga maxhoranca. 

Arsyen e mospjesëmarrjes në votim e sqaroi Sali Berisha jashtë Kuvendit, teksa akuzoi sërish për shkelje të rregullores. Sipas tij, duhet të ishin hedhur të dy raportet për votim, i PD për shkarkimin dhe të PS që e kundërshtonte, dhe më pas të kalohej në votimin për shkarkimin e Peleshit. Sipas Berishës, nënkryetarja Klodiana Spahiu kaloi direkt në votimin për shkarkimin sepse kishte marrë urdhër.

“Aty janë dy raporte, hidhen dy raportet dhe pastaj bëhet votimi. Këta nuk njohin rregullore, këta njohin vetëm urdhra që marrin dhe pastaj bëjnë të paditurin. E dëgjuat Peleshin se si u përpoq të mbrojë kolapsin e plotë parlamentar që ka krijuar. Ka ndodhur ndonjëherë në historinë e ndonjë Kuvendi që për 28 minuta të miratohet program i qeverisë dhe kabineti. Ajo bëri një votim sipas urdhrit dhe e mbyllën”, tha Berisha.

Peleshi, në fjalën që mbajti, para votimit, akuzoi opozitën për përçarje. Peleshi hodhi poshtë akuzat se favorizon mazhorancën, duke thënë se opozita ka pasur 60% të kohës së fjalës në Kuvend.

"Do t'i përgjigjem shkakut të vërtetë të kësaj procedure, shkaku i vërtetë nuk jam unë, nuk është favorizimi i një krahu politik, kundër një krahu tjetër. Mazhoranca ka folur 291 minuta kundrejt 439 minutave të opozitës, pra 60% të kohës e ka patur opozita. Shkaku që na sjell në këtë procedurë është frymë antagoniste dhe përçarëse nga e cila nuk heqim dot dorë", tha Peleshi. 

Deputeti demokrat, Ivi Kaso, teksa renditi shkeljet e pretenduara se janë kryer nga Peleshi, tha se nuk kërkonin ndëshkimin e një personi por rikthimin e Kuvendit në bazat institucionale. Sipas tij, Peleshi në pak javë në këtë post, nuk ka qenë garant i barazisë parlamentare por një zgjatim i kryeministrit. 

“Zoti Peleshi në këtë muaj e gjysmë në këtë funksion nuk ka qenë garant i barazisë parlamentare, siç duhet të jetë sapo të marrë detyrën, por zgjatimi i vullnetit të kryeministrit, ka legjitimuar praktikë të rrezikshme, përjashtimin e opozitës nga debate parlamentare.", tha ai.

Socialisti Damian Gjiknuri, nga ana e tij, shtoi se Peleshi thjesht ka mbrojtur rendin kushtetues ndërsa në seancë ka mbizotëruar kaosi. 

"Niko Peleshi ka bërë maksimumin e tij dhe me natyrën e tij. Niko ka një cilësi, është natyrë e qetë, është natyrë që do të përfshijë sa më shumë njerëz në debat. Pozicioni i tij i vështirë kur kaosi mbizotëron mbi rendin, ka ndërprerë seancën, por nuk i atribuohet asnjë shkelje e karakterit kushtetues por ka mbrojtur rendin kushtetues.”, tha Gjiknuri.

Në kërkesën e tyre, demokratët rendisnin 5 shkelje. Sipas PD, Peleshi thirri mbledhjen e Kuvendit për ndryshimin e rregullores si dhe mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin pa respektuar afatin e parashikuar, iu ka hequr të drejtën për të folur deputetëve dhe kreut të Grupit Parlamentar Gazment Bardhi, si dhe nuk ka mundësuar prezantimin e programit qeverisës. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:07
Rrëzimi i kërkesës për shkarkimin e Peleshit, Balla-Berishës: U mbush mali me rrush dhe polli vetëm 10 vota! Kishit 36 firmëtarë, ku iu humbën

 

Kreu i Grupit të PS-së, Taulant Balla iu përgjigj pretendimeve të Sali Berishës se në fillim duhet që të ishin votuar dy raportet e PD dhe PS dhe më pas të votohej për shkarkimin e Niko Peleshit si kryetar Kuvendit. Por Balla tha se raportet janë relacione shoqëruese për diskutim dhe nuk kalojnë në votim.

Më pas ironizoi se 26 nga deputetët demokratë që firmosën kërkesën për shkarkimin e Peleshit ‘firuan’ dhe vetëm 10 deputetë votuan pro.

“Sa i përket kërkesës së 36 deputetëve për shkarkimit e kryetarit të kuvendit, zoti Këlliçi dhe ju të nderuar anëtarë të PD, neni 114, pika 4 e rregullores e ka sqaruar votohet kërkesa. Raportet janë relacione shoqëruese mbi bazën e arsyetimeve. Bazuar në nenin 60, pika 1, votimi bëhet i fshehtë. Nuk ka pasur një kërkesë dhe nuk u përmend këtu, të depozituar nga ana juaj për mënyrën e votimit, dhe për pasojë sqaroni edhe kryetarin e partisë tuaj, mos të dalë në tv që t’ja fusë kot, jo votohet raporti…Ej doktor vetëm kërkesa për shkarkimin votohet. Dezertimin tuaj që u mbush mali plot me rrush dhe na polli vetëm 10 vota në favor të kërkesës për shkarkim shkoni dhe mblidhni grupin, gjejeni ku ju kanë shkuar votat, nuk kanë ardhur nga ne por nuk dihet ku kanë ikur. Na vjen keq që keni humbur edhe 26 nga firmëtarët. Erdhët me 36 veta dhe sot dolët me 10, po të vinit një herë tjetër s’dihet si dilni.”, tha ai.

Ora 11:38
PS nuk ‘lëshoi’ Peleshin, Bardhi: Kryevartës i Taulant Ballës

1760625914_gazmentbardhi.jpg

Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi ka reaguar pasi mazhoranca votoi kundër shkarkimit të Niko Peleshit. Bardhi shkruan se Peleshi është Kryevartës i Taulant Ballës.

“Niko Peleshi mund të vazhdojë të qëndrojë në detyrë me votën e 79 memec-deputetëve, por ai vazhdon në këtë funksion si Kryevartës i Taulant Ballës, jo si Kryetar i Kuvendit të 140 deputetëve.

Ai hyri tashmë në historinë e parlamentarizimit të vendit si Kryetari për të cilin u kërkua shkarkimi nga detyra pa mbushur as një muaj në detyrë. U zgjodh me 85 vota e u mbajt në detyrë me 79 vota një muaj më vonë. Këtë arritje historike në vetëm 1 muaj mund ta ketë vetëm një funksionar kushtetues i paaftë dhe i padenjë për një detyrë të lartë shtetërore”, thuhet në reagimin e Bardhit.

Ora 11:35
PD nuk mori pjesë në votimin për shkarkimin e Peleshit, Berisha: Duhej të hidheshin në votim të dy raportet

 

Kreu i PD, Sali Berisha thotë se nuk mornë pjesë në votimin për shkarkimin e Niko Peleshit pasi nuk u hodhën në votim të dyja raportet, ai i opozitës dhe mazhorancës.

“Aty janë dy raporte, hidhen dy raportet dhe pastaj bëhet votimi, këta nuk njohin rregullore, këta njohin vetëm urdhra që marrin dhe pastaj bëjnë të paditurin. E dëgjuar Peleshin se si u përpoq të mbrojë kolapsin e plotë parlamentar që ka krijuar. Ka ndodhur ndonjëherë në historinë ndonjë kuvendi që për 28 minuta të miratohet programi i qeverisë dhe kabineti. Thotë do ta bëj parlamentin europian, cili është standard europian kur parlamenti ka delikuent”, tha Berisha.

Ora 11:08
Kërkesa e PD për shkarkimin, Peleshi: Opozita ka pasur 60% të kohës së fjalës, jeni përçarës! Suksesi në politikë nuk e ka kusht denigrimin

 

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi ka folur për kërkesën e PD për shkarkimin e tij. Peleshi tha se shkaku që sot ndodhen në këtë pikë nuk është shkelja e rregullores dhe as ai vetë, por fryma e përçarjes që mbjell opozita. Peleshi hodhi poshtë akuzat e opozitës se favorizon mazhorancën, duke thënë se opozita ka pasur 60% të kohës së fjalës në Kuvend.

"Para pak javësh ndodhi një ngjarje e rëndë, një gjyqtar u qëllua për vdekje në sallë. Nga ai moment dhe në vazhdim u shpërfaq një ngjarje akoma më e rëndë, në rrjetet sociale pati një numër jo të vogël reagimesh që u solidarizuan me autorin e krimit. Mbase tani dikush pyet çlidhje ka kjo me procedurën e shkarkimit të kryetarit të Kuvendit. Do ti përgjigjem shkakut të vërtetë të kësaj procedure, shkaku i vërtetë nuk jam unë, nuk është favorizimi i një krahu politik, kundër një krahu tjetër. Mazhoranca ka folur 291 minuta kundrejt 439 minutave të opozitës, pra 60% të kohës e ka patur opozita. Shkaku që na sjell në këtë procedurë është frymë antagoniste dhe përçarëse nga e cila nuk heqim dot dorë", tha Peleshi. 

Një këshillë ia jep kolegëve të opozitës duke thënë se ka fituar 13 fushata dhe se ka kuptuar se suksesi në politikë nuk e ka kusht denigrimin. 

Fjala e plotë e Niko Peleshit

Para pak javësh ndodhi një ngjarje e rëndë. Një gjyqtar u qëllua për vdekje në sallën e gjyqit. Nga ai moment e në vazhdim u shfaq një ngjarje akoma më e rëndë, në rrjete sociale pati një numër jo të vogël reagimesh që u solidarizuan me autorin e krimit. Mbase tani dikush pyet: ç’lidhje ka kjo me këtë procedurë shkarkimi të Kryetarit të Kuvendit? Bëni pak durim.

Unë do t’i përgjigjem shkakut të vërtetë të kësaj procedure dhe jo pasojës. Shkaku i vërtetë, nuk jam unë. Nuk është favorizimi i një krahu kundër një krahu tjetër. Mazhoranca ka folur 291 minuta kundrejt 439 minutave të opozitës (pra 60% të kohës). Shkaku që na ka sjellë në këtë procedurë është fryma antagoniste dhe përçarëse nga e cila nuk heqim dot dorë. Nuk është shkelja e rregullores apo e Kushtetutës. Ajo është vetëm etiketa e përdorur qëllimisht gabim. Sepse rregullorja nuk të lejon të fyesh, të shash, të akuzosh, të bllokosh foltoren, të pengosh fjalën e deputetëve të tjerë, apo të vendosësh të mos zbatosh masat disiplinore.

Po Kushtetuta? Pak gjasa ka të shqetësohesh për Kushtetutën e Republikës, ta respektosh e ta lexosh me kujdes atë, nëse je gati ta flakësh në ajër e madje ta përdorësh librin e Kushtetutës si gur mbi kokën e kundërshtarit politik. Problemi nuk jam unë, por mungesa e vullnetit për t’u angazhuar në një sjellje të re politike. Në respektim real, jo fals, të Kushtetutës, rregullores dhe traditës parlamentare.

Kushtetuta, rregullorja apo tradita parlamentare garantojnë të drejtat e deputetit, por gjithashtu ndalojnë keqpërdorimin e të drejtës. Keqpërdorimi i të drejtës duhet të jetë vija e kuqe ku mbaron e drejta jonë për të folur e për t’u dëgjuar. Nëse do të biem dakord për këtë, ashtu siç na detyron në fakt Kushtetuta dhe rregullorja - germa dhe fryma, ambicia dhe standardi europian i parlamentarizmit - atëherë nuk do të përballemi më me situata të shëmtuara që pamundësojnë zhvillimin e seancës. Por mesa duket nuk është kaq e thjeshtë. Në këtë mocion për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit na ka sjellë rezistenca për të mos lejuar askënd, në pozicionin që unë kam nderin të mbaj sot, të guxojë të ndryshojë këtë sallë nga arenë dhune verbale në arenë të mendimeve alternative dhe politikës konstruktive.

Apo të shkurajojë personalizmin e diskursit politik, si pjesë e kulturës nga e cila duhet të ndahemi. Ndaj le ta veshim këtë sallë, ku edhe unë bëj pjesë prej vitesh tashmë, me përgjegjësitë e vërteta dhe shpesh të pathëna. Kjo kulturë që kultivohet këtu, vret. Vret shpresat e të rinjve. Vret besimin tek e nesërmja. Vret optimizmin. E sado e rëndë që mund të tingëllojë për veshët tanë, unë do ta them: Kjo kulturë e urrejtjes këtu ka pjesën e vet edhe në dhunën në shoqëri! Duhet të përballemi me këtë të vërtetë të pakëndshme: Parlamenti nuk pasqyron thjesht shoqërinë; ai e formëson atë. Çdo fjalë e shqiptuar në këtë sallë jehon përtej këtyre mureve.

Kur qytetarët ndezin televizorin ose shfletojnë telefonin, na shohin ne, përfaqësuesit e tyre të zgjedhur, të angazhuar në diskurs politik. Pavarësisht nëse e pranojmë apo jo, qoftë për mirë apo për keq, ne po u mësojmë atyre se si funksionon demokracia, si duhet të sillemi kur nuk merremi vesh, si duhet të reagojmë kur mendojmë se na shkelet e drejta. Kur merremi me sulme denigruese personale, kur bërtasim kundër njëri-tjetrit, kur i trajtojmë kundërshtarët si armiq në vend që t’i shohim si shërbëtorë të përbashkët të të mirës publike, ne e kthejmë në normë këto sjellje.

Ne u themi zgjedhësve tanë se kjo është mënyra se si duhet të veproni kur nuk ju pëlqen mendimi apo vendimi i tjetrit. Degradimi i diskursit parlamentar krijon efekt kaskadë në të gjithë shoqërinë. Kur përdorim gjuhë nxitëse, ajo bëhet fjalori i argumenteve të tryezës së darkës dhe komenteve në rrjetet sociale. Kur i demonizojmë ata që kanë pikëpamje të ndryshme, ne u japim leje fqinjëve të shohin njëri-tjetrin me armiqësi. Kur manipulojmë me gjysmë të vërteta apo shpifje, ne gërryejmë themelin e përbashkët të fakteve mbi të cilin duhet të qëndrojë debati publik.

Incidenca në rritje e gjuhës së urrejtjes, polarizimi në rritje brenda komuniteteve, vullneti në rënie për t’u angazhuar në dialog përtej ndarjeve politike janë fenomene që nuk dalin në vakum. Ato lulëzojnë në tokën që ne kemi ushqyer me shembullin tonë. E kemi transformuar parlamentin nga një forum demokratik në një arenë lufte. Seancat që kanë degraduar në përplasje fizike, hedhje sendesh dhe fjalësh kundër njëri-tjetrit, janë në fakt dëshmi të paaftësisë sonë për t’u shkëputur nga kjo kulturë. Reagimi juaj me këtë mocion është asgjë më shumë se sa përpjekje për ta vendosur Kryetarin e Kuvendit nën presionin e së shkuarës. Pra, të vazhdimit të vazhdimit.

Unë ju falënderoj që ma jepni mundësinë ta sqaroj edhe njëherë: Unë do të përpiqem dhe do të bëj gjithçka kam në dorë që ky Parlament t’i ngjasojë gjithnjë e më tepër një parlamenti europian. Natyrisht, jo i vetëm, por me të gjithë ata deputetë, të vjetër apo të rinj, nga të gjitha krahët e politikës, që e kanë vullnetin për të parë drejt të ardhmes së Shqipërisë në BE. Ate që nuk ia kam lejuar vetes në gjithë jetën time politike, dhe që përkon edhe me frymën dhe germën e rregullores dhe kodit tonë të sjelljes, të mbetur në letër, unë, brenda të drejtës sime ligjore dhe legjitime, nuk kam si ta lejoj për të tjerët.

Në jetën time politike unë nuk kam denigruar askënd. Nga kjo foltore nuk kam sulmuar personalisht askënd. Nuk kam fyer, nuk kam shpifur, nuk kam përmendur emra familjarësh apo individësh, nuk kam shkelur mbi personalitetin e askujt. Dhe, e dini? Kam drejtuar 13 fushata politike dhe kam fituar 13 herë. Nëse kërkoni një lloj tjetër personaliteti, ky nuk jam unë dhe sot keni mundësinë të votoni pro shkarkimit. Përtej modestisë, unë mendoj se kur kjo sjellje politike, pa sulme personale, të mos quhet dobësi, por të kthehet në normë, atëherë ne do të kemi bërë edhe një hap tjetër drejt Europës. Etika e debatit kërkon që ne të angazhohemi me argumente të forta, jo me karikatura të dobëta. Etika na kërkon të modelojmë përulësi intelektuale, pra pranimin që edhe mund të jemi gabim, që edhe mund të mësojmë nga ata me të cilët nuk biem dakord.

Gjuha nuk është neutrale. Fjalët mund të ndriçojnë ose të errësojnë, të bashkojnë ose të ndajnë, të shërojnë ose të vrasin. “Gjuha kocka s’ka, por kocka thyen,” thotë populli. Kur ne vendosim gjuhën politike si armë, duke folur për kolegët tanë si “armiq”, ne kontribuojmë në një kulturë politike në të cilën dhuna, qoftë retorike apo fizike, bëhet opsion. Në rastin më të keq, kultura që kemi lejuar të zhvillohet i kthen diferencat politike në kërcënim ekzistencial.
Qytetarët fillojnë t’i shohin ata që votojnë ndryshe jo si fqinjë me prioritete të ndryshme, por si armiq që duhen mundur me çdo mjet të nevojshëm.

Kur institucione të respektuara si Parlamenti modelojnë retorikë përçarëse dhe armiqësore, këto tendenca përshpejtohen. E si mund të mbijetojë demokracia kur qytetarët e shohin gjysmën tjetër të bashkëqytetarëve të tyre si pjesëmarrës të paligjshëm në jetën demokratike? E megjithatë, ky është pikërisht botëkuptimi që ne kultivojmë kur angazhohemi në retorikë ndarëse dhe kur e trajtojmë kompromisin dhe konsensusin si tradhti. Ne nuk mund të vazhdojmë në rrugën ku jemi, duke kontribuar në polarizimin dhe fragmentimin e shoqërisë sonë.

Duhet të njohim përgjegjësinë dhe mundësinë tonë unike për të modeluar një shoqëri më të mirë. Demokracia e fuqishme kërkon debat të fuqishëm. Por fuqia nuk duhet të përmbajë dhunë. Opozitarizmi nuk duhet të përjashtojë respektin. Devotshmëria ndaj partisë nuk duhet të matet me aftësinë për sulme personale. Ne mund të mos biem dakord me forcë, ndërkohë që pranojmë angazhimin tonë të përbashkët ndaj vlerave demokratike. Ne mund të kritikojmë ashpër politikat apo projektligjet, ndërkohë që tregojmë mirësjellje ndaj atyre që i propozojnë ato. Ne mund t’i mbajmë të forta bindjet tona, ndërkohë që mbetemi të hapur për t’u bindur nga dëshmitë dhe argumentet. Askush nuk humbi politikisht nga seanca e fundit:

Opozita mori kohën që i takon, çdo deputet, pavarësisht partisë që përfaqëson, pati mundësi të flasë në çdo pikë të rendit të ditës. Institucionet e pavarura patën mundësi të raportojnë e t’u përgjigjen pyetjeve. Deputetët patën mundësi të bëjnë komentet e tyre mbi përgjigjet. Pra, një hapësirë normale politike e demokracie. Unë ju ftoj të krijojmë së bashku pikërisht këtë mjedis normal, ku debati politik zhvillohet në normalitet dhe në liri të plotë fjale e veprimi politik, për sa kohë që nuk shkel në lirinë e tjetrit. Unë bëj thirrje sot për një ndryshim themelor në kulturën parlamentare, një ndryshim që njeh rolin tonë si shembull demokratik dhe pranon peshën tonë në çdo përgjegjësi.

Ora 11:06
Gjiknuri në Kuvend: Rama provokoi me Diellën? Përdori një mjet teknologjik, Berisha në 2007 ngriti një grup pune për Shqipërinë bërthamore…

 

Deputeti Damian Gjiknuri, në fjalën e tij në seancën që po shqyrtohet kërkesa e PD-së për shkarkimin e Niko Peleshit si kryetar i Kuvendit, trajtoi të gjitha pikat që pretendojnë opozitarët se janë shkelur. Gjiknuri u ndal edhe te Diella, e cila shkaktoi edhe debatin në një nga seancat e kaluara. Ai hodhi poshtë pretendimet e opozitarëve se kreu i qeverisë Edi Rama provokoi duke përdorur fjalën e Diellës në Kuvend, duke shtuar se thjesht përdori një mjet teknologjik.

Ironizoi edhe Sali Berishën, teksa tha se dikur kur drejtonte vendin në vitin 2007 fliste për Shqipëri me fuqi bërthamore dhe se ngriti edhe një grup pune.

“Pretendimet qëndronin në tre drejtime. E para pse u ndryshua rregullorja dhe pse u thërrit mbledhja në afate të shkurtra pa pritur afatin 7 ditor. E dyta, ndërprerja e seancës dhe deputetëve të opozitës dhe e treta, nuk u respektua debate parlamentar për programin qeverisës. Elementi i parë është pabesia, u tha këtu. Ne jemi Kuvend sovran, ne bëjmë rregullat tona. Për cfarë ishte thelbi i ndryshimit, do të krijoheshin disa komisione të reja dhe ishte deklaruar publikisht. Të gjitha palët kishin marrë masat për rialokimin e personelit parlamentar. Me vetëdije kishin pranuar pa bërë ndryshimin e rregullores përbërjen e re. Gjykata Kushtetuese thotë se rregullorja e Kuvendit është akt sovran i brendshëm normative i kuvendit dhe e shtrin efektin vetëm brenda anëtarëve të Kuvendit. Nuk është ligj.

Pretendimi i dytë se pse kryeministri provokoi sallën kur paraqiti programin qeveritar. Kushtetuta përcakton se çfarë ka detyrë Këshilli i ministra për paraqitjen e programit. U tha se kryeministri provokoi nëpërmjet Diellës. Kryeministri në fjalën e tij përdori mjete ndihmëse teknologjike, dikush do të thotë një avatar, i cili nuk është ministër. Kryeministri, në dekretin e presidentit, ka thënë jam përgjegjës për ngritjen e ministrisë të programit, që në këtë rast quhet Diella. Mund të quhej Manhattan Project. Kryeministri merr përgjegjësinë e një sektori qeveritar, AI. Dhe dekreti i presidentit thotë se kryeministri është përgjegjës për këtë. Mund të thoshte ministria për hapësirën ajrore. Dikur ka pasur kryeministri i 2007 Shqipëria fuqi bërthamore, ngriti një grup pune…Do të thotë që kryeministri po paraqiste një element të ri në qeverisjen e vendit. E bëri nëpërmjet mjeteve elektronike..”, tha mes të tjerash Peleshi.  

Më tej, Gjiknuri tha se Peleshi ka pasur një pozicion të vështirë ndërsa kaosi ka mbizotëruar në Kuvend. Sipas tij, nuk ka kryer asnjë shkelje por ka mbrojtur rendin kushtetues.

“Le të shërbejë ky votim kundër shkarkimit të kryetarit dhe të shërbejë si mësim që ne nuk nxjerrim gjë nga të sharat me njëri-tjetrin. Të mos ofendohet tjetri, Niko Peleshi ka bërë maksimumin e tij dhe me natyrën e tij. Niko ka një cilësi, është natyrë e qetë, është natyrë që do të përfshijë sa më shumë njerëz në debat. Pozicioni i tij i vështirë kur kaosi mbizotëron mbi rendin, ka ndërprerë seancën, por nuk i atribuohet asnjë shkelje e karakterit kushtetues por ka mbrojtur rendin kushtetues.”, tha Gjiknuri.

Ora 10:48
Kaso-Peleshit: Jep dorëheqjen para votimit! Ik me dinjitet, dhe lërja drejtimin Ballës, kryetarit real të Kuvendit

 

Deputeti i PD-së, Ivi Kaso, në fund të fjalës së tij në Kuvend, i bëri një thirrje Niko Peleshit që të japë dorëheqjen nga detyra e kryetarit të Kuvendit para se të shkarkohet me votë. Ai ironizoi teksa tha se duhet t’ia lërë vendin kryetarit real të Kuvendit, Taulant Ballës.  

“I bëj një apel personal kryetarit të kuvendit, ik përpara votimit dhe jep dorëheqjen. Zgjidh dinjitetin tënd përpara detyrës së partisë, do të ikësh pa dinjitet se je ai që ke tentuar të heshtësh opozitën në sallën e sovranit dhe të zerosh rolin e parlamentit në demokraci. Do të ikësh pa dinjitet por do të çlirosh kuvendin nga detyra e kryetarit që nuk deshi të ngrihej në lartësinë e detyrës që ajo karrike meriton, por të paktësh do t’i kthesh drejtimin e kuvendit, kryetarit real, atij që sot drejton grupin parlamentar të PS, që është ulur pranë teje.”, tha Kaso.

Ora 10:29
Raporti i PD për shkarkimin e Peleshit, Ivi Kaso: S’po kërkojmë ndëshkimin e një personi, por rikthim në standartet institucionale

 

Deputeti Ivi Kaso, në fjalën e tij në Kuvend, ku po diskutohet për raportin e PD-së për shkarkimin e Niko Peleshit si kryetar, tha se ky institucion po kthehet në një institucion pa zë dhe dinjitet. Sipas tij, kërkesa e tyre për shkarkim nuk ka të bëjë me një aksion tjetër të opozitës, por është një thirrje për të bërë një përpjekje të përbashkët për të ndaluar rrëshkitjen e Kuvendit, si organi më i lartë në vend, në një “institucion të heshtur, të nënshtruar dhe të zbrazët”.

Kaso tha gjithashtu se nuk po kërkojnë thjesht ndëshkimin e Peleshit, por rikthim në standartet institucionale.

“Sot nuk jemi në një seancë me rend dite të zakonshëm dhe për të bërë debat por për të adresuar një zgjidhje në të cilën kuvendi po rrezikon të kthehet në një institucion formal, pa zë dhe pa dinjitet, dhe kjo nuk po vjen si pasojë e ndonjë sulmi apo krize të jashtme, por i mënyrës se si po drejtohet ky institucion nga kryetari Peleshi. Në dy seanca 16 dhe 18 shtator, vetëm 4 dhe 6 ditë pasi ishte betuar mbi Kushtetutë, zoti Peleshi ka konsumuar një sërë shkeljesh të rënda, të përsëritura dhe të qëllimshme, që nuk kanë pasur vetëm mbylljen e zërit të opozitës në parlament, por kanë cenuar autoritetin e organit më të lartë në një shtet demokratik. Kjo nismë për shkarkim nuk është aksioni i radhës për një opozitë, apo akt politik i zakonshëm por thirrje për një përpjekje të përbashkët për të ndaluar një rrëshkitje të rrezikshme të këtij kuvendi drejt një institucioni të heshtur, të nënshtruar dhe të zbrazët nga përmbajtja. Nuk kërkojmë ndëshkimin e një personi të vetëm por rikthim të standarteve institucionale.”, tha Ivi Kaso.

Teksa i renditi, Kaso tha se këto shkelje nuk mund të justifikohen me procedurë.

“Shkeljet e sipërpërmendura nuk mund të justifikohen me procedurë. Nuk ka rregull që mund të shërbejë si mbulesë për dhunimin e thelbit të parlamentarizmit, në fakt pretendimi se procedura është respektuar, është bërë refreni mbrojtjës i kryetarit të Kuvendit. Procedura nuk është qëllim në vetvete, ekziston për të garantuar të drejtën dhe jo mohuar atë. Kur përdoret për t’i mbyllur gojën opozitës, nuk është më procedurë por abuzim.”, shtoi ai.

Ora 10:17
Briseida Çakërri betohet si deputete e re e PS, zuri vendin e Bruna Mersinit që kandidoi për bashkinë Vlorë

Briseida Çakërri ka bërë betimin si deputetja e re e Partisë Socialiste në Kuvend. Ajo zë vendin e lënë bosh nga Bruna Mersini, pasi kandidoi zyrtarisht për bashkinë e Vlorës në zgjedhjet e parakohshme të pjesshme që do të mbahen më 9 nëntor.

Ajo është 33 vjeçe dhe në jetëshkrimin e dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për Parlamentaret e 11 Majit, ka deklaruar se është anëtare aktive e Partisë Socialiste prej vitit 2009, kur ishte 17 vjeçe, duke u angazhuar në FRESSH, organizatat socialiste dhe në këshillin bashkiak.

Ora 09:56
Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve, palët bien dakord për 90 minuta debat pas çdo raportimi institucional

90 minuta debat, kjo është koha e përcaktuar më dakordësi të palëve politike në mbledhjen e sotme të Konferencës së Kryetarëve. Kjo kohë do të vendoset në dispozicion të ligjvënësve pas çdo raportimi të institucioneve të pavarura në Kuvendin e Shqipërisë.

Nga foltorja sot do të raportojnë veprimtarinë e tyre vjetore 2024 6 institucione të pavarura, si Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Avokati i Popullit, Komisionieri për Mbikëqyrjen e shërbimit Civil, Instituti i Statistikave, AMA dhe RTSH.