Palët politike do të ulen sërish bashkë për të përmirësuar ligjet zgjedhore, por prapë garancitë i kërkojnë nga të huajt, Komisioni i Venecias, apo ODIHR. Në një tryezë për reformën zgjedhore, një gjyqtar i Komisionit të Venecias i kujtoi klasës politike se nuk është e shëndetshme që Kodi Zgjedhor të ndryshohet kaq shpesh.
“Nuk do të ishte një sport argëtues nëse rregullat e një ndeshjeje ndryshoheshin para çdo loje. Askush nuk do të kuptonte çfarë po ndodh dhe askush nuk do t’i besonte, veçanërisht nëse rregullat nuk do të vendoseshin nga disa burokratë të FIFA-s, por nga njëra prej ekipeve. Po kështu edhe në zgjedhje, stabiliteti i ligjit zgjedhor është një nga elementët kyç për të garantuar besimin në proceset zgjedhore”, tha Oliver Kask, Gjyqtar, Komisioni i Venecias
Ai që për socialistët udhëheq reformat zgjedhore, Damian Gjiknuri shprehu vullnetin për konsensus, por prapë nën hijen e ndërkombëtarëve,
“Venecia ka qene bashkudhëtar i përhershëm i reformës zgjedhore. Giani Buquicchio ka thënë qe Shqipëria ka qene klient i përhershëm. Unë e shoh me doza ironike. Fakti qe pas çdo reforme ti drejtohemi Venecias si pacient nuk vete shërohemi por kërkojmë mjek. Odihr të gatshëm të sjell ekspertë për të asistuar dialogun. Objektivi është Stabilitet zgjedhor dhe ligj zgjedhor para zgjedhjeve. Uroj që mos jemi më pacientë të pashërueshëm të Komisionit të Venecias”, u shpreh Gjiknuri.
Por shanset për dialog duken të vështira, kur opozita nuk kërkon vetëm ndërhyrje në Kodin Zgjedhor, por edhe në Kushtetutë.
“Jemi kthyer në një lloj pacienti të Venecias, jo vetëm për zgjedhjet por edhe për çështjet e drejtësisë. Reforma e fundit konsensuale është ajo e 2012. Sistemi Zgjedhor duhet të kthehet në një sistem diskutimi. Ky sistem duhet të ikë”, tha Oerd Bylykbashi.
KQZ që vuan pasojat e ndryshimeve ligjore në minutë të fundit, vuri theksin, tek koha.
“Mazhoranca dhe opozita duhet të dakordësohen sa më shpejt të jetë e mundur për ndryshimet. Nëse reforma zgjedhore do të vonojë të shtyhet në kalendat greke, 5-6 muaj para zgjedhjeve do të jemi në të njëjtën situatë: dikush do ti fitojë zgjedhjeve, pala tjetër do ti kontestojë”, theksoi Celibashi.
Përfaqësuesit e OSBE-ODIHR në tryezë bënë thirrje për konsensus, duke i kërkuar partisë në pushtet të mos injorojë opozitën nga reforma zgjedhore, pavarësisht numrave që kontrollon.

Deputeti Damian Gjiknuri tha se pret që shumë shpejt që Kuvendi të miratojë komisionin pwr reformën zgjedhore. Ai bëri me dije se është rënë dakord që në këtë komision të ketë përfaqësi edhe nga partitë e vogla.
“Jemi përpara faktit që shumë shpejt do të fillojmë një Reformë të re Zgjedhore dhe jam i bindur që në ditët në vijim Kuvendi do të miratojë një komision të përbashkët në traditën e asaj që kemi pasur, me konsensus, me bashkëkryesim dhe një dëshirë për të gjetur darkodësi për shumë problemi. Së fundmi kemi rënë dakord edhe në lidhje me ato vërejtje që u ngritën në lidhje me përfaqësimin në reformën zgjedhore ku shumica dhe opozita do të ketë një përfaqësim të barabartë. Do të ketë përfaqësi edhe nga partitë e vogla që janë pjesë e kuvendit, por që nuk janë pjesë e grupeve parlamentare, por duke ruajtur një balancë për të ruajtur ekuilibrin shumicë- pakicë”, tha Gjiknuri.
Ai theksoi se janë një sërë çështjesh të rekomanduara nga OSBE-ODIHR që pritet të adresojë komisioni për Reformën Zgjedhore, ku ndër to përmendi edhe financimet për partitë gjatë fushatave zgjedhore.
Gjiknuri i bëri komentet gjatë Konferencës “30 vite partneritet dhe progres: Shqipëria, Këshilli i Evropës dhe Komisioni i Venecias”. Ai vlerësoi ndihmën e Komisionit të Venecias ndaj Shqipërisë, duke e konsideruar një “bashkëudhëtar të përhershëm të proceseve të Reformës Zgjedhore në Shqipëri”.
Megjithatë, faktin që Shqipëria i drejtohet pas çdo palë zgjedhjeve Komisionit të Venecias, ai e shikon edhe si problematik.
“Fakti që ne pas çdo palë zgjedhje kryejmë reformë zgjedhore, apo pas shumë çështjesh i drejtohemi tregojmë se si pacientë nuk vetëshërohemi, por kërkojmë gjithnjë një mjek”, tha Gjiknuri.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, pjesë e tryezës së reformës zgjedhore në Konferencën me temë “30 vite partneritet dhe progres: Shqipëria, Këshilli i Evropës dhe Komisioni i Venecias, u shpreh se mazhoranca dhe opozita duhet të bëjnë të gjitha përpjekjet për të pasur ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Nëse reforma shtyhet, sipas tij, do të jemi sërish në të njëjtën situatë.
“Mendoj që mazhoranca më së shumti mbi të gjitha dhe opozita duhet të bëjnë të gjitha përpjekjet për të pasur ndryshimet që duhet të dakordësohen sa më shpejt të jetë e mundur. Nëse Reforma Zgjedhore do të vijojë të shtyhet dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor do datojnë vetëm disa muaj para zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme, pasi atyre po i referohem, mendoj që do të jemi në të njëjtën situatë. Dikush do fitojë zgjedhjet, ai që do humbasë do kontestojë dhe do thotë që i humbëm për këtë ose për këtë arsye”, tha Celibashi.
Sipas Celibashit, nëse Kodi i ri Zgjedhor miratohet brenda një viti, ka premisa për përmirësimin e standardit të zgjedhjeve të ardhshme. Gjatë konferencës, Celibashi foli dhe për përbërjen e komisioneve zgjedhore. Sipas tij është koha për të larguar përbërjen vetëm politike dhe partiake të këtyre komisioneve. Kryekomisioneri u shpreh edhe kundër propozimit të mazhorancës që komisionet të formohen vetëm me nëpunës të administratës civile.
“Me mënyrën e organizimit dhe funksionimit të komisioneve të niveleve të dyta dhe të treta. Përbërja vetëm politike partiake e këtyre komisioneve nuk kontribuon në integritetin procesit zgjedhor, në transparencë, apo elementë të tjerë. Nuk jam për opsionin që propozon mazhoranca ku të gjithë anëtarët të jenë nëpunës civil. Mendoj që akoma nuk është koha që përbërja politike të përjashtohet tërësisht nga procesi zgjedhor, por roli i tyre nuk duhet të jetë parësor, nuk do duhet të jetë parësor. Ka formula hibride që nuk cënojnë standardin teknik të administrimit të procesit”, tha Celbashi.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve tha se duhen rikonsideruar edhe rregullat që kanë të bëjnë me organizimin dhe funksionimin e partive politike, financimin e tyre periodik dhe veçanërisht financimin e fushatave zgjedhore të partive politike dhe subjekteve zgjedhore. Një tjetër çështje ishte edhe ajo e rregullave për fushatën zgjedhore.
“Rregullat për fushatën zgjedhore. Në Kodin Zgjedhor, rregullat adresojnë zhvillimin e fushatës në mediat tradicionale, asgjë për mediat sociale”, tha Celibashi.
Ai tha se duhet vendosur për mënyrën e votimit, nëse do të jetë elektronik apo jo si dhe duhet të rishikohen rregullat për ankimimet zgjedhore.
Komente











