TIRANË-Realizimi dhe mundësimi i votës së emigrantëve në zgjedhjet e ardhshme ka qenë pjesë e diskutimit të kryeministrit Edi Rama me Këshillin Koordinues të Diasporës gjatë një konference online. Rama tha se alternativa e vetme e votimit për emigrantët shqiptarë është me postë, por procesi ka vështirësi dhe kërkon kohë. Ndërsa për përfaqësuesin e PS për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri ka sqaruar se emigrantët duhet të regjistrojnë adresën e tyre në regjistrin civile kombëtar dhe prej andej do të gjenerohet një listë e veçantë për ta. Pra vendi do të funksionojë me dy lista një e brendshme me qytetarët brenda vendit dhe një listë e jashtme me shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë. Për Gjiknuri aktualisht nuk është e mundur që emigrantëve t'u sigurohen mandate në Kuvend pasi kjo kërkon ndryshime Kushtetuese dhe se votat e tyre do të llogariten për qarkun e Tiranës.

A do të votojnë emigrantët në zgjedhjet e ardhshme? Për ministrin e Diasporës Pandeli Majko "PO" dhe mazhoranca e ka këtë vullnet, ndërsa për kryeministrin Rama kjo duhet parë në mënyrë më realiste dhe nuk mund të thuhet 'PO' me 100 % siguri. Kjo pasi për votën e emigrantëve, Rama theksoi se nuk  ka nevojë thjeshtë për zgjidhje teknike, por për pranim të zgjidhjes dhe mekanizmit që do të përdoret, në mënyrë që në të ardhmen të mos ketë kontestim nga asnjë palë.

Rama kërkoi dhe nga diaspora të marrë pjesë në monitorimin e mekanizmit nga pikëpamja teknike mbi efektshmërinë dhe integritetin e tij, ndërsa Majko kërkoi që vota e emigrantëve të sigurohet me dispozita ligjore dhe jo t'i lihet në dorë KQZ-së vetëm me akte normative.

Në lidhje me marrëveshjen e zgjedhores e arritur në Këshillin Politik, Rama bëri të ditur se brenda kësaj jave do të mbyllen të gjitha detajet dhe me dakordësi apo jo ato do i dorëzohen komisionit të reformës zgjedhore para 30 qershorit, ku përfundon dhe afati i punës së saj.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:49
Debati mbi KQZ-në/ Rama: Me dakordësi apo jo, zgjedhorja  mbyllet këtë javë

Kryeministri Edi Rama tha se brenda kësaj jave do të mbyllen të gjitha detajet për marrëveshjen e arritur në Këshillin Politik dhe me dakordësi apo jo ato do i dorëzohen komisionit të reformës zgjedhore para 30 qershorit, ku përfundon dhe afati i punës së saj.

"Brenda javës mbaron procesi i diskutimeve mes mazhorancës dhe opozitës jashtëparlamentare për marrëveshjen e këshillit politik. Në të gjitha rastet me dakordësi dhe pa dakordësi detajet do i dorëzohen komisionit të zgjedhores deri me 30 qershor kur mbaron dhe afati i punës", tha Rama.

Bisedimet mes mazhorancës dhe opozita jashtëparlamentare kanë ngecur në riformatimin e KQZ dhe përbërjen e saj.

Ora 17:31
Vota e emigrantëve në zgjedhjet  e ardhshme? Rama: Të jemi realistë, problemi jo vetëm teknik, do dakordësi nga palët

Ministri Pandeli Majko tha se vota e emigrantëve do të realizohet në zgjedhjet e ardhshme, por për kryeministrin Rama kjo duhet parë në mënyrë më realiste dhe nuk mund të thuhet 'PO' me 100 % siguri. Kjo pasi për votën e emigrantëve, Rama theksoi se nuk  ka nevojë thjeshtë për zgjidhje teknike, por për pranim të zgjidhjes dhe mekanizmit që do të përdoret, në mënyrë që në të ardhmen të mos ketë kontestim nga asnjë palë. Rama kërkoi dhe nga diaspora të marrë pjesë në monitorimin e mekanizmit nga pikëpamja teknike mbi efektshmërinë dhe integritetin e tij.

"Përgjigja sot që flasim është një përgjigje realiste dhe jo një përgjigje optimiste. Realiste do të thotë se jemi në kushtet ku kemi goxha pozitivitet lidhur me faktin se kjo do të realizohet, por nuk jemi sot teknikisht 100 % të gatishmërinë të themi po dhe kjo punë ka marrë fund dhe do bëhet për zgjedhjet e ardhshme. Nuk kemi nevojë thjeshtë për zgjidhje teknike, por dhe një pranueshmëri të zgjidhjes. Nëse procesi është i kontestuar dhe nëse një palë në parim thonë mezi po presim votimin e diasporës dhe më pas të kontestojë mekanizmin kjo është problem. Mendoje se ndihma kryesore që ju mund të jeni dhe duhet të jepni është të merrni pjesë në monitorimin e mekanizmit nga pikëpamje teknike mbi efektshmërinë dhe integritetin e mekanizmit", tha Rama.

Ora 17:17
Debati Majko-Gjiknuri mbi rolin e KQZ për votën e emigrantëve

Brenda socialistëve ka pasur një debat mbi rolin e KQZ-së për votën e emigrantëve. Ministri Majko tha se duhen dispozita ligjore dhe se vota e emigrantëve është shumë e rëndësishme për t'ia lënë në dorë KQZ. Por Gjiknuri u shpreh se KQZ është rruga e duhur për të çuar përpara procesin.

"Të fillojnë të hedhin votën ata që janë regjistruar. Këtu kemi të bëjmë me një proces të gjatë. Të fillojë procesi dhe gradualisht të kolaudohet. Nga zgjedhjet në zgjedhjet numri i tyre të shtohet më pas. Imagjinoni që ky proces të molepsej, do të hapej një diskutim, që vendosin në diskutim votën e emigrantëve. Ta bëjmë më kujdes, po u politizua, kam frikë se do të hapet edhe ky debat. Cdo gjë i është në dorë KQZ dhe për mendimin tim ajo është rruga".

Ora 17:05
Majko me tone të forta: Diaspora voton në zgjedhjet e ardhshme! Vota e tyre kërkon dispozita ligjore, nuk mund t'i lihet në dorë KQZ

Ministri i Diasporës, Pandeli Majko ka qenë i ashpër në kërkimin e votës së shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit duke thënë se vullneti i mazhorancës është i fortë që vota e tyre të jetë e garantuar në zgjedhjet e ardhshme dhe kjo do të bëhet. Majko tha se vota e emigrantëve është mjaft e rëndësishme për t'ia lënë në dorë KQZ dhe për këtë duhet krijuar dispozita ligjore pasi nuk mundet që KQZ të funksionojë në lidhje me këtë votë vetëm me akte normative. Ai ka sqaruar se me përfaqësuesin e PS për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri nuk ka pasur asnjë model përçarës, por thjesht teknik.

"Mazhoranca ka vullnet të plotë në zgjedhjet e ardhshme do të bëjmë gjithçka që shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit të japin votën e tyre. Unë i bashkohem se e drejta kushtetuese nuk ka nevojë për negociata dhe të dyja opozitat janë prehur pro votës së emigrantëve. Është parlamenti i parë që ka krijuar komisionin e reformës zgjedhore, ku që në 3 muajt e parë ne depozituam modelet për votimin e emigrantëve dhe kemi pritur që të merrje një vendim, bashkëpunuam dhe me OSBE. Që në 2019 i kemi dërguar të gjitha propozimet dhe modelet tona në Komisionin e reformës zgjedhore. Në qoftë se kemi pasur një model përçarës ne me zotin Gjiknuri, nuk është kështu, ishte thjesht teknik. Ajo që duhet të bëjmë është me shumë rëndësi të vendosen dispozitat ligjore për votën e emigrantëve pasi nuk janë 10 % por gati gjysma e shqiptarëve dhe duhet bërë ndarja e listave me shqiptarët brenda vendit dhe ato jashtë. Ka shumë rëndësi që KQZ të ketë dispozita ligjore që të funksionojë për votën e emigrantëve dhe nuk mund të lihet të veprojë thjeshtë me akte normative. Vota e emigrantëve është shumë e rëndësishme për t'ia lënë në dorë KQZ. Interesat politike kanë qenë kaq të komplikuara dhe afatshkurtra sa nuk kanë lejuar një gjë të tillë, por jam i lumtur që vullneti i mazhorancës që në zgjedhjet e ardhme emigrantët të votojnë për fatet e vendit të tyre. Nuk ka mungesë vullneti nga ana jonë, ne flasim me vepra e punë dhe në zgjedhjet e ardhshme emigrantët do të votojnë dhe themi sot se kjo do të bëhet", tha Majko.

Ora 16:39
Rama: Vota e emigrantëve me postë, problem regjistrimi në vendet ku ndodheni

Kryeministri Edi Rama u shpreh se alternativa e vetme e votimit për emigrantët shqiptarë është me postë. Por procesi ka shumë vështirësi, tha ai dhe kërkon kohë. Konkretisht, Edi Rama theksoi se problemi lidhet me regjistrimin e shqiptarëve në vendet që ndodhen jashtë kufijve. Në një mënyrë apo tjetër, kryeministri u shpreh besimplotë se votimi i emigrantëve do të realizohet, qoftë edhe duke filluar me një projekt pilot. Edi Rama dy fjalë i kishte edhe për debatin politik në Shqipëri, por sqaroi se te vota e emigrantëve nuk ka divergjencë të shfaqur.

"Ajo që duhet sqaruar paraprakisht është së pari, ne jemi në një proces të një reforme zgjedhore, i pa ndodhur më parë, pasi sot nuk jemi dy palë, por tre palë dhe në njëfarë mënyre, skena e palëve politike që duhet të merren vesh është trepolare, shumica parlamentare, një opozitë brenda dhe një jashtë parlamentit. Nga pikëpamja aritmetike, kodi dhe reforma zgjedhore në tërësi duan një shumicë të cilësuar që ne nuk e disponojmë dot, por nga pikëpampja e traditës duam të respektojmë një vijëmësi të një procesi gjithëpërfshirës, që nënkupton një mirëkuptim mes tre palëve, ne me dy palë të tjera, që pavarësisht se janë produkt i të njëjtit bark janë në divergjencë ekstreme me njëri tjetrin.

Kur vjen puna te vota e emigrantëve nuk ka divergjencë të shfaqur, por nuk kemi dakordësi në momentin që flasim. Procesi ka qenë i ngatërruar dhe konfliktual dhe ulja në tryezë u bë me vonesë të jashtëzakonshme dhe në kushte specifike, atëherë optimizimi është më i vogël se do të ishte normalisht. Ne i kemi studiuar dhe Majko është marrë për metodat e realizimit të votimit nga jashtë, por për arsye nga jashtë, por për arsye të konfliktit politike e kemi përjashtuar votimin në ambasada dhe konsullata, që mund të ishte i realizueshëm.

Por është më i vështirë nga lëvizshmëria, pasi ata që nuk e kanë ambasadën apo konsullatën afër do të ishte e komplikuar. Ne kemi lënë si alternativë të vetme votimin me postë, por ka gjëra që lidhen me regjistrimin, jo vetëm në Shqipëri, por vendin ku është. Është një proces që kërkon kohë, jemi duke punuar cdo ditë. Jemi duke punuar për një opsion elektronik të regjistrimit, përputhshmërie mes listës së votuesve që gjenerohet nga regjistri i gjendjes civile dhe personave të regjistruar, por jemi herët të themi se kjo gjë mund të realizohet. Unë kam besim se në një mënyrë apo tjetër mund të hyjmë në këtë proces, qoftë edhe me një projekt, zonë, votim, projekt pilot" tha ai.

Ora 16:30
Gjiknuri: Vota emigrantëve me postë, do llogaritet për qarkun Tiranë! Diaspora të regjistrojë adresat në gjendjen civile

Përfaqësuesi i PS për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri ka sqaruar në lidhje me votën e emigrantëve se si do të zhvillohet ajo. Gjatë një konference online me Këshillin Koordinues të Diasporës për të diskutuar “Votën e Diasporës në Reformën Zgjedhore”. Gjiknuri tha se Vota e emigrantëve është menduar të bëhet me postë apo në mënyrë elektronike,edhe pse kjo e fundit do të kërkonte një kohë më të gjatë. Gjiknuri tha se dhënia e votës me postë mund të jetë një nga mënyrat, por që fillimisht duhet që të gjithë emigrantët që kanë dëshirë të votojnë të regjistrojnë adresën e tyre në regjistrin civile kombëtar dhe prej andej do të gjenerohet dhe një listë e veçantë për ta. Kjo listë Gjiknuri tha se është vendosur t'i bashkohet qarkut të Tiranës, ndërsa në lidhje me marrjen e mandateve nga vetë diaspora shqiptare, për Gjiknurin kjo do të kërkojë kohë dhe ndryshime Kushtetuese që nuk janë të mundura në këtë kohë.

"Reforma zgjedhore u zhvillua në një kontekst të vështirë politik dhe nuk ishim normale si reforma të tjera zgjedhore pasi vinim në një situatë ku me opozitën jashtëparlamentare dialogu ka qenë i munguar dhe vota e emigrantë duhet të trajtohet me shumë kujdes që të mos ngjallte pengesa nga asnjë palë. Morëm përsipër që çështjen e votës së emigrantëve ta përfshijmë në një mënyrë që ajo të bëhet e mundur se si ta zbatojmë atë. Nisur nga teksti dhe legjislacioni aktual në Shqipëri që vota e emigrantëve duhet të kryhet vetëm përmes një regjistri paraprak ku emigrantët të kenë dhënë adresat e tyre dhe për këtë arsye qeveria në 2016 miratoi një ligj dhe krijoi aplikacionet online dhe infrastruktura është gati. Duke pasur parasysh këtë dhe mënyrën se si ne gjenerojmë listën e zgjedhësve, proceduar me postë apo mënyrë elektronike, që e dyta mund të dojë më shumë kohë ia deleguam KQZ. Sepse ne nuk ishim në gjendje të mund të detajonim çdo procedurë se si do të funksionojë vota me postë. KQZ do të udhëheq procesin dhe përcaktimin ligjor të gjithë këtij procesi. Nëse një emigrant ka regjistruar adresën do të futet në listën e zgjedhësve dhe duke shprehur dëshirën e tij përmes një akti të KQZ nëpërmjet postës të mund të japin votën e tyre. Kjo është situata. E drejta e sanksionuar duhet që emigranti të jetë i regjistruar në gjendje civile dhe infrastruktura të jetë gati dhe vota do të llogaritet në qarkun e Tiranës pasi ashtu funksionon mënyra e regjistrit të gjendjes civile pasi emigrantët dalin me një listë unike. Pasja e mandateve për emigrantet nuk mund të zgjidhet dot tani pasi duhen ndryshime kushtetuese, prandaj është llogaritur që vota e tyre të llogaritet në qarkun e Tiranë", tha Gjiknuri.