/ATSH/- Ministri i Energjise dhe Industrise, Damian Gjiknuri, deklaroi te premten se strategjia e re që synon të nxjerrë sektorin energjetik nga kriza do të prezantohet shumë shpejt në Kuvend. Duke folur ne Komisionin e Veprimtarive Prodhuese për buxhetin e sektorit vitin e ardhëm, Gjiknuri tha se, energjia aktualisht është sektori më i "sëmurë" i ekonomisë. Sipas tij, qeveria ka programuar disa masa ndërhyrjeje që synojnë të eliminojnë humbjet deri në vitin 2018. Strategjia, sipas tij, synon ulje konstante të humbjeve në sektorin e shpërndarjes, mesatarisht me 5% në vit. Do të ristrukturohet çmimi i blerjes së energjisë prej HEC-et koncesionare dhe do të ristrukturohen tarifat për konsumatorët familjarë dhe bizneset. Po ashtu synon rritjen e arkëtimeve prej debitorëve dhe zvogëlim i detyrimeve të prapambetura. Një vend të veçantë në këtë reformë do të ketë edhe riparimi dhe meremetimi i turbinave të hidrocentraleve të Kaskadës së Drinit, në kuadër të projektit të Bankës Botërore në sistemin energjetik, duke riparuar për herë të parë turbinat e HEC-ve të mëdha të Drinit. Ministri Gjiknuri u shpreh se pasi të ketë kaluar faza e emergjencës që parashikon rritjen e niveleve të arkëtimeve dhe reduktimin e humbjeve do të nisë faza e investimeve për zgjerimin e burimeve të rinovueshme. Gjiknuri informoi se në 2016-en, do të nisë ndërtimi i HEC-it të Banjës.
/Shqiptarja.com









