
Deputeti Damian Gjiknuri tha se pret që shumë shpejt që Kuvendi të miratojë komisionin pwr reformën zgjedhore. Ai bëri me dije se është rënë dakord që në këtë komision të ketë përfaqësi edhe nga partitë e vogla.
“Jemi përpara faktit që shumë shpejt do të fillojmë një Reformë të re Zgjedhore dhe jam i bindur që në ditët në vijim Kuvendi do të miratojë një komision të përbashkët në traditën e asaj që kemi pasur, me konsensus, me bashkëkryesim dhe një dëshirë për të gjetur darkodësi për shumë problemi. Së fundmi kemi rënë dakord edhe në lidhje me ato vërejtje që u ngritën në lidhje me përfaqësimin në reformën zgjedhore ku shumica dhe opozita do të ketë një përfaqësim të barabartë. Do të ketë përfaqësi edhe nga partitë e vogla që janë pjesë e kuvendit, por që nuk janë pjesë e grupeve parlamentare, por duke ruajtur një balancë për të ruajtur ekuilibrin shumicë- pakicë”, tha Gjiknuri.
Ai theksoi se janë një sërë çështjesh të rekomanduara nga OSBE-ODIHR që pritet të adresojë komisioni për Reformën Zgjedhore, ku ndër to përmendi edhe financimet për partitë gjatë fushatave zgjedhore.
Gjiknuri i bëri komentet gjatë Konferencës “30 vite partneritet dhe progres: Shqipëria, Këshilli i Evropës dhe Komisioni i Venecias”. Ai vlerësoi ndihmën e Komisionit të Venecias ndaj Shqipërisë, duke e konsideruar një “bashkëudhëtar të përhershëm të proceseve të Reformës Zgjedhore në Shqipëri”.
Megjithatë, faktin që Shqipëria i drejtohet pas çdo palë zgjedhjeve Komisionit të Venecias, ai e shikon edhe si problematik.
“Fakti që ne pas çdo palë zgjedhje kryejmë reformë zgjedhore, apo pas shumë çështjesh i drejtohemi tregojmë se si pacientë nuk vetëshërohemi, por kërkojmë gjithnjë një mjek”, tha Gjiknuri.
Lajmi kryesor:
PS e PD përplasen për Reformën Zgjedhore, Komisioni i Venecias: Mos ndryshoni ligjet për çdo zgjedhje











